Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut vlerëson se lëvizjet e inflacionit do të jenë faktori kryesor që do të ndikojë në vendimet për normat e interesit gjatë vitit 2026. Me fjalë të tjera, nëse inflacioni shfaq tendenca të favorshme dhe të qëndrueshme, mund të pritet një zbutje e caktuar e politikës monetare, përkatësisht ulje graduale e kamatave të kredive. Guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, thekson se për të krijuar hapësirë për uljen e normave të interesit, është e domosdoshme ngadalësimi i inflacionit, proces i cili, sipas tij, duhet të arrihet përmes rritjes së pagave në bazë të proceseve ligjore dhe tregut, e jo përmes vendimeve administrative.
“Stabiliteti i politikës monetare dhe kontrolli i inflacionit janë baza për rritje dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Faktor vendimtar do të jetë mënyra se si do të lëvizin pagat dhe kostot e jetesës gjatë vitit të ardhshëm”, thekson Sllaveski.
Strategjia fiskale e rishikuar për periudhën 2026-2030 parashikon korrigjim të projeksioneve për inflacionin. Për vitin 2025, inflacioni parashikohet në 3.9 për qind, nga 2.8 për qind sa ishte planifikuar fillimisht. Për vitin 2026, projeksioni rritet nga 2 në 2.5 për qind, ndërsa në vitet pasuese pritet stabilizim rreth nivelit prej 2 për qind. Me këto ndryshime, projeksionet qeveritare po afrohen me vlerësimet e Bankës Popullore. Sipas projeksioneve më të fundit makroekonomike të Bankës Popullore për periudhën 2025–2028, inflacioni në vitin 2025 do të jetë mesatarisht 3.9 për qind, për të rënë në 2.5 për qind në vitin 2026 dhe në 2 për qind në afatin e mesëm. Ky stabilizim gradual, sipas Bankës Popullore, do të jetë rezultat i presioneve më të ulëta të çmimeve dhe pritjeve të ankoruara për inflacionin.
Ndërkohë, në seancën e fundit të Bordit Ekzekutiv për Politikën Monetare u vendos që norma bazë e interesit të mbahet e pandryshuar në nivelin 5.35 për qind. Kjo normë është në fuqi që nga shkurti i këtij viti dhe konsiderohet element kyç për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, pasi ajo ndikon drejtpërdrejt në nivelin e normave të interesit në sektorin bankar.
Ekspertët vlerësojnë se shkallët e kamatës ndikohen nga disa faktorë, duke përfshirë normën bazë të Bankës Popullore, lëvizjet e normave të interesit në Eurozonë, konkurrencën në tregun vendor, efikasitetin e bankave dhe mënyrën e menaxhimit të shpenzimeve të tyre. Norma referente e Bankës Qendrore shërben si sinjal për bankat komerciale mbi drejtimin e politikës monetare – drejt shtrëngimit apo liberalizimit. Sipas të dhënave të Bankës Popullore, në tetor 2025 norma mesatare e interesit për totalin e kredive ishte 4.82 për qind, krahasuar me 5.39 për qind në tetor 2024. Për kreditë konsumatore, norma ka rënë nga 5.66 në 5.21 për qind, ndërsa për kreditë e sektorit të biznesit nga 5.09 në 4.43 për qind.
Sa i përket kredive të reja, norma mesatare e interesit në tetor 2025 ishte 4.49 për qind, nga 4.81 për qind në tetor 2024. Në sektorin e korporatave u regjistrua rënie nga 4.78 në 4.36 për qind, ndërsa për familjet nga 5.27 në 4.61 për qind në të njëjtën periudhë krahasuese. /Koha/






