Kur çmimet online bëhen barrë dhe jo ndihmë!

    Edhe pse marketet janë të detyruara ligjërisht t’i publikojnë çmimet e produkteve në faqet e tyre të internetit, qytetarët thonë se krahasimi real i çmimeve mes zinxhirëve të ndryshëm të shitjes me pakicë mbetet i vështirë, i ngadalshëm dhe praktikisht i papërdorshëm në përditshmëri. Në vend që të shërbejnë si mjet për transparencë dhe kursim, listat online të çmimeve janë kthyer në tabela të gjata që kërkojnë orë të tëra shfletimi.

    Shumica e konsumatorëve pranojnë se nuk i ndjekin njoftimet e detyrueshme për çmimet e marketeve dhe se i hapin vetëm njoftimet për promocione, për të parë se ku ndonjë produkt është më i lirë.

    Premtimi për një aplikacion shtetëror që do ta bënte krahasimin e çmimeve të shpejtë dhe të thjeshtë pothuajse nuk përmendet më nga askush. Për qytetarët, realiteti ka mbetur i njëjtë, çmimet ekzistojnë online, por krahasimi mes marketeve kërkon shumë kohë dhe durim.

    “Kur je në market dhe përpiqesh t’i krahasosh çmimet nga telefoni, është e pamundur. Duhen shumë klikime, tabela me dhjetëra faqe dhe shpesh nuk e gjen fare produktin që kërkon. Në fund dorëzohesh dhe blen aty ku je”, tha një qytetar për gazetën Koha, i cili shton se për blerjet javore krahasimi online është më shumë barrë sesa ndihmë.

    Sipas rregullores në fuqi, çdo market brenda një zinxhiri të shitjes me pakicë është i detyruar t’i publikojë çmimet veçmas. Kjo do të thotë se konsumatori fillimisht duhet të zgjedhë marketin ku dëshiron të blejë, e vetëm më pas të kërkojë çmimin e një produkti konkret. Procesi ndërlikohet edhe më tej për shkak të mënyrave të ndryshme të publikimit të listave të çmimeve, te disa markete çmimet janë në tabela të kërkueshme, ndërsa te të tjerët duhet të shfletohen faqe pas faqeje, shpesh tabela me mbi njëqind faqe. Në disa raste, listat duhet edhe të shkarkohen në kompjuter, përpara se konsumatori të fillojë kërkimin.

    Që nga 4 prilli i këtij viti, tregtarët janë të detyruar t’i përditësojnë çmimet e produkteve çdo ditë pune, jo më vonë se ora 10:00. Megjithatë, pas kuriozitetit fillestar, qytetarët kanë reaguar se informacionet shpesh janë të paqarta dhe nuk përputhen me ofertën aktuale në markete. Sipas ndryshimeve në Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit, mikro-tregtarët dhe tregtarët individualë janë përjashtuar nga ky detyrim, ndërsa rregullorja përcakton që për çdo produkt të publikohen të dhëna të detajuara, nga çmimi me TVSH deri te çmimi për njësi matëse dhe kohëzgjatja e zbritjeve.

    Ndryshe, tregtarët që në fillim kanë reaguar se kjo përbën një kosto shtesë për bizneset e tyre. Zhvillimi i softuerit për publikimin e çmimeve kushton nga 30 mijë deri në 1 milion denarë, në varësi të madhësisë së kompanisë, ndërsa kostot mujore të mirëmbajtjes sillen nga disa mijëra deri në qindra mijëra denarë. Qeveria, nga ana tjetër, e justifikon këtë masë si përpjekje për t’i dhënë fund çmimeve të larta dhe për të mbrojtur interesat e konsumatorëve, duke u ofruar atyre informacion më të mirë dhe mundësi për krahasim. Ligje të ngjashme janë në fuqi edhe në vende si Kroacia, Italia dhe Izraeli. Megjithatë, për qytetarët, mes ligjit dhe realitetit në market, hendeku mbetet i madh, ndërsa krahasimi i çmimeve vazhdon të jetë një sfidë e përditshme.

    Lajmi Paraprak

    Ukraina kërkon më shumë: 90 miliardë euro nga BE nuk mjaftojnë

    Lajmi i rradhës

    Peshku luan “pushton” Gjirin e Vlorës, peshkatari: ka helm, nuk duhet të konsumohet

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë