Kompania për menaxhimin e mbeturinave “Saubermacher Tetovë” njofton se grumbullimi i mbeturinave komunale në qendrën turistike Kodra e Diellit realizohet rregullisht dhe në përputhje me planin operativ të paraparë, ndërsa vonesat eventuale lidhen kryesisht me kushtet klimatike dhe qasjen rrugore. Sipas kompanisë, orari i rregullt i grumbullimit është çdo të premte dhe çdo të hënë pasdite. Gjatë sezonit dimëror dhe pushimeve të dimrit, mbeturinat mblidhen çdo ditë pas orës 15:00, ndërsa gjatë fundjavave dhe festave shtetërore pas orës 19:00, për shkak të fluksit të shtuar të vizitorëve.
Nga “Saubermacher” sqarojnë se më 11 janar 2026, për shkak të reshjeve të borës dhe rrugëve të pakalueshme, kishte ndalim qarkullimi për kamionët, gjë që pamundësoi qasjen në lokacion. Edhe më 12 janar, kamioni i grumbullimit mundi të arrinte në Kodrën e Diellit vetëm pas orës 15:00.
“Rreth orës 13:00, ekipi ynë me kamionin special tentoi të ngjitej drejt lokacionit, por për shkak të trafikut të rënduar dhe rrugëve të pakalueshme, policia ndaloi qarkullimin dhe e udhëzoi ekipin të parkojë në hapësirat e ndërmarrjes ‘Rrugët e Maqedonisë’, ku qëndruam mbi dy orë. Menjëherë sapo u krijuan kushtet, pas orës 15:00, u arrit në lokacion dhe të gjithë kontejnerët u zbrazën, ndërsa zona u pastrua plotësisht”, theksojnë nga kompania. Nga “Saubermacher Tetovë” rikujtojnë se gjatë gjithë periudhës dimërore grumbullimi i mbeturinave kryhet çdo ditë, por funksionimi normal i shërbimit varet drejtpërdrejt nga qasja rrugore dhe respektimi i rregullave të trafikut.
Në fund, kompania u bën apel qytetarëve dhe vizitorëve që të tregojnë kujdes gjatë hedhjes së mbeturinave, veçanërisht kur kontejnerët janë të mbushur, duke mos lënë mbeturina përreth tyre. Po ashtu, kërkohet që të mos parkohen automjete pranë ose përpara kontejnerëve, pasi bllokohet qasja për kamionët e grumbullimit. “Vetëm me bashkëpunim dhe respektim të rregullave mund të sigurohet funksionim i pandërprerë dhe i rregullt i shërbimit komunal”, thuhet në njoftimin e kompanisë.






