Jetojmë më gjatë, por vendi po zbrazet gjithnjë e më shumë: kriza demografike në RMV

    Jetëgjatësia mesatare në Maqedoninë e Veriut është rritur me një vit dhe ka arritur në 76.63 vjet, por vendi vazhdon të përballet me rritje natyrore negative. Në vitin 2024 lindën 16,061 fëmijë, ndërsa vdiqën 20,201 persona, çka do të thotë një rënie e popullsisë prej 4,140 banorësh, përcjell Nistori.

    Rritje natyrore pozitive pati vetëm rajoni i Shkupit, ndërsa në të gjitha rajonet e tjera numri i vdekjeve e tejkaloi ndjeshëm numrin e lindjeve.

    Sipas të dhënave nga “Vjetari Statistikor i Republikës së Maqedonisë së Veriut 2025”, i publikuar nga Enti Shtetëror i Statistikave, jetëgjatësia është rritur nga 75.32 vjet në vitin 2023 në 76.63 vjet në vitin 2024. Gratë jetojnë mesatarisht 78.86 vjet, ose gati katër vjet e gjysmë më shumë se burrat, jetëgjatësia e të cilëve është 74.48 vjet.

    Prej vitit 2019 e këtej, vendi ka rritje natyrore negative. Vetëm në vitin 2024, numri i lindjeve të gjalla u ul me pothuajse 700, nga 16,737 në vitin 2023 në 16,061, ndërsa numri i vdekjeve arriti në 20,201.

    Rritja natyrore sipas rajoneve dhe komunave

    Vetëm rajoni i Shkupit pati rritje natyrore pozitive. Në katër rajone — Pelagonia, Vardari, Lindja dhe Juglindja — rritja negative për 1,000 banorë ishte mbi 4, pothuajse dyfishi i mesatares kombëtare prej 2.3.

    Në Shkup, rritja më e lartë natyrore u shënua në Saraj (+8.4) dhe Çair (+5.5 për 1,000 banorë), ndërsa më e ulëta në Kisella Vodë (-4.2) dhe Karposh (-3.9).

    Në nivel shtetëror, rritja më e lartë natyrore ishte në Haraçinë (+10.5), Studeniçan (+9.7), Saraj (+8.4), Likovë (+6.2), Çair (+5.5), Zelenikovë (+5.3) dhe Shuto Orizari (+5.2).

    Rritja më e ulët natyrore u regjistrua në Novo Sellë (-14.8), Novaci (-13.7), Staro Nagoriçan (-13.6), Kratovë (-12.8), Berovë dhe Çeshinovë-Obleshevë (secila -10.3) dhe Rosoman (-10.2).

    Trendet e lindjeve

    Numri i lindjeve të gjalla ka qenë në rënie të vazhdueshme gjatë dhjetë viteve të fundit, nga 23,002 në vitin 2016. Rënia më e madhe u regjistrua në vitin 2021, kur lindën 18,648 persona dhe vdiqën 28,516, që do të thotë një rënie natyrore prej -9,868 banorësh.

    Nga të gjitha lindjet në vitin 2024, 42.7% ishin të parëlindur, 38.1% të dytëlindur, 13.2% të tretëlindur, 3.7% të katërtëlindur dhe 1% të pestëlindur. Sipas moshës së nënës, 31.8% e fëmijëve lindën nga nëna të moshës 25–29 vjeç dhe 30.8% nga nëna të moshës 30–34 vjeç.

    Shkaqet e vdekjeve

    Shkaqet më të shpeshta të vdekjes ishin sëmundjet e sistemit të qarkullimit të gjakut (36.6%), neoplazmat (19.6%) dhe sëmundjet endokrine, ushqyese dhe metabolike (7.7%).

    Martesat dhe divorcet

    Në vitin 2024, numri i martesave ra me 1,600 dhe arriti në 11,066, ndërsa numri i divorceve u rrit me 259 dhe arriti në 2,024.

    Numri më i lartë i martesave për 1,000 banorë u regjistrua në rajonin e Pollogut (mbi 7.5), ndërsa më i ulëti në Pelagoni dhe Vardar (nën 5.5).

    Mesatarisht, pati 183 divorce për 1,000 martesa. Më shumë divorce për 1,000 martesa u regjistruan në rajonet e Vardarit, Lindjes dhe Juglindjes (mbi 200), ndërsa më pak në rajonin Verilindor (nën 140).

    Sipas komunave, numri më i lartë i divorceve për 1,000 martesa ishte në Zërnovcë (888), Llozovë (500), Rosoman (461), Gradsko (437), Dellçevë (386), Dojran (363), Gjevgjeli (319), Kavadar (316) dhe Qendër (308).

    Numri më i ulët u regjistrua në Vevçan dhe Qendër Zhupë (0), Sopisht (26.3), Likovë (32.4), Haraçinë (36), Saraj (44) dhe Pehçevë (45.5).

    Lajmi Paraprak

    Familja dhe dëshmitarët në protestë: dënimi 11 vjet për Faton Lurin quhet i padrejtë dhe i ndikuar

    Lajmi i rradhës

    Dramaturgu i cili ka parë të ardhmen që nuk është njerëzore

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë