Familjarët e viktimave të tragjedisë së Koçanit marshuan të shtunën për herë të 35-të, duke kërkuar drejtësi për fëmijët dhe të afërmit e tyre që humbën jetën në diskotekën “Pulse” në mars të këtij viti. Ata theksuan se dëshira e vetme për këtë fundvit është që drejtësia për këtë rast të vihet në vend.
Aleksandar Naunov, babai i një vajze 18-vjeçare që humbi jetën në tragjedi, dërgoi një mesazh emocional, duke shprehur dhimbjen për humbjen e vajzës së tij dhe duke kërkuar përgjegjësi për, siç u shpreh ai, dështimet sistemike që çuan në këtë ngjarje tragjike.
“Ne jemi prindërit që nuk do të presin maturë. Nuk do të qëndrojnë krenarë gjatë diplomimit. Nuk do të veshin veshje solemne për dasmë. Nuk do t’i mbajnë në duar nipërit e tyre. Gjithçka që duhej të vijë, na është marrë…Dhimbje nga telefonata e fundit, nga përqafimi i fundit, nga informata se fëmijët tanë kanë humbur jetën në tmerr, në tym, në frikë, të mbetur pa mbrojtje, pa përgjegjësi, pa shpëtim. Shtëpitë e tona janë përplot me heshtje, me dhomat e tyre që mbetën të njëjta, me rroba që ende e mbajnë aromën e tyre, me dhurata që nuk ka kujt t’i dhurohen”, tha Vaska Stojanova, e ëma e një djaloshi që humbi jetën.
Familjarët ritheksuan se nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi dhe përgjegjësi institucionale, derisa rasti të marrë një zgjidhje të plotë ligjore.
Seanca e radhës për këtë çështje pritet të mbahet të hënën, më 29 dhjetor, ku do të vijojë marrja në pyetje e dëshmitarëve.






