Reformat në pritje, integrimi europian në test

    Viti 2026 hapet me pritje të mëdha për thellimin e reformave institucionale dhe për një qartësim më të madh të rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut. Mesazhet që vijnë nga maja e pushtetit tregojnë se fokusi mbetet te sundimi i ligjit, eliminimi i dobësive sistemike dhe ndërtimi i institucioneve që funksionojnë mbi baza evropiane. Presidentja Gordana Siljanovska Davkova vlerëson se vendi duhet të vazhdojë procesin e reformave, duke u përqendruar veçanërisht në drejtësi, arsim, shkencë dhe kulturë. Sipas saj, “ajo që është nisur nuk duhet të mbetet e njëjtë, por duhet të zhvillohet”, sepse reformat, nëse ndalen në mes, humbasin kuptimin dhe efektin e tyre real.

    Duke folur për krizat dhe tragjeditë që kanë tronditur vendin, presidentja thekson se problemet nuk janë individuale, por strukturore.

    “Kur analizojmë rastet më të rënda, gjithmonë arrijmë në përfundimin se problemi është sistemik. Nuk është incident i lidhur me një ose disa individë – duhet të largohen shkaqet”, ka theksuar ajo, duke e lidhur këtë drejtpërdrejt me domosdoshmërinë e reformave të thella institucionale.

    Në këtë drejtim, Siljanovska Davkova e sheh miratimin e Ligjit për Këshillin Gjyqësor si hap kyç, duke e cilësuar atë “fillimin e vërtetë të reformës”, së bashku me Ligjin për Prokurorinë Publike dhe ndryshimet në Kodin Penal.

    Sipas saj, këto ligje krijojnë bazën për një qasje sistematike ndaj funksionimit të institucioneve dhe rekrutimit të kuadrove që “besojnë në atë që është shkruar në ligj”, si standard evropian i sundimit të ligjit. Paralelisht me këtë qasje, qeveria e sheh vitin 2026 si një fazë vendimtare për realizimin e agjendës reformuese dhe për përmirësimin e pozitës së vendit në raport me Bashkimin Evropian. Kryeministri Hristijan Mickoski thekson se pjesa më e madhe e hapave të planifikuar tashmë janë përmbyllur, ndërsa fokusi mbetet te përfundimi i reformave të mbetura dhe koordinimi institucional.

    “Qëllimi ynë është që të kapim hapin dhe të jemi ndër më të mirët në Ballkanin Perëndimor”, ka deklaruar Mickoski, duke shtuar se mbetet në dorën e Bashkimit Evropian nëse do të vlerësojë objektivisht arritjet e vendeve kandidate apo do të lejojë që procesi të mbetet peng i çështjeve bilaterale.

    Ai ka paralajmëruar gjithashtu se në periudhën që vjen do të ketë takime tematike për të analizuar progresin e reformave, për të vlerësuar se çfarë është realizuar dhe çfarë mbetet për t’u përfunduar, duke theksuar se një pjesë e madhe e akteve tashmë janë proceduar në qeveri dhe parlament.

    Përtej reformave ligjore, një nga sfidat më konkrete për funksionimin e shtetit në vitin 2026 mbetet zhbllokimi i institucioneve të pavarura. Zgjedhja e Avokatit të Popullit, e cila ka mbetur pezull për muaj të tërë, shihet si provë e vullnetit politik për kompromis dhe dialog ndërpartiak. Në këtë drejtim, kryeministri ka theksuar se “ky problem duhet të tejkalohet”, duke nënvizuar se bëhet fjalë për një çështje që reflektohet drejtpërdrejt në raportet e Komisionit Evropian për vendin.

    “Nëse të gjithë duam të ecim përpara dhe ta shohim vendin si pjesë të barabartë të Bashkimit Evropian, nuk shoh arsye pse një zgjidhje e tillë të mos mbështetet”, ka deklaruar ai. Edhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka apeluar për përgjegjësi politike, duke theksuar se Avokati i Popullit është “një institucion jashtëzakonisht i rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve” dhe se procesi duhet të zhbllokohet sa më shpejt.

    Në këtë kontekst, viti 2026 paraqitet si vit në të cilin deklaratat politike duhet të përkthehen në veprime konkrete. Testi kryesor për institucionet do të jetë nëse reformat do të prodhojnë rezultate të prekshme dhe nëse procesi evropian do të ecë përpara mbi bazën e meritës dhe standardeve, e jo të mbetet peng i bllokadave politike. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Një tjetër vit me ajër helmues në kryqytet

    Lajmi i rradhës

    Pagat rriten, por shpenzimet në RMV i hanë përfitimet

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë