Dibra po zbrazet në heshtje

    Dibra njihet si një qytet ku migrimi ka prekur pothuajse çdo familje. Prej dekadash, dibranët kanë ndjekur rrugën e mërgimit, veçanërisht drejt ShBA-së, por edhe drejt vendeve të BE-së, si Italia, Gjermania, Zvicra dhe shtete të tjera. Në ShBA, për dibranët flitet shpesh si për një “Dibër të dytë”, për nga numri i madh i mërgimtarëve të vendosur atje.

    Megjithatë, vitet e fundit, migrimi nga Dibra ka marrë forma të reja dhe nuk lidhet më vetëm me arsyet ekonomike, siç ndodhte më parë. Dikur, largimi niste me një valixhe dhe me shpresën për një punë më të mirë. Sot, drejtimet dhe motivet janë më të shumta. Një nga arsyet kryesore të emigrimit është martesa. Kjo dukuri ka marrë hov vitet e fundit, sidomos mes të rinjve nga Dibra dhe dibranëve të vendosur prej vitesh në Amerikë dhe në vendet evropiane. Përveç martesave, një pjesë e të rinjve nisin rrugën e emigrimit përmes kontratave të punës ose lejeve të qëndrimit.

    Emigrimi, pra, nuk është më vetëm ekonomik. Dibranët nuk largohen më vetëm për të “provuar fatin”, por për të ndërtuar një jetë të qëndrueshme jashtë kufijve. Martesa është shndërruar në një nga format më të qëndrueshme të emigrimit, veçanërisht për gratë. Bashkimi familjar dhe martesat me emigrantë shqiptarë të vendosur jashtë vendit prej vitesh, kanë krijuar një emigrim të heshtur, por afatgjatë, shpesh për jetë, pasi atje krijohen familje dhe rrënjë të reja.

    “Është një miks arsyesh, me theks te pabarazia dhe mungesa e perspektivës, që ka sjellë këtë valë masive largimi”, shprehen përfaqësues të organizatave joqeveritare në Dibër. Sipas tyre, vitet e fundit vihet re se pjesa më e madhe e lejeve të qëndrimit lidhet me bashkimin familjar, më pas me punësimin dhe shumë më pak me studimet, veçanërisht në vendet e Bashkimit Evropian. Ndërkohë që meshkujt largohen kryesisht për punë, vajzat, në një pjesë të rasteve, largohen përmes martesave.

    Fatjoni, 28 vjeç, i diplomuar dhe i papunë, tregon arsyet e largimit të tij. “Po largohem për shkak të mungesës së punës dhe pagave të ulëta. Tani, me ndihmën e një të afërmi, kam siguruar punë dhe qëndrim. Kam dhënë edhe provimin e gjuhës gjermane dhe së shpejti do të shkoj në Gjermani me leje qëndrimi. Më vonë do të marr edhe familjen time”, thotë ai.

    Për shumë të rinj dibranë, Italia, Gjermania dhe Austria mbeten destinacionet më të preferuara, për shkak të afërsisë gjeografike dhe pranisë së familjarëve. Këto vende shihen si zgjedhje për punë afatgjata dhe stabilitet ekonomik. Nga organizatat joqeveritare ngrihet shqetësimi edhe për largimin e fuqisë punëtore të kualifikuar. “Po përballemi me largimin masiv të zanatçinjve si hidraulikë, elektricistë, berberë, por edhe të infermierëve dhe punonjësve shëndetësorë, gjë që krijon mungesa serioze në këto profesione”, theksojnë ata.

    Dibra, Qendër Zhupa dhe Mavrovë-Rostusha mbeten zona nga ku njerëzit nisen jo gjithmonë për t’u kthyer, por për të gjetur atë që u mungon: punë, siguri dhe një të ardhme më të mirë. Këto komuna janë shndërruar gjithnjë e më shumë në zona sezonale, që gjallërohen vetëm gjatë verës dhe festave të fundvitit, kur mërgimtarët kthehen përkohësisht në vendlindje. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    “Duhet të përgatitemi për çdo gjë” – A do të mbetet Ohri nën mbrojtje të UNESCO-s?!

    Lajmi i rradhës

    Kush e ka në dorë gjyqësorin?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë