Pas 50 ditësh nga publikimi i asaj që i quan “skandalet e para” dhe “bombat” e Antikorrupsionit, institucionet kompetente vazhdojnë të heshtin, akuzon opozitarja Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM). Zëdhënësja e kësaj partie, Bogdanka Kuzeska, në një konferencë për media alarmoi se as Prokuroria Publike, as Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, e as Policia Financiare nuk kanë reaguar ndaj një sërë pretendimesh të publikuara nga Antikorrupsioni i LSDM-së, të cilat, sipas saj, janë të mbështetura me dokumente, shifra dhe prova konkrete.
“Kanë kaluar 50 ditë nga publikimi i skandaleve të para, por nuk ka asnjë reagim nga asnjë institucion. Zëri nuk po arrin te Prokuroria për skandalet milionëshe dhe tenderët kriminalë të pushtetit. Ka vetëm heshtje”, deklaroi Kuzeska.
Sipas saj, këto raste dëshmojnë një model të qartë të, siç u shpreh ajo, “ndarjes së tenderëve brenda koalicionit tenderues VMRO–ZNAM”, ku kompani pa përvojë dhe kapacitet fitojnë kontrata milionëshe nga institucionet shtetërore dhe komunale. “Janë ndarë tenderë në vlerë prej 9 milionë eurosh për një kompani të themeluar në vitin 2024, pa histori dhe pa përvojë relevante, me vetëm dy të punësuar. As për këtë rast nuk ka reagim nga Prokuroria”, theksoi Kuzeska. Ajo shtoi se Antikorrupsioni i LSDM-së ka zbuluar edhe 161 tenderë të përfituar nga një kompani familjare e lidhur me Tomovskin, në vlerë totale prej 5.3 milionë eurosh. “Edhe këtu, zëri nuk po arrin te Prokuroria”, nënvizoi ajo.
Në konferencën për media u përmend edhe rasti i hyrjes së kapitalit të dyshimtë përmes një banke, për të cilën Kuzeska tha se është ndaluar nga Banka Qendrore Evropiane për hyrje në Bashkimin Evropian për shkak të dyshimeve serioze për prejardhjen e kapitalit dhe për pastrim parash. “Pavarësisht këtyre dyshimeve serioze dhe faktit se në këtë bankë ekziston një strukturë e tërë e VMRO-së, nuk ka asnjë reagim institucional”, deklaroi ajo. Kuzeska përmendi edhe raste të tjera të ngjashme, përfshirë tenderë në vlerë prej 1.2 milionë eurosh të dhënë kompanive me vetëm tre të punësuar, si dhe publikimin e dokumenteve dhe letrave nga sinjalizues për një tender prej 1.2 milionë eurosh të dhënë një kompanie të afërt me partinë ZNAM në Postën e Maqedonisë.
Sipas zëdhënëses së LSDM-së, një nga rastet më serioze lidhet me kompaninë “Piramid Building Solutions”, e cila, siç u shpreh ajo, është favorizuar në mënyrë sistematike në komuna që udhëhiqen nga VMRO-DPMNE. “Bëhet fjalë për 51 tenderë nga komunat, në vlerë prej 16 milionë eurosh para publike. Pronari i kompanisë ka qenë anëtar i Këshillit Zgjedhor të VMRO-DPMNE-së, ndërsa rrjeti i tenderëve është zgjeruar përmes kompanive familjare dhe partnere”, deklaroi Kuzeska.
Ajo shtoi se, sipas pretendimeve të Antikorrupsionit të LSDM-së, e gjithë kjo rrjetë “çon drejtpërdrejt në kabinetin e kryeministrit Hristijan Mickoski dhe të Vladimir Nelloskit”, duke ngritur dyshime serioze për ndikim politik në ndarjen e kontratave publike.
“Nuk ka asnjë zë që po arrin te institucionet, pavarësisht fakteve, dokumenteve, shifrave dhe provave të publikuara. Kjo është arsyeja pse pushteti, sipas nesh, po tenton të marrë kontrollin mbi gjyqësorin dhe prokurorinë, për t’u shpëtuar përgjegjësive për tenderët kriminalë”, tha Kuzeska. Ndërkohë, nga partia në pushtet VMRO-DPMNE reaguan ndaj akuzave të LSDM-së, duke i hedhur poshtë pretendimet dhe duke kundërakuzuar opozitën. Nga VMRO-DPMNE theksuan se kanë ndjesinë se LSDM është “jashtëzakonisht e ndjeshme”, ndërsa shtrojnë pyetjen nëse kjo ndjeshmëri vjen nga frika për t’u përballur me përgjegjësinë penale për veprimet e së kaluarës.
Sipas partisë në pushtet, gjatë shtatë deri në tetë viteve të fundit, LSDM, së bashku me partnerin e koalicionit Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), e kanë kontaminuar sistemin e drejtësisë, duke infiltruar kuadro partiake në prokurorinë dhe gjyqësorin e Maqedonisë së Veriut. “LSDM dhe BDI e shkatërruan drejtësinë – nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve Publikë, deri te Prokurori Publik i Shtetit dhe gjyqtarët e Gjykatës Supreme, një sistem që sot ka vetëm dy për qind besim nga qytetarët. Funksionarët e tyre, për të cilët kishte dyshime për krim dhe korrupsion, nuk u thirrën as për bisedë, e as u dënuan”, thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.
Në të njëjtën kohë, nga kjo parti theksojnë se sot, ndryshe nga e kaluara, “kuadrot e VMRO-DPMNE-së nuk izolohen nga përgjegjësia, nëse për këtë ka prova konkrete”. Nga VMRO-DPMNE u sigurojnë qytetarët se nuk do të ndjekin hapat e LSDM-së dhe BDI-së, por, siç theksojnë, rrugën e drejtësisë dhe të përgjegjësisë.
“Nuk guxon që dikush që ka kryer krim të mbrohet nga drejtësia në shtet”, thuhet në reagimin e partisë në pushtet. Përndryshe, çështja e ndikimit politik në gjyqësor nuk është e re në Maqedoninë e Veriut. Gjatë dekadës së fundit, raportet e organizatave ndërkombëtare dhe të Bashkimit Evropian kanë theksuar vazhdimisht nevojën për forcimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe rritjen e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë, i cili mbetet i ulët. Përplasjet aktuale mes partive politike vetëm sa e thellojnë këtë debat. /Koha/






