Athina zyrtare “ia tërheq” veshin Mickoskit

    Debati për emrin kushtetues të shtetit dhe respektimin e Marrëveshjes së Prespës është rikthyer fuqishëm në skenën politike dhe diplomatike, duke hapur një kapitull të ri tensionesh mes Shkupit dhe Athinës, por edhe përplasjesh të brendshme politike. Deklarata e kryeministrit Hristijan Mickoski se “e kemi kthyer emrin” ka nxitur reagim të ashpër nga Ministria e Punëve të Jashtme e Greqisë, e cila paralajmëron se çdo devijim nga Marrëveshja e Prespës është i papranueshëm dhe përbën shkelje të detyrimeve ndërkombëtare.

    Athina paralajmëron se Marrëveshja e Prespës është detyruese dhe se çdo përpjekje për ndryshimin apo falsifikimin e saj nuk do të pranohet. Në reagimin e publikuar në faqen zyrtare të MPJ-së greke theksohet se marrëveshjet ndërkombëtare nuk lejojnë situata “de facto” dhe se zbatimi i tyre duhet të jetë uniform dhe universal.

    “Përparimi në marrëdhëniet bilaterale me Maqedoninë e Veriut dhe vazhdimi i pandërprerë i rrugës evropiane të fqinjit kërkojnë respektim të rreptë të marrëveshjeve dhe të parimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore”, thuhet në reagim. Greqia rikujton se emri kushtetues i shtetit është Maqedonia e Veriut dhe se Marrëveshja e Prespës është pjesë e Kushtetutës së saj dhe absolutisht detyruese për të dyja palët, si në planin ndërkombëtar ashtu edhe në atë të brendshëm. “Marrëveshja e Prespës është pjesë e së drejtës ndërkombëtare dhe respektimi i saj është bazë për bashkëjetesë paqësore të popujve dhe shteteve”, shtohet në njoftimin nga Athina.

    Përndryshe kryeministri Hristijan Mickoski, deklaroi se “e kemi kthyer emrin”, duke komentuar kritikat e LSDM-së se nuk mund t’i besohet, pasi kishte premtuar shfuqizimin e Marrëveshjes së Prespës. “I shoh që thonë se nuk paska mundur t’i besohet Mickoskit, ai tha se do ta kthente emrin, do ta shfuqizonte marrëveshjen. Ja ku jemi – e kemi kthyer”, tha Mickoski, duke shtuar se edhe kundërshtarët e tij politikë sot e përdorin termin “Maqedonia” në vend të “Maqedonia e Veriut”. Kjo deklaratë vjen në një periudhë kur qeveria po përpiqet të forcojë narrativën kombëtare, por njëkohësisht të ruajë kursin evropian. Megjithatë, mesazhe të tilla shkaktojnë shqetësim në Greqi, e cila këmbëngul në respektimin e plotë të marrëveshjeve.

    Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar në vitin 2018 mes Maqedonisë dhe Greqisë, i dha fund mosmarrëveshjes shumëvjeçare për emrin. Me këtë marrëveshje, Maqedonia e ndryshoi emrin kushtetues në Republika e Maqedonisë së Veriut, ndërsa në këmbim mori mbështetje për anëtarësim në NATO dhe për hapjen e rrugës drejt Bashkimit Evropian. Marrëveshja parashikon përdorimin e emrit të ri në të gjitha dokumentet zyrtare, institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, pa përjashtime. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Apeli i mjekëve në Tetovë: pushkaliqet, të dëmshme për fëmijët

    Lajmi i rradhës

    Kanabisi tek adoleshentët: 5.5% e kanë provuar të paktën një herë, përdorimi më i lartë tek djemtë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë