Ndotja ekstreme e ajrit në kryeqytet prej ditësh nuk është më vetëm një shifër alarmante në aplikacionet për cilësinë e ajrit, por një krizë reale shëndetësore. Linja 194 e Shërbimit Mjekësor të Urgjencës është vënë nën presion të vazhdueshëm, ndërsa thirrjet më të shpeshta vijnë nga persona me sëmundje kronike, astmatikë dhe qytetarë me probleme serioze të frymëmarrjes, të cilët raportojnë përkeqësim të menjëhershëm të gjendjes shëndetësore.
Mjekët paralajmërojnë se rreziku nuk kufizohet vetëm te pacientët kronikë. Ekspozimi ndaj ajrit të ndotur ka pasoja edhe për persona të shëndetshëm, ndërsa fëmijët dhe të moshuarit mbeten grupet më të ndjeshme. Pulmologu Ridvan Beqiri për gjendjen aktuale, tha se grimcat e imëta depërtojnë thellë në mushkëri dhe ndikojnë jo vetëm në sistemin e frymëmarrjes, por edhe në sistemin kardiovaskular, duke rritur rrezikun për komplikime serioze.
“Ditët me ndotje të lartë po reflektohen drejtpërdrejt në numrin e pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore. Te personat me astmë, bronkit kronik apo sëmundje të tjera të mushkërive po shohim përkeqësime të shpejta të simptomave, si gulçim, ndjesi shtrëngimi në kraharor dhe kollë të vazhdueshme. Por shqetësuese është se probleme po paraqesin edhe persona që më parë nuk kanë pasur diagnoza respiratore. Në këto kushte, kufizimi i qëndrimit jashtë, përdorimi i maskave mbrojtëse dhe mbrojtja e fëmijëve dhe të moshuarve janë masa thelbësore për të shmangur pasoja më të rënda shëndetësore”,deklaroi ai për gazetën Koha.
Pas tejkalimit të pragut të alarmit për dy ditë rresht, autoritetet kanë aktivizuar masa dhe rekomandime emergjente. Punëdhënësve u është rekomanduar që të lirojnë nga detyrimet e punës gratë shtatzëna, personat mbi moshën 60 vjeç dhe qytetarët me astmë kronike, si dhe ata me histori të infarktit apo goditjes në tru, pavarësisht moshës. Për punëtorët që punojnë në ambient të hapur, është sugjeruar riorganizimi i orarit të punës, veçanërisht gjatë intervalit nga ora 11:00 deri në 17:00, kur ndotja arrin kulmin.
Në planin politik, çështja e ajrit të ndotur ka nxitur përplasje të reja mes partive. Këshilltarët e LSDM-së në Këshillin e Qytetit të Shkupit kanë dorëzuar kërkesë për shpalljen e gjendjes së krizës ekologjike dhe shëndetësore, duke kërkuar gjithashtu thirrjen e një seance urgjente për miratimin e masave konkrete. Këshilltarja Katarina Canevska-Arsovska deklaroi se ulja e ndotjes duhet të vendoset si prioritet absolut i autoriteteve lokale.
“Në vetë seancën do të propozojmë masa konkrete, si transport publik falas në ditët me ajër të ndotur, sigurim fondesh për filtra për ndotësit e mëdhenj, ridestinim të buxhetit për pastrues ajri, ndalim të ngrohjes me dru dhe qymyr në zonat me ngrohje qendrore, si dhe pastrimin e deponive ilegale dhe larjen e rrugëve”, deklaroi Canevska-Arsovska.
Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE i ka cilësuar kërkesat e LSDM-së si hipokrite, duke theksuar se gjatë periudhës shtatëvjeçare në pushtet kjo parti nuk ka arritur të ulë ndotjen e ajrit, pavarësisht premtimeve elektorale.
Sipas VMRO-DPMNE-së, prioritetet e qeverisjes së kaluar kanë qenë ndërtimet masive dhe jo mbrojtja e mjedisit.
“Nëse do të kishte vullnet real, ndotja do të ishte ulur të paktën për 10 për qind. Në vend të kësaj, u favorizuan projekte ndërtimi masive,” thuhet në reagimin e partisë, duke shtuar se qeveria aktuale ka ndërmarrë hapa përballë ndotjes, përfshirë subvencione për klima inverter, vendosjen e pastruesve të ajrit në çerdhe dhe procesin e gazifikimit.
Ndryshe, qytetarët vazhdojnë të përballen çdo ditë me ajër të rëndë për t’u marrë frymë, ndërsa shëndeti publik mbetet në vijën e parë të pasojave të smogut që prej vitesh mbetet problem kronik i kryeqytetit.






