Mjaft na mbrojte kryeministër. Flladitu pak!

    Zufer Bajrami

    Zufer Bajrami
    Shkenca politike – Marrëdhënie ndërkombëtare

    Kulmi i cinizmit është kur kryeministri i vendit merr pjesë në seancë të komisionit parlamentar që shqyrton tragjedinë më të madhe në historinë e vendit, vetëm pë të fituar bastin ndaj sfidës së opozitës se ai nuk do të paraqitej në atë komision.

    Kulmi i paftyrësisë është kur në deklaratën e parë pas seancës në të cilën prindërit nga Koçani e shprehën dhimbjen e tyre, kryeministri, në vend që të shfaq empatinë e tij për dhimbjen a atyre prindërve të përvëluar, u ankua ndaj gazetarëve për atmosferë negativ dhe u sugjeroi atyre te shkrujn për gjëra më pozitive, për shembull për ajrin e pastër që kishte qenë para disa ditësh në Shkup.

    Pajtohem me kryeministrin se ajri i pastër vërtet është një lajm shumë i madh, numërohen me gishta ditët me ajër të pastër te ne. Por lajmi edhe më i madh është përpjekja e kryeministrit ta zbehë tragjedinë në Koçan me “lajme të mira” rreth kushteve atmosferike.

    Prej kur u shfaq në skenën e politikës së madhe, kryeministri duket apo dëshiron të duket se gjatë gjithë kohës është në mbrojtje të dikujt nga diçka.

    I mbron maqedonasit nga shqiptarët. E mbron shtetin nga bullgarët. E mbron buxhetin nga gjyqësori i korruptuar. E mbron shefin e shërbimit sekret me diplomë të falsifikuar të anglishtes, bile i mbron edhe disa shqiptarë nga disa shqiptarë tjerë. Madje ka ambicie që mbrojtja e tij të ketë edhe implikime ndërkombëtare.

    Me mospranimin e kompromisit me Bullgarisë, ai në fakt i mbron të gjitha vendet e ardhshme kandidate nga shantazhet e ardhshme nga vendet anëtare të BE-së. Me paratë kineze përmes kredisë hungareze jemi të mbrojtur nga varfëria rrjedhimisht migrimi, ndërsa me marrëveshjen me Mbretërinë e Bashkuar për emigrantët, siç tha edhe vetë, ai ne fakt e mbron “Europën nga Europa” apo e mbron civilizimin perëndimor.

    Lista e gjatë e heroizmave të kryeministrit mund të vazhdojë në pafundësi.

    Dhe në fund, njejtë siç kërkon edhe kryeministri, planifikova ta mbyll këtë tekst në një notë pak më gazmore. Do të thoja se sipas punës së qeverisë deri tani, kryeministri dhe qeveria e tij më shumë duken siç i quajti Fërçkovski “vrojtues plazhi në periudhë dimri” sesa si mbrojtës të vërtetë të interesave të dikujt.

    Por, sulmi brutal para disa ditësh ndaj redaksisë dhe gazetarëve të Infomax nga një person që deshi të mbrojë kryeministrin nga fjalët e gazetarëve me grushta, mendoj se është një tregues i rëndësishëm se “mbrojtja” është duke hyrë në një fazë krejtësisht të re të sulmit.

    Prandaj, gazetarët, por as unë, nuk mund të shkruajmë për ajrin e pastër që paska qenë një ditë!

    *Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit. 

    Lajmi Paraprak

    Filmi “Parku i Dorës” mbushi sallën në premierën në Shkup

    Lajmi i rradhës

    Struga në bllokadë politike: kush e ka fajin?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë