Agjencia e Sigurisë Kombëtare ka hapur një hetim ndaj një shtetasi maqedonas të lidhur me faktorë të huaj që përhapin propagandën ruse përmes një rrjeti portalesh në hapësirën mediatike në RMV. Veprimet synojnë të ndërpresin aktivitetet propagandistike që ndikojnë në sigurinë kombëtare dhe proceset e integrimit evropian.
Agjencia e Sigurisë Kombëtare po heton një shtetas maqedonas të lidhur me faktorë të huaj, të cilët janë krijues të portaleve që përhapin propagandën ruse , si dhe janë të lidhur me një rrjet portalesh të integruara në hapësirën mediatike
“Në kuadër të aktiviteteve të koordinuara bashkërisht të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare , Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë Publike, më 18 shtator 2026, u ndërmorën veprime hetimore kundër një shtetasi maqedonas të lidhur me faktorë të huaj, të cilët janë krijues të një aparati propagande me një rrjet portalesh të integruara në hapësirën mediatike maqedonase. Për shkak të dyshimit të bazuar se ai është kryerës i veprës penale “Nxitje e urrejtjes, përçarjes dhe intolerancës kombëtare, racore dhe fetare” sipas nenit 319 të Kodit Penal, “Zbulimi i sekretit zyrtar” sipas nenit 360 të Kodit Penal dhe “Përhapja e materialit racist dhe ksenofobik përmes një sistemi kompjuterik” sipas nenit 394-d të Kodit Penal, u krye një kontroll në shtëpinë e tij, gjatë të cilit u gjetën dhe u sekuestruan sende, të cilat aktualisht janë objekt i ekspertizës shtesë”, njoftoi Agjencia e Sigurisë Kombëtare.
Alsat mëson se i dyshuari që përmes portaleve ka shtrirë ndikimin rus në vendin tonë quhet Aleksandar Smilkov. Në emrin e tij janë të regjistruara dy portale: vestimak.mk dhe vestimk.mk.
Ai dyshohet edhe për zbulim të sekreteve zyrtare, që sipas informacioneve tona i referohet vizitës së gruas së kryeministrit Hristijan Mickoski në Bullgari. I njëjti kishte nxjerrë dhe dërguar në mediat bullgare notën diplomatike me të dhëna personale dhe të dhëna operative të kësaj vizite. Smilkov aktualisht mësohet se është në procedurë për marrjen e shtetësisë bullgare.





