Ilir Demiri sqaron votën për “Qyteti i Sigurt”: nuk jam në politikë kundër qytetarëve

    Deputeti i pavarur Ilir Demiri ka reaguar publikisht pas polemikave rreth emrit të tij dhe votës për projektin “Safe City”. Ai shprehet se ndjen “obligim moral të sqaroj publikisht se: unë, Ilir Demiri, nuk kam hyrë në politikë kundër qytetarëve, as për t’u bërë pengesë e tyre. Jam këtu për të qenë urë lidhëse mes qytetarit dhe institucioneve”, përcjell Nistori.

    Demiri thekson se politika “nuk ka qenë dhe nuk është profesion, por mjet shërbimi” dhe se ky angazhim nuk ka ardhur “për përfitime personale apo interesa të ngushta, por si rezultat i një rruge jetësore dhe profesionale të ndërtuar mbi përgjegjësi dhe shërbim ndaj komunitetit dhe shoqërisë”.

    Ai kujton profesionin e tij si mjek: “Që nga fillimi i karrierës sime si mjek, jam betuar se do t’i shërbej qytetarit pa dallim nacionaliteti apo feje, sepse mbi çdo identitet qëndron dinjiteti njerëzor. Ky parim ka qenë udhërrëfyesi im profesional dhe mbetet i pandryshueshëm edhe sot dhe do të mbetet i tillë deri në fund”.

    Për detyrën e tij si drejtor i Spitalit Klinik të Tetovës, Demiri shprehet: “Së bashku me kolegët dhe stafin, filluam nga gjërat elementare: ndalimin e uzurpimeve të pronës së spitalit, rregullimin e çështjes së parkingut, sistemimin e hapësirave, sigurimin e aparaturave të reja, vendosjen e rendit dhe funksionalitetit që i takon një institucioni shëndetësor. Këto përpjekje janë vlerësuar pozitivisht nga ju, qytetarët, dhe unë besoj se kam dhënë një kontribut të ndershëm për Spitalin e Tetovës”.

    Demiri shpjegon arsyet e hyrjes në politikë: “I inkurajuar nga puna dhe përgjegjësia e treguar, e pashë të domosdoshme ta çoj më tej zërin e drejtësisë. Prandaj vendosa të garoj për deputet dhe, falë votës suaj u zgjodha deputet i Parlamentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Që nga dita e betimit, e kam marrë seriozisht rolin që më besuat: të jem zëri i qytetarit të ndershëm në Kuvend”.

    Ai mohon pretendimet për votën e tij: “Pretendimi se vota ime ka qenë kundër shqiptarëve është i pavërtetë, i pabazuar dhe shumë naiv”. Demiri thekson gjithashtu se projekti “Safe City” nuk targeton asnjë komunitet: “Statistikat zyrtare sipas të dhënave nga Regjistrimi i Popullsisë në vitin 2021, tregojnë qartë se ky projekt nuk targeton asnjë komunitet, por zbatohet në qytetet më të mëdha, për të gjithë qytetarët”.

    Ai sqaron motivimin e tij për të votuar pro projektit: “Qëndrimi im pro Safe City buron nga bindja ime se ky projekt nuk është në dëm të qytetarëve, por përkundrazi kontribuon në rritjen e rendit dhe sigurisë publike. Për këtë qëndrim timin, nuk ka pasur asnjë presion ndaj meje, sepse as nuk do ta kisha lejuar një gjë të këtillë kurrë dhe për asgjë”.

    Deputeti thekson pavarësinë e tij: “Ashtu siç jam deklaruar më herët, vazhdoj të veproj si deputet i pavarur. Askush nuk mund të më kërcënojë, bindë apo joshë për të vepruar kundër interesit të qytetarëve. Nuk bie pre e inxhinierive politike dhe përpjekjeve për njollosje, sepse jam i bindur se e vërteta gjithmonë del në dritë”.

    Ai premton se do të vazhdojë mbrojtjen e qytetarëve: “Ju siguroj se unë do të vazhdoj të qëndroj në anën e qytetarit, me ndërgjegje të pastër dhe me përgjegjësi të plotë morale”. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Prindërit e viktimave mohojnë akuzat e avokates Kocevska për keqpërdorim të imazhit në protestë

    Lajmi i rradhës

    Studimi: ndotja nga grimcat në Ballkan është më e larta në Europë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë