Xabi Alonso shpjegon arsyen pse e zëvendësoi Viniciusin

    Trajneri i Real Madridit, Xabi Alonso ka zbuluar se Vinicius Junior ishte ai që kërkoi zëvendësim në minutat e fundit të finales së Superkupës së Spanjës.

    Tekniku spanjoll befasoi shumëkënd në minutën e 82-të, kur vendosi ta largojë nga loja Vinicius Jr në stadiumin “Alinma Bank”. Braziliani kishte qenë lojtari më i rrezikshëm i “Los Blancos” në humbjen 3-2, duke shënuar golin e parë për skuadrën e tij në mënyrë spektakolare dhe duke krijuar vazhdimisht raste me shpejtësinë dhe depërtimet e tij nga krahu i majtë.

    Me Real Madridin që po humbiste me një gol dhe fundi i ndeshjes që po afrohej, Vinicius Jr dukej lojtari më i mundshëm për të gjetur golin e barazimit ndaj Barcelonës. Megjithatë, ai u zëvendësua nga Franco Mastantuono, një vendim që la të habitur tifozët madrilenë anembanë botës.

    “Viniciusi ishte shumë i mirë deri në fund. Ai kërkoi të dilte nga loja për shkak të lodhjes. Kishte shumë lagështi”.

    “Ai ishte një kërcënim i vazhdueshëm, goli ishte spektakolar dhe i shkaktoi shumë probleme kundërshtarit në krahun e tij”, shtoi trajneri i Real Madridit.

    Numri 7 i madrilenëve e fitoi qartë duelin me Jules Kounde gjatë gjithë ndeshjes, duke e kaluar vazhdimisht qendërmbrojtësin francez me shpejtësinë e tij. Vinicius Jr madje e turpëroi mbrojtësin e Barcelonës, në aksionin që i parapriu golit të tij individual mbresëlënës.

    Ky realizim ishte kontributi i 16-të i Vinicius Jr me gol ose asist në 15 finale të zhvilluara me fanellën e Real Madridit, duke barazuar rekordin historik të klubit që mbahej nga Cristiano Ronaldo, Karim Benzema dhe Ferenc Puskas. Njëkohësisht, goli i dha fund edhe një serie prej 16 ndeshjesh pa shënuar për yllin brazilian./Telegrafi/

    Lajmi Paraprak

    Zhurma në veshë dhe marramendja mund të jenë reagim ndaj 5 llojeve të barnave

    Lajmi i rradhës

    Sa do t’i kushtonte Grenlanda Trump-it në rast të një blerjeje?

    Bashkohu

    Informohu në kohë