Ndryshimet e reja të Kodit Penal, të propozuara nga nëntë deputetë të VMRO-DPMNE-së, tashmë kanë shkaktuar reagime serioze dhe shqetësim në opinionin profesional. Vlerësimi i parë është se megjithëse ka ashpërsim të dënimeve për veprën “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare dhe autorizimeve”, sërish politika ndëshkuese mbetet më e butë sesa Ligji që ishte në fuqi deri në vitin 2023. Konkretisht, dënimi maksimal për zyrtarët që keqpërdorin detyrën tani me ndryshimet e reja është 10 vjet burg, ndërsa me Ligjin e vjetër dënimi maksimal ishte 20 vjet.
Megjithatë, ajo që vlerësohet si më skandaloze është fakti se me ndryshimet e reja, nga përgjegjësia për “shpërdorim të detyrës” përjashtohen personat përgjegjës në administratën shtetërore, ku përfshihen edhe ministritë. Me fjalë të tjera, nëse këto ndryshime miratohen në Parlament, në të ardhmen personat përgjegjës në organet shtetërore nuk do të mbajnë përgjegjësi për neglizhencë në detyrë.
Në ligjin aktual, neni 353-v, paragrafi 5, thotë: “Nëpunësi zyrtar ose personi përgjegjës në organ të administratës shtetërore ose person juridik, i cili duke shkelur dispozitat ligjore për zbatimin e procedurave administrative, me mos-ushtrim të mbikëqyrjes së duhur apo në ndonjë mënyrë tjetër vepron në mënyrë të pandërgjegjshme në ushtrimin e autorizimeve dhe detyrave të tij dhe me këtë i siguron vetes apo dikujt tjetër dobi ose i shkakton dëm dikujt, dënohet me burg nga gjashtë muaj deri në tre vjet dhe me gjobë”. Ky paragraf është fshirë plotësisht në ndryshimet e reja.
Ekspertët kanë vërejtje serioze edhe për nenin e ri që ka të bëjë me abuzimet në tenderë – neni 353 paragrafi 5, që supozohej të rikthente përgjegjësinë për keqpërdorimet në prokurimet publike.
Neni i ri thotë: “Nëpunësi zyrtar ose personi përgjegjës që në kundërshtim me Ligjin furnizon mallra, shërbime apo punë pa zbatuar procedurën e prokurimit publik kur ka qenë e detyrueshme ta zbatojë, ose bën ndryshime të kontratës së prokurimit publik përtej pragut të përcaktuar me ligj, dënohet me burg nga 1 deri në 8 vjet. Nëse me këtë vepër është përfituar dobi apo shkaktuar dëm i madh material, dënohet me burg nga 4 deri në 10 vjet”. Sipas ekspertëve, me këtë formulim do të jetë pothuajse e pamundur të ngrihen akuza për abuzime në tenderë, sepse manipulimet zakonisht bëhen në mënyra të tjera, për të cilat përfaqësuesit e Byrosë së Prokurimeve Publike kanë paralajmëruar, por duket se vërejtjet e tyre nuk janë marrë parasysh.
Pse ndryshimet nuk u dërguan nga Ministria e Drejtësisë? Ndryshimet u propozuan nga deputetët, jo nga Ministria e Drejtësisë, e cila prej muajsh punon në një version të ri të Kodit Penal. Nga Qeveria për “Fokus” deklaruan se “drafti i Kodit Penal që e përgatit Ministria e Drejtësisë është në fazën përfundimtare. Aktualisht po bëhet harmonizimi me tre direktiva të reja të BE-së. Pasi të përfundojë, duhet dërguar në Komisionin Evropian për mendim dhe më pas të hyjë në procedurën parlamentare”. Ata theksuan se ndryshimet aktuale të shpejta bëhen për zbatimin e projektit “Safe City”, si dhe për rishikimin e veprave “keqpërdorim i detyrës”, “grup i krijuar kriminal” dhe “moskryerja e detyrës”.
Deputeti Lupço Prenxhov, njëri nga propozuesit, ka thënë për mediat se deputetët kanë të drejtë të propozojnë ligje dhe janë udhëhequr nga afati i vendosur nga Gjykata Kushtetuese. Ai shtoi se ndryshimet do të kalojnë përmes procedurës së rregullt dhe do të jenë të hapura për sugjerime dhe vërejtje. Në përmbledhje, propozimi i ri i Kodit Penal ka shkaktuar shqetësim të madh, sepse rrezikon të amnistojë zyrtarët e nivelit të lartë nga llogaridhënia, duke e dobësuar luftën kundër korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. /Koha/






