Humanizmi i diasporës modernizon shërbimet stomatologjike për fëmijët në Dibër

    Mërgata dibrane nga shtetet e Bashkimit Evropian dhe SHBA-ja ka një rol shumë të rëndësishëm në sigurimin e pajisjeve moderne për Spitalin e Përgjithshëm në Dibër. Donacionet e diasporës janë të pranishme në shumë institucione, por veçmas, në mënyrë të vazhdueshme, ato janë të orientuara edhe drejt institucionit shëndetësor në vendlindjen e tyre.

    Këto ditë, sipas udhëheqësisë së Spitalit të Përgjithshëm, ka arritur edhe një donacion shumë domethënës, i cili ka të bëjë me sigurimin e pajisjeve moderne për Ambulancën Stomatologjike preventive për fëmijë. Donacioni, përveç pajisjeve moderne, përfshin edhe sanimin e objektit të kësaj ambulance, ku trajtohen dhëmbët e fëmijëve deri në moshën 14-vjeçare.

    Drejtori i Spitalit të Dibrës, Mersim Koleci, për gazetën Koha thotë se donator është mërgimtari dhe humanisti nga Amerika, Refik Kosovrasti, i cili ka siguruar pajisje moderne për këtë ambulancë të kompanisë Borden.

    “Janë pajisje shumë moderne për stomatologji Borden, ku përfshihen kompresor, sterilizator special dhe karrige stomatologjike për nevojat e stomatologjisë preventive për fëmijët në Spitalin e Përgjithshëm në Dibër. Nga ana e përfaqësuesit të donatorit, Sokol Dovolani, u informuam se në periudhën në vijim Spitali i Dibrës do të realizojë rikonstruksionin dhe përgatitjen e hapësirave të ambulancës për vendosjen e pajisjeve medicinale, me qëllim krijimin e kushteve të përshtatshme për ofrimin e shërbimeve stomatologjike preventive për fëmijët deri në moshën 14-vjeçare. Ky investim paraqet një hap të rëndësishëm në përmirësimin e kapaciteteve shëndetësore dhe në avancimin e shërbimeve preventive për shëndetin oral të fëmijëve në komunën e Dibrës”, thotë drejtori Mersim Koleci.

    Ai po ashtu ka shprehur falënderim për donatorin Refik Kosovrasti, i cili njihet si donator dhe humanist dibran. Ai prej një kohe të gjatë me sukses udhëheq biznesin e tij në Amerikë, por njëkohësisht ka realizuar edhe shumë projekte humanitare në vendlindjen e tij, në Dibër.

    Spitali i Dibrës, falë donacioneve të shumta që ka dhënë dhe vazhdon të japë diaspora dibrane, është pajisur me shumë pajisje moderne në të gjitha repartet e tij. Kjo ka ndikuar në zhvillimin e vazhdueshëm të shërbimeve shëndetësore, jo vetëm në Dibër, por edhe në rajonin më të gjerë.

    Lajmi Paraprak

    Propaganda, partitë shpenzuan mbi katër milionë euro

    Lajmi i rradhës

    A ia mbylli Vuçiq derën BE-së?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë