NJË DENAR MË SHUMË, MIJËRA DENARË NË DIMËR | Cila ngrohje na kushton më pak?

    Një denar më shumë për kilovat-orë nuk tingëllon shumë. Por kur ai denar shumëzohet me një dimër të ftohtë, me metra katrorë dhe me ngrohje të përditshme, shndërrohet në një zë serioz në buxhetin familjar. Pas paralajmërimit të Komisionit Rregullator për Energjetikë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike nga 1 janari 2026, një analizë praktike e gazetës Koha tregon se me çfarë është më lirë ta kalojmë ngrohjen në dimër.

    Analiza është bërë për një banesë prej 50 metrash katrorë, ndërtim i ri, kat i mesëm – një profil banese që e kanë shumë qytetarë në Shkup. Një banesë e tillë gjatë një sezoni ngrohjeje shpenzon rreth 3000 kilovat-orë energji termike.

    Nëse ngrohja bëhet me dru zjarri – ah ose lis, për këtë sipërfaqe nevojiten rreth dy metra kub hapësinorë. Sipas çmimores së Ndërmarrjes së Pyjeve “Pyjet Kombëtare”, kjo do të kushtonte rreth 7900 denarë për gjithë sezonin, ndërsa te tregtarët privatë, me transport të përfshirë, çmimi sillet nga 8200 deri në 9500 denarë. Druri i zjarrit mbetet opsioni më i lirë, por edhe më pak ekologjik.

    Peletët janë një zgjidhje më e pastër dhe më komode, por edhe më e shtrenjtë. Për të njëjtin sezon nevojiten rreth 50 thasë nga 15 kilogramë. Në varësi të çmimit dhe origjinës, ngrohja me pelet kushton nga rreth 10.300 denarë deri në 18.600 denarë për sezon. Diferencën e bën tregu: peletë vendorë apo të importuar. Ngrohja qendrore, të cilën e përdorin mijëra familje në Shkup, faturohet sipas mesatares dhe jo sipas konsumit real. Sipas vendimit të fundit, fatura mesatare mujore është rreth 2330 denarë, apo rreth 13.980 denarë për një sezon ngrohjeje gjashtëmujor.

    Ngrohja me ngrohëse elektrike ose panele elektrike është më e thjeshta, por edhe më e shtrenjta. Për një banesë të tillë, fatura e energjisë elektrike do të arrinte rreth 19.700 denarë për sezon, me rrezik shtesë të kalimit në bllok tarifor më të lartë, gjë që me shtrenjtimin e ri nga viti 2026 mund ta rrisë edhe më shumë shumën. Zgjidhja më ekonomike për këtë lloj banese është kondicioneri inverter. Meqë ai nuk prodhon, por transferon nxehtësi, shpenzon deri në tri herë më pak energji elektrike. Në praktikë, kjo nënkupton një faturë sezonale prej 6500 deri në 7000 denarë. Për banesa të reja dhe të izoluara mirë, inverteri është fituesi i qartë ekonomik.

    E njëjta banesë, i njëjti dimër, por faturat mund të dallojnë edhe me dhjetëra mijëra denarë. Pas shtrenjtimit të paralajmëruar të energjisë elektrike nga viti 2026, vendimi për mënyrën e ngrohjes bëhet edhe më i rëndësishëm. Te banesat e reja dhe të izoluara mirë, më fitimprurëse nuk është ajo që ngroh “më fort”, por ajo që ngroh më mençur.

    Lajmi Paraprak

    MPB merr parasysh ankesat për “Qyteti i Sigurt”, do të ketë tolerancë

    Lajmi i rradhës

    Pse nuk po stabilizohet situata në Kosovë me rrymën?!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë