Sipas Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KShPK), gjithsej 35 persona nuk kanë paraqitur deklaratë për pasurinë dhe interesat pas përfundimit të mandatit të tyre, ndërsa 19 persona nuk e kanë përmbushur këtë detyrim ligjor pasi janë zgjedhur kryetarë komune në zgjedhjet e fundit lokale, përcjell Nistori.
Ish-kryetarja e Bashkisë së Shkupit, Danela Arsovska, si dhe pasardhësi i saj në detyrë, Orce Gjorgjievski, nuk kanë paraqitur deklaratë për pasurinë pas përfundimit, përkatësisht pas fillimit të mandatit të tyre.
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sot publikoi listat me emrat e kryetarëve të komunave që nuk kanë paraqitur deklaratë për pasurinë dhe interesat.
Konkretisht, Komisioni Kundër Korrupsionit publikoi dy lista: një me emrat e kryetarëve të komunave mandati i të cilëve ka përfunduar dhe një tjetër me ata që kanë fituar mandat katërvjeçar në zgjedhjet e fundit lokale.
Duke qenë se disa prej tyre kanë fituar mandate të reja, emrat e tyre figurojnë në të dyja listat. I tillë është rasti me ish-kryetarin e Kisella Vodës, përkatësisht kryetarin aktual të Shkupit, Orce Gjorgjievski, si dhe me kryetarin e ri-vjetër të Butelit, Darko Kostovski.
Kryetari i ri-vjetër i Manastirit, Toni Konjanovski, nuk ka paraqitur deklaratë për pasurinë pas përfundimit të mandatit të tij, por ai figuron vetëm në listën e kryetarëve të komunave që nuk kanë paraqitur deklaratë pas largimit nga detyra.
Sipas KShPK-së, gjithsej 35 persona nuk kanë paraqitur deklaratë për pasurinë dhe interesat e tyre pas largimit nga detyra. Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit e ka konstatuar këtë gjendje pas kryerjes së kontrolleve në regjistrin e pasurisë dhe interesave.

Njëkohësisht, 19 persona nuk e kanë përmbushur detyrimin ligjor pas zgjedhjes në postin e kryetarit të komunës.

KShPK-ja njofton se do të nisë procedura ligjore për kryetarët e komunave, ish-kryetarët dhe kryetarët aktualë, përfshirë edhe ata që kanë fituar mandate të reja.
“KShPK-ja do të monitorojë situatën dhe për të gjithë personat e listuar, të cilët do të vazhdojnë të mos përmbushin detyrimin ligjor për të paraqitur deklarata, do të fillojë procedurat për të verifikuar statusin e tyre të pasurisë dhe interesat”, thuhet në deklaratën e Komisionit Kundër Korrupsionit.
Siç rikujton institucioni, KShPK-ja monitoron gjendjen pasurore dhe interesat e zyrtarëve shtetërorë dhe vendorë në përputhje me nenin 17 të Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit.
Sipas nenit 82, paragrafi 1 i këtij ligji, të gjithë kryetarët e zgjedhur të komunave në zgjedhjet lokale të vitit 2025 kanë detyrim që, jo më vonë se 30 ditë nga dita e zgjedhjeve, të paraqesin deklaratë për gjendjen pasurore dhe interesat.
“Gjithashtu, në përputhje me nenin 82, paragrafi 3 i ligjit të lartpërmendur, pas përfundimit të mandatit të kryetarit të komunave, ata kanë detyrim të paraqesin një deklaratë për gjendjen pasurore”, thanë nga KShPK-ja.
Sipas ligjit, gjoba për mosdeklarimin e pasurisë nga personat e zgjedhur dhe të emëruar varion nga 300 deri në 500 euro, në kundërvlerë denari.






