Nga të dhënat më të fundit të Regjistrit Qendror, rezulton se gjatë një viti në Maqedoninë e Veriut janë mbyllur ose fshirë nga evidenca gjithsej 5.659 kompani, një shifër që tregon dinamikë të lartë, por edhe pasiguri të vazhdueshme në mjedisin e biznesit.
Megjithatë, paralelisht me këtë trend negativ, janë hapur 9.548 firma të reja, çka dëshmon se ekonomia vazhdon të prodhojë iniciativa të reja afariste, edhe pse jo të gjitha arrijnë të mbijetojnë. Sipas strukturës sektoriale, tregtia me shumicë dhe pakicë mbetet sektori më i goditur nga mbylljet, e ndjekur nga sektori i shërbimeve dhe industria përpunuese. Kjo konfirmon se sektorët me konkurrencë më të ashpër dhe me marzhe më të ulëta fitimi janë edhe më të ekspozuar ndaj krizave ekonomike, rritjes së kostove dhe luhatjeve të tregut.
Drejtoresha e Regjistrit Qendror, Anita Stamnova, thekson se aktualisht në vend janë aktive rreth 80.000 kompani, ndërsa një zhvillim pozitiv është rritja prej 40 për qind e numrit të subjekteve që dorëzojnë llogaritë vjetore në mënyrë elektronike.
Sipas saj, bizneset po largohen gradualisht nga dokumentacioni në letër dhe po orientohen drejt operacioneve të dixhitalizuara.
“Kemi rritje të numrit të kompanive të hapura krahasuar me ato të mbyllura, si dhe interes të dukshëm për shërbime elektronike dhe procedura të dixhitalizuara”, thekson Stamnova.
Në këtë drejtim, një hap i rëndësishëm lehtësues për bizneset është edhe ndërlidhja elektronike mes Administratës Doganore dhe Regjistrit Qendror, e cila pritet të reduktojë ndjeshëm burokracinë dhe nevojën që qytetarët dhe kompanitë të lëvizin nga një sportel në tjetrin për dokumentacion.
Të dhënat krahasuese tregojnë se në vitin 2024 janë mbyllur 3.775 dhe janë hapur 8.247 firma, ndërsa në vitin 2023 janë mbyllur 4.335 biznese dhe janë hapur 8.515. Kjo tregon se edhe pse numri i mbylljeve mbetet i lartë, bilanci neto vazhdon të jetë pozitiv në aspektin e themelimit të kompanive të reja.
Rajoni i Shkupit kryeson për nga numri i bizneseve të mbyllura, çka lidhet drejtpërdrejt me faktin se aty është i përqendruar numri më i madh i subjekteve afariste. Në vitin 2024, rreth 25 për qind e bizneseve të mbyllura ishin tregtare, 14 për qind nga sektori i shërbimeve, ndërsa me nga 9 për qind pasonin industria përpunuese dhe veprimtaritë profesionale e shkencore. Transporti dhe magazinimi, si dhe hoteleria, përbënin nga 6 për qind secili.
Sipas legjislacionit në fuqi, kompanitë që themelohen por nuk kryejnë asnjë aktivitet për një vit dhe nuk dorëzojnë llogari vjetore apo raporte financiare, përballen me procedurë kundërvajtëse dhe gjobë. Nëse një subjekt mbetet joaktiv për tre vite rresht, ai fshihet automatikisht nga Regjistri i Vetëm Tregtar.
Historikisht, tregtia ka qenë sektori me lëvizjet më dinamike si në hapje ashtu edhe në mbyllje. Vetëm në vitin 2022 janë mbyllur 2134 kompani tregtare. Në vendin e dytë renditet industria prodhuese, me 882 kompani të mbyllura po atë vit, ndërsa sektori i hotelerisë pason me 667 biznese që nuk arritën të mbijetojnë. Në ndërtimtari, u mbyllën 506 kompani.
Ekspertët vlerësojnë se kriza ekonomike, mungesa e njohurive menaxheriale, hulumtimi i pamjaftueshëm i tregut, pamundësia për t’u përballur me konkurrencën, mungesa e kapitalit fillestar dhe qarkullimi i pamjaftueshëm financiar janë ndër arsyet kryesore që çojnë drejt mbylljes së bizneseve në Maqedoni vitet e fundit. Në këtë kontekst, shifrat e Regjistrit Qendror japin një pamje të dyfishtë: nga njëra anë, një ekonomi që vazhdon të prodhojë iniciativa të reja afariste, dhe nga ana tjetër, një treg ende i brishtë, ku mbijetesa e biznesit mbetet sfidë serioze pa mbështetje strukturore, planifikim afatgjatë dhe stabilitet ekonomik. /Koha/






