Maqedonia e Veriut ende nuk ka marrë përgjigje nga pala bullgare për kërkesën për takim dypalësh, të cilën kryeministri Hristijan Mickoski thotë se e ka dërguar pas bisedës me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Mickoski tha se, pas këshillës së Von der Leyen, e ka ngarkuar ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, që të kërkojë takim me palën bullgare, por deri tani nuk ka ardhur përgjigje. “E luta ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të kërkojë takim. Ai e bëri këtë, por ende nuk kemi përgjigje. Pasi të marrim përgjigje, atëherë do të mund të komentojmë më shumë”, tha Mickoski.
Duke folur për qëndrimet e ndryshme lidhur me Car Samoilin, kryeministri tha se nuk e di saktësisht se cilave dallime u referohet pala bullgare. Ai përmendi edhe Marrëveshjen e Bledit, duke theksuar se marrëveshjet e së kaluarës duhet të merren parasysh në raportet mes dy vendeve.
“Në njëfarë mënyre kemi kujtesë selektive, sikur në drekë të shërbehemi me atë që duam, ndërsa atë që nuk duam ta lëmë mënjanë. Prandaj, edhe ato marrëveshje duhet pak ta freskojnë kujtesën, në nivel rajonal”, tha Mickoski. Ai përmendi edhe informacionet për relikte nga kisha “Shën Bogorodica” në Ohër, për të cilat, sipas tij, ekzistojnë pretendime se gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore janë marrë dhe dërguar në kryeqytetin e Bullgarisë. Sipas Mickoskit, këto çështje tashmë janë pjesë e shkëmbimeve, por ai nuk deshi të japë më shumë detaje.
JOTOVA: PA ULTIMATUME
Nga pala bullgare, presidentja Ilijana Jotova tha se rruga e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian nuk kalon përmes ultimatumeve dhe premtimeve, por kërkon dialog të sinqertë. Duke komentuar kërkesën e Shkupit për takim, Jotova tha se është “e moderuar optimiste” dhe se do t’i kërkojë ministres bullgare të Punëve të Jashtme, Petkova-Çamova, që t’ia tregojë kërkesën për takim në Sofje. Jotova tha se nuk i di detajet e bisedës mes Von der Leyen dhe Mickoskit, por shpreson që presidentja e Komisionit Evropian “këtë herë të ketë qenë jashtëzakonisht e prerë”.
“Për ky takim të jetë serioz, Mickoski duhet ta lexojë shumë mirë politikën evropiane në lidhje me zgjerimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të harrojë se kjo është çështje dypalëshe, siç përpiqet ta paraqesë. Ne gjithmonë kemi qenë të hapur për bisedime me ta, por bisedime pa ultimatume dhe pa devijuar nga politika evropiane”, tha Jotova. Ajo shtoi se Bullgaria është pjesë e Bashkimit Evropian dhe se, sipas saj, nuk mund të lejohet që një vend që ka nisur rrugën evropiane të mos i pranojë vlerat e BE-së dhe “aq më pak të flasë me ton ultimativ”.
FILIPÇE: “PROPAGANDA E QEVERISË KA RËNË”
Në debatin e brendshëm politik, lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, e cilësoi vizitën e Von der Leyen në Shkup si dëshmi se identiteti dhe gjuha maqedonase janë të mbrojtura në kuadër të procesit evropian. Sipas Filipçes, deklaratat e presidentes së Komisionit Evropian e kanë rrëzuar narrativën e qeverisë së Mickoskit për procesin e integrimit.
“Nuk ka çfarë të gënjejë më Hristijani, sepse e vërteta është se identiteti dhe gjërat e tjera janë të mbrojtura. Mickoski nuk është i kënaqur me takimin, sepse Von der Leyen e nxori në pah gënjeshtrën e Mickoskit, nuk ka më çfarë të gënjejë”, tha Filipçe.
Ai e akuzoi qeverinë se më herët kishte pretenduar se protokollet janë pjesë e kornizës negociuese, ndërsa tani, sipas tij, ka ndryshuar qëndrim. “Kanë gënjyer se protokollet janë pjesë e kornizës negociuese, që sot, katër vjet pasi duhej të nisnin bisedimet me BE-në, tani thonë se protokollet nuk janë pjesë e kornizës negociuese. A ka ende dikush që ju beson?”, deklaroi lideri i LSDM-së.
BORISOV: TË RESPEKTOHET MARRËVESHJA
Ndërkohë, lideri i GERB-it dhe ish-kryeministri bullgar, Bojko Borisov, tha se duhet të zbatohet Marrëveshja për Fqinjësi të Mirë dhe Miqësi mes dy vendeve dhe se Bullgaria nuk kërkon asgjë më shumë. “Ka një marrëveshje të nënshkruar nga unë dhe kryeministri i tyre. As ne, as Komisioni Evropian nuk duam asgjë më shumë se respektimin e kësaj marrëveshjeje. Ne nuk jemi armiq, përkundrazi”, tha Borisov.
Sipas tij, me Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë dhe me propozimin francez, çështja është e qartë. “Ne nuk jemi armiq, përkundrazi. Nëse ata e kuptojnë fqinjësinë ashtu siç e kuptojmë ne, nuk do të kenë asnjë problem”, shtoi Borisov.
Përndryshe, presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës në Shkup dha mesazhe për vazhdimin e dialogut me Sofjen, në mënyrë që të zhbllokohet rruga evropiane e vendit. Ajo tha se Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojë të punojë me Bullgarinë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura dhe për përmbushjen e hapave të nevojshëm në procesin e integrimit. Von der Leyen theksoi se vendi ka një perspektivë të qartë evropiane dhe se çështjet dypalëshe duhet të trajtohen përmes dialogut dhe në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore. (koha)




