Transformimi i koalicionit VLEN në një parti të vetme ka hapur një krizë të re politike, e cila mund të reflektohet edhe në stabilitetin e koalicionit qeveritar. Lufta për kryetarë, kërcënimet me dalje nga koalicioni dhe sinjalet për dorëheqje nga posti i kryeparlamentarit po e shndërrojnë projektin politik të VLEN në një fushë minash politike, duke vënë në pikëpyetje stabilitetin e shumicës qeveritare. Dy liderët kryesorë të koalicionit, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, thuhet se janë pajtuar që partia e re të ketë dy funksione të barabarta kryetari, duke ndarë pushtetin mes partive të tyre. Ky model, sipas tyre, pasqyron barazinë e partnerëve më të mëdhenj.
Megjithatë, kjo ofertë është kundërshtuar nga Alternativa dhe kryeparlamentari Afrim Gashi, i cili e sheh si minimizim të rolit të partisë së tij dhe si shkelje të parimit të konsensusit. Gashi ka paralajmëruar se nëse marrëveshja mbetet e pandryshuar, Alternativa jo vetëm që nuk do të bëhet pjesë e partisë së re, por edhe do të prishë bashkëpunimin me koalicionin “VLEN”. Ai madje ka deklaruar se mund të japë dorëheqje nga posti i kryeparlamentarit, duke e bërë situatën edhe më të ndjeshme për funksionimin e parlamentit. Një dorëheqje e Gashit do të sillte tensione të reja në Parlament dhe mund të ngadalësonte procesin ligjvënës.
Në këtë kontekst, edhe zv/kryeministri për qeverisje të mirë dhe transparencë, Arben Fetai në një paraqitje televizive në TV21 theksoi se barazia mes katër partive është një parim themelor, duke shpjeguar se “pjesa e VLEN-it është e ndarë në katër të katërtat”.
“Ekzistojnë disa parime. I pari është barazia e katër subjekteve; siç e dini, pjesa e VLEN-it është e ndarë në katër çerek. Dhe ky është një parim bazë për mua. Kjo është formula e vërtetë e suksesit të VLEN-it, si në zgjedhjet parlamentare ashtu edhe në ato lokale”, deklaroi Arben Fetai cili udhëheq me strukturën ASh-së së mbetur në VLEN. Për momentin nuk ka sinjale se koalicioni qeveritar do të shpërbëhet menjëherë, por presioni politik është i dukshëm. Zgjidhja kërkon kompromis mes të paktën tre aktorëve kryesorë brenda VLEN, ndërsa pritet që edhe Mickoski të luajë rol në balancimin e situatës.
Politologu Faton Mehmedi për gazetën Koha vlerëson se VLEN aktualisht nuk gjendet në prag të shpërbërjes, por në një “test stresi” të pashmangshëm që vjen me kalimin nga opozita në pushtet. Mehmedi vlerëson se VLEN mund të shndërrohej në një faktor politik afatgjatë vetëm nëse ndodh unifikimi i plotë me të gjitha subjektet, në të kundërtën rrezikohet që ky organizim politik të dështojë.
“Deklaratat e fundit ‘disidente’ (njëri thotë kryetar me rotacion, tjetri dy bashkëkryetarë, i treti thotë se VLEN ka aksione të ndara çerekëshe) nuk duhen lexuar si fundi, por si ‘pazar i brendshëm’ për peshë politike. Rreziku real nuk është zhdukja, por ‘shkrirja’ e identiteteve të partive të vogla brenda një loje ku vetëm më i forti mbijeton- një praktikë e kahmotshme e partive shqiptare”, vlerëson Mehmedi. Sipas tij, ekziston një rrezik real që fraksionet e brendshme të koalicionit të transferohen në korridoret e pushtetit ekzekutiv.
“Kur partnerët e koalicionit komunikojnë përmes mediave dhe jo përmes protokolleve qeveritare, institucionet rrezikojnë të shndërrohen në ‘ishuj partiakë’. Nëse ministritë e drejtuara nga subjekte të ndryshme brenda VLEN-it nuk kanë një koordinim horizontal, rezultati do të jetë një paralizë administrative. Qytetarët nuk do të shohin reforma, por një garë se kush po e ‘shet’ më mirë suksesin e radhës në Facebook”, theksoi Mehmedi, ndërsa sa i përket modelit me dy kryetar, Mehmedi vlerëson se ky model rrallëherë është dëshmuar si formulë efikasiteti. Në të kundërtën, profesori Mersel Bilalli ngriti pikëpyetje nëse VLEN po shihet si projekt afatgjatë për shqiptarët, duke theksuar se pas përfundimit të mandatit aktual, qoftë në mënyrë të rregullt apo përmes zgjedhjeve të parakohshme, koalicionit do t’i duhet një organizim shumë më i madh për t’u faktorizuar realisht në skenën politike.
“Kisha thënë një pikëpyetje se a e shoh koalicioni VLEN si projekt afatgjatë për shqiptarët. Ndoshta pasi ta kryej mandatin, ose e ndërpresin mandatin ose ka zgjedhje tjera do t’u duhet atyre një organizim shumë i madh që të faktorizohen në subjekt. Kështu si janë, mendoj se janë në dobësim të vazhdueshëm, në rënie edhe pse fatkeqësisht nuk kemi ngritje te subjektet opozitare i cili nuk mund të merret me çështje etnike, por çështje më e rëndësishme ajo ekonomike”, deklaroi Bilalli.






