Pas fitores së mbrëmshme të koalicionit të Aleancës Kombëtare për Integrim në komunën e Vrapçishtit dhe të Gostivarit, Arben Taravari nga ky koalicion tha se pret zgjedhje të parakohshme parlamentare. Sipas tij, zgjedhjet do të mbaheshin në maj ose tetor të këtij viti, përcjell Nistori.
“Aleanca Kombëtare për Integrim u tregua se bashkë mund të bëjmë rezultate të jashtëzakonshme dhe kjo më është një frymë e re e cila besoj se do të vazhdojë në zgjedhjet parlamentare të cilat unë i pres në 2026-tën, ndaq ato të mbahen në maj apo në tetor”, tha mes tjerash Taravari.
I pyetur për këtë, Amir Elezi nga koalicioni VLEN në Click Plus në TV21 tha se janë të gatshëm për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Ne sigurisht që pajtohemi dhe jemi të gatshëm të shkojmë prapë në zgjedhje. Unë nuk di me çfarë analitike kërkojnë të shkojnë prapë në zgjedhje kur i kanë humbur të gjitha komunat dhe të bëjnë përsëri një aventurë të tillë ata dhe të thirren sikurse duhen zgjedhje të reja, është jo e hijshme. Ja të parashtroj një pyetje, ku do të fitojnë? Në zonën 1, nuk kanë asnjë komunë që menaxhojnë, në zonën 6 janë të izoluar në terma politik dhe gjeografik tashmë kanë vetëm Vrapçishtin dhe Gostivarin, në zonën 5 është e njëjta situatë, ku pretendojnë se do të fitojnë?”, theksoi Elezi.
Elezi tha se pavarësisht fitores së AKI-së në zgjedhjet e përsëritura në Gostivar dhe Vrapçisht, VLEN-i shënoi fitore në zgjedhjet lokale, pasi fitoi 10 komuna.
“VLEN del nga ky proces zgjedhor me 10 komuna të fituara dhe si partia e dytë në nivel të shtetit me numër të fituar të komunave pas VMRO-DPMNE-së, për fat të keq, edhe pse patëm një program të mirë zgjedhor dhe kandidatë të spikatur edhe në Vrapçisht, por edhe në Gostivar, verdikti i qytetarëve është i tillë që nuk fituan kandidatët tanë”, shtoi Elezi.
Elezi tha se edhe në zgjedhjet e sotme, edhe pse nuk arriti të shënojë fitore, VLEN e ka rritur votën në Gostivar dhe Vrapçisht.
“Duke iu referuar zgjedhjeve të kaluara, dmth Valbon Limani ka pasur 17,000 vota, ndërkaq VLEN-i ka pasur 4,000 vota, dhe në rast se i shohim këto rezultate, VLENi ka rritje të performancës dhe të rezultateve. E pakontestueshme është që fiton AKI-ja dhe kandidati i tyre, shqetësuese për AKI-në është se ka rënie të votave, edhe në Vrapçisht, por edhe në Gostivar. VLEN-i ka rritje. Për ne është inkurajuese që kemi rritje të performancës dhe të votave, sigurisht ndihim në këtë rezultat ka ndoshta edhe kandidatura e Nevzat Bejtës”, deklaroi Elezi. /Nistori/






