Arkivi i Shtetit, në kaos arkivor dhe financiar

    Raporti i fundit i Revizionit ka konstatuar një zinxhir parregullsish në punën dhe funksionimin e Arkivit të Shtetit, duke filluar nga mungesa e kushteve elementare në depot për materialin arkivor e deri tek transparenca financiare dhe punësimet. Raporti për vitin 2024 liston mangësi në mënyrën e inventarizimit të mjeteve dhe detyrimeve dhe mosrakordim i gjendjes kontabël me gjendjen faktike të konstatuar me inventarizim. Për një pjesë të objekteve në pronësi të Arkivit nuk ka dëshmi nëse të njëjtat janë të evidentuara në librat afaristë dhe nuk janë ndërmarrë aktivitete për sigurimin e mjeteve afatgjata, nuk bëhet evidentim i rregullt dhe kronologjik i lëvizjes së stokut të botimeve të publikuara. Mosplotësim i kushteve themelore që duhet t’i plotësojnë depot e Arkivit, me qëllim mbrojtjen e materialit arkivor, si dhe kushteve për mbrojtje nga qasja e paautorizuar në materialin arkivor dhe dokumentar.

    Mangësi në përllogaritjen e pagave, ndërsa në mungesë të revizionit të brendshëm, mekanizmit për përmirësimin e proceseve të punës dhe forcimin e kontrolleve të brendshme nuk funksionon. Raporti ngre pikëpyetje për realitetin dhe objektivitetin e pasqyrave financiare të Arkivit, si dhe për pajtueshmërinë me rregulloret ligjore, udhëzimet dhe politikat e përcaktuara.

    “Disa nga depot ndodhen në afërsi të zonave ujëmbledhëse dhe shtratit të lumit, instalimet elektrike nëpër depo janë të vjetra dhe nuk janë të siguruara siç duhet, muret e depove janë të çara nga lagështia dhe çatia rrjedh, ndërsa dyshemetë janë të vjetra, linoleum, një pjesë e të cilit është e plasaritur,,,, Gjendjet tregojnë se Arkivi, si institucion me veprimtari me rëndësi të jashtëzakonshme kombëtare dhe që përfaqëson një thesar historik të materialit arkivor dhe dokumentar nuk disponon hapësira që i përmbushin kushtet themelore për vendosjen, ruajtjen dhe mbrojtjen e tyre, dhe ekziston mundësia që siguria e tyre të rrezikohet. Për shkak të vjetërsisë dhe amortizimit të pajisjeve, ekziston rrezik i lartë i prishjes dhe nxjerrjes së tyre jashtë përdorimit, dhe rrjedhimisht edhe rreziku i humbjes së përhershme të të dhënave të futura deri më tani për të gjithë materialin arkivor dhe dokumentar që posedon Arkivi Shtetëror”, konstatojnë revizorët.

    Në raport evidentohet se raftet dhe kasetat nuk janë të shënuara me numra romakë, rreshtat nuk janë të shënuar nga lart poshtë me numra arabë dhe ndarjet nuk janë të shënuara me shkronja të vogla sipas rendit alfabetik, me qëllim lehtësimin e vendosjes dhe gjetjes së materialit arkivor dhe dokumentar. Për shkak të mungesës së hapësirës për sistemimin e materialeve arkivore, një pjesë e tyre ruhen jashtë rafteve, në dysheme. Situate është thuajse e pandryshuar prej afro dhjetë vitesh në Arkivin e Shtetit, në qendër dhe degët në Prilep dhe Manastir, që nga viti 2026, 2018 dhe në raportin e fundit (2024) Revizioni cek se nga nëntë rekomandimet e bëra prej tyre për të përmirësuar gjendjen, Arkivi ka zbatuar vetëm dy, katër rekomandime janë zbatuar pjesërisht dhe tre rekomandime janë në proces të zbatimit. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Maqedoni, vajzat mësojnë, por nuk arrijnë në karrierat STEM

    Lajmi i rradhës

    250 mijë euro për 83 metra katrorë! Çmimet stratosferike në rajon

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë