A vazhdon çrregullimi i vëmendjes me hiperaktivitet të jetë i pranishëm dhe në moshën e rritur?

    Lorela Garuli, psikologe

    Kjo pyetje është objekt diskutimesh mbi praninë e çrregullimit pas adoleshencës dhe sesi shtrihet ecuria e ADHD përgjatë jetës së individit të diagnostikuar që në fëmijëri.

    A vazhdojnë simptomat e ADHD dhe kur individi nuk është më fëmijë, apo ato nuk janë më persistente pas njëfarë moshe?

    Për t’ju përgjigjur kësaj pyetjeje, disa studiues (Faraone, Biederman & Mick, 2006) analizuan shfaqjen dhe ndryshimin e simptomave të çrregullimit në 21 raste me ADHD të diagnostikuar në fëmijëri. Kampionimi përbëhej nga individë prej 10 deri në 30 vjeç, për të parë në këtë mënyrë psh, a kishte dallim mes ADHD së një fëmije që ishte nxënës shkolle dhe një të rrituri 30 vjeç. Pjesa më e madhe e individëve të marrë në studim kishin bërë një vlerësim të dytë të ADHD rreth moshës 18-vjeçare dhe vazhdonin të kishin të gjithë elementët e çrregullimit.

    Rezultatet treguan se prognoza e çrregullimit në moshën e rritur varet në mënyrë direkte nga ashpërsia e çrregullimit, që do të thotë se në rastet kur simptomat e ADHD janë të pranishme të gjitha që në fëmijërinë e hershme, ato vazhdojnë të jenë pjesë edhe e të rriturit me ADHD, në një masë deri 60% (Faraone, Biederman & Mick, 2006).

    Megjithatë, prërtej shifrave dhe përqindjeve, ajo që është e qartë dhe e vërtetë nga evidencat klinike, është se të rriturit me ADHD vazhdojnë të kenë vështirësi si rrjedhojë e crregullimit dhe vazhdojnë të kenë nevojë për ndihmë të specializuar.

    Karakteristikat e ADHD në moshën e rritur:

    Sjellje agresive dhe konfliktuale.

    Vështirësi më të mëdha në mungesën e vëmendjes sesa në sjelljen hiperaktive.

    Vështirësi për të mbajtur vëmendjen, mungesë përqendrimi, padurim, irritim.

    Vetëvlerësim i ulët dhe ndjenja dështimi.

    Tolernacë e ulët ndaj frustrimit, rutinës dhe monotonisë.

    Kërkim i vazhdueshëm i aktiviteteve me stimuj dhe emocionalitet të lartë.

    Luhatje emocionale dhe ndryshim i gjendjeve të humorit në mënyrë të papritur disa herë gjatë ditës pa ndonjë shkak objektiv apo nxitje nga mjedisi i jashtëm.

    Vështirësi për të respektuar kohën, oraret dhe afatet.

    Vështirësi në kujtesën e punës, atë verbale, kryerjen e disa detyrave në të njëjtën kohë dhe kryerjen e detyrave apo përmbushjen e objektivave afatgjatë.

    Mungesë qëndrueshmërie në marrëdhëniet ndërpersonale, ndarje apo divorce të shpeshta, marrëdhënie të vështira në cift, sjellje të nxituara, të shpërqendruara apo pozicion mbrojtës ndaj partnerit që vjen si rrjedhojë e perceptimeve negative dhe e pritshmërive të ulëta nga dështimet e mëparshme në marrëdhënie.

    Vështirësi në përfundimin e studimeve, duke e braktisur shkollën e mesme apo universitetin në mes; braktisje e cila nuk lidhet aspak me inteligjenën.

    Shfaqin vonesa ose mungesa në punë, ndërrime të shpeshta të vendit të punës, zhvlerësim dhe humbje të lehtë të interesit për atë që bëjnë.

    Problematika në marrëdhëniet me drejtuesit në punë dhe me kolegët, për këtë arsye shpeshherë punojnë vetëm dhe jo në grupe.

    Nëse puna që bëjnë kërkon aftësi të organizimit dhe planifikimit apo kujdes ndaj detajeve, kanë vështirësi të mëdha për ta kryer.

    Varësi nga substancat, aksidente të shpeshta me makinë, probleme të shkaktuara duke qenë nën efektin e alkoolit. /Humanum/

    Lajmi Paraprak

    Vuçiq: me tërheqjen e Kushnerit, Serbia humbi 750 milionë euro investime

    Lajmi i rradhës

    “Llaskarca”, Belulit sërish i shtyhet mbajtja e dënimit me rekomandim të mjekut

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë