Lidhur me sistemin “Qyteti i sigurt”, ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski në TV21 iu përgjigj disa dilemave. Njëra prej tyre ishte se çfarë ndodh nëse një automjet kalon në dritë jeshile të semaforit, por për shkak të trafikut të dendur përfundon në mes të kryqëzimit. Toshkovski tha se në raste të tilla do të trajtohet si shkelje, por me trajtim tjetër, pra jo si kalim me dritë të kuqe, por si pengim i qarkullimit në kryqëzim, përcjell Nistori.
“Kjo kundërvajtje në komunikacion ka trajtim tjetër, nuk do të trajtohet si kalim në të kuqe, por si ngadalësim ose vështirësim i lëvizjes brenda kryqëzimit, që është i përcaktuar veçmas, dhe mendoj se gjoba është 45 euro, e cila është e përcaktuar. Pra, shoferi duhet të bëjë vlerësimin se trafiku do të bllokohet nëse kalon me dritë jeshile dhe do të duhet të ndalet. Gjatë periudhës testuese pati edhe situata të tilla, dhe kamerat ju identifikonin sikur të kishit kaluar në të kuqe, edhe pse keni hyrë me dritë jeshile. Por të gjitha këto i kemi korrigjuar dhe kjo shkelje nuk do të konstatohet si kalim në të kuqe, por si ‘bllokim’ i kryqëzimit”, deklaroi Toshkovski.
Ministri tha se është krenar për implementimin e sistemit të ri “Qyteti i sigurt” dhe se numri i shkeljeve është ulur në mënyrë drastike, përkatësisht nga 120 mijë sa ishte në fillim në fazën testuese, tani ka vetëm 500 shkelje.
Toshkovski theksoi se ka përfunduar koha e sjelljeve të rrezikshme dhe e vozitjes së shpejtë nëpër rrugë.
“Në fillim të periudhës testuese, numri i shkeljeve ishte 120.000, ndërsa sot kemi 500 deri në 600 shkelje, ndonjë ditë 700 apo 800, por gjithsesi një numër dukshëm më të ulët shkeljesh. Bëhet fjalë për shkelje për tejkalim të shpejtësisë së lejuar, kalim në semafor të kuq ose drejtim të mjetit motorik të paregjistruar. Këto janë shkeljet që i konstaton sistemi. Në të ardhmen do ta implementojmë edhe për ndalime të gabuara dhe parkime të gabuara. Nuk ka person që drejton mjet motorik në Shkup dhe që nuk i sheh përfitimet e këtij sistemi inteligjent. Nuk ka më sjellje të çrregullta nëpër rrugë, nuk ka më shpejtësi të çmendura, dhe kjo vërehet. Nuk ka më atë intolerancë. Numri i aksidenteve po zvogëlohet, numri i të lënduarve dhe i të vdekurve po ashtu po zvogëlohet; qëllimi që donim të arrinim ka marrë reagim shumë pozitiv nga publiku”, deklaroi Toshkovski. /Nistori/






