Mirënjohja për aleatët dhe dëshpërimi (2): si më tej?!

    Rilind Dauti

    Vazhdim nga pjesa e parë që mund ta gjeni këtu.

    Rilind Dauti
    Publicist

    Do të ishte ngushëllim sikur zhgënjimi nga aleatët të vinte vetëm nga Evropa e Gjergj Fishtës, por prapëseprapë është dëshpëruese që ShBA-të e Fan Nolit kanë lejuar të zbatohen intrigat e evropianëve, ndërsa në disa raste, ishin vet disa zyrtarë amerikanë që na kanë dëshpëruar me qëndrime dhe veprime kundër nesh dhe pro shtypësve të papenduar serbë.

    Sa u përket marrëdhënieve mes evropianëve dhe amerikanëve, si rezultat i disa qortimeve dhe veprimeve me vend që presidenti Tramp i pat bërë kundrejt Bashkimit Evropian, më 2018, presidenti i atëhershëm i Këshillit Evropian, Tusk, pat thënë: “Duke parë vendimet e fundit të presidentit Trump, dikush mund të mendojë: me miq të tillë, kujt i duhen armiq.” Atëherë, si të ndjehemi ne shqiptarët nga padrejtësitë që na vijnë prej atyre që i konsiderojmë aleatë nga të cilët varet tërë liria dhe ekzistenca jonë?

    Nëse nga ana e aleatëve tanë nuk ka dashakeqësi me paramendim sepse disa veprime kundër interesave tona mund t’i kenë marrë dhe vazhdojnë t’i marrin për shkak se kanë edhe tjera gjëra për të cilat duhet të mbajnë llogari, siç është dëshira për ta larguar Serbinë nga përqafimi i Rusisë, gjë që ka çuar te përkëdhelja e Serbisë, kjo nuk e ndryshon pasigurinë që shqiptarëve u shfaqet prej veprimeve të aleatëve.

    Një mësim se si të vazhdohet më tej nga ky dëshpërim prej aleatëve na e jep vazhdimi i atij citati të Donalld Tuskut: “Por, sinqerisht, Evropa duhet t’i jetë mirënjohëse Presidentit Tramp. Sepse falë tij ne i kemi hequr qafe të gjitha iluzionet. Ai na ka bërë të kuptojmë se nëse keni nevojë për një dorë ndihmëse, atë do ta gjeni në fund të krahut tuaj.”

    Kështu që, shqiptarët duhet t’u jenë mirënjohës aleatëve dhe t’i forcojnë lidhjet me ta duke kërkuar mënyra kreative se si t’i prekim në interes. P.sh., përpjekja e Kosovës me mbështetjen e Ukrainës dhe diskreditimin e Serbisë për lidhjet me Rusinë nuk piu ujë te partnerët evropianë, përkundrazi, Kosovën e vendosën nën sanksione ndërsa Serbinë vazhduan ta marrin me të mirë. Dhe përderisa zhvillojmë diplomaci me të huajt, shqiptarët duhet të shfrytëzojnë çdo precedent për t’i forcuar lidhjet mes vete përkundër kufijve të padrejtë. Për shembull, të shfrytëzohet precedenti i “Admiral Beneluksit” si komandant i përbashkët i marinës belge dhe asaj holandeze, ashtu që ushtria shqiptare dhe FSK të kenë një komandant të vetëm në rast lufte dhe kur mos të jetë më KFOR-i. Përderisa edhe vet Kosova nuk është në NATO, të shfrytëzohet edhe precedenti i marrëveshjes mes anëtares së NATO-s Greqisë dhe jo-anëtares Republikës së Qipros për mbrojtje të përbashkët ajrore. Dhe nëse ka nevojë, shqiptarët le të ushqehen vetëm me krënde por të blejnë armatim të teknologjisë më të fundit, apo pajisje të shtrenjta të cilat mund t’i blejmë me zbritje apo madje çmim “outlet” ngaqë aleatët më të fortë dëshirojnë t’i nxjerrin prej përdorimit sepse ka edhe më modernë apo më nuk i shërben strategjisë së tyre të mbrojtjes. Si p.sh. aeroplanët F-16 e madje edhe ato F-22 Raptor të cilat ShBA planifikon t’i largojë nga përdorimi për shkak se teknologjinë për mosdetektim nga radari e ka joekonomike për mirëmbajtje dhe kilometrazhën e fluturimit e ka të papërshtatshme për një luftë të mundshme të ShBA-ve me Kinën, por për shqiptarët që planifikojnë luftë ekskluzivisht në territorin e vogël të tyre, këto mangësi fare nuk prishin punë. Blerja e dronëve është zhvillim i mirë, sepse nga përvoja e Ukrainës sipas Zelenskit, rreth 80% të viktimave ruse i kanë shkaktuar përmes dronëve. Por ato nuk u mjaftojnë shqiptarëve që për momentin nuk kanë se si t’ia bëjnë me një armik si Serbia të pajisur me aeroplanët sovjetikë MiG dhe ato Rafale që ua kanë premtuar aleatët tanë francezë. Vetëm duke pasur aeroplanë luftarakë modernë (por jo domosdo të gjeneratës së fundit) si ato që u përmendën dhe sistem amerikan për mbrojtje kundërajrore si MIM-104 Patriot, shqiptarët mund t’ia pamundësojnë Serbisë supremacinë ajrore përmes së cilës mund të na bëjë kërdi.

    Teorikisht, ekziston edhe ai rrezik që armët e blera të mos na lejojnë t’i përdorim, siç bën me dije KFOR-i se janë ata që e kontrollojnë qiellin e Kosovës dhe janë ata që vendosin nëse FSK guxon t’i përdorë dronët e blerë nga buxheti i Kosovës. Teorikisht, ekziston edhe rreziku që të realizohet ndonjë ide si ajo e disa evropianëve të vitit 1992 të përmendur në pjesën e parë të shkrimit, që të shkelet sovraniteti edhe i Republikës së Shqipërisë ashtu që të dobësohen pozitat edhe të shqiptarëve të Kosovës dhe në favor të Serbisë. Por në historinë e shqiptarëve vetëm një herë ka ndodhur që fuqitë e huaja direkt të involvohen ushtarakisht kundër shqiptarëve në favor të fqinjëve tanë armiqësorë: në vitin 1880 kur anijet e Fuqive të Mëdha erdhën brigjeve të Ulqinit ashtu që t’i kërcënojnë shqiptarët që qyteti i lashtë shqiptar t’i kalojë Malit të Zi. Në të gjitha rastet tjera, fuqitë e huaja vetëm i kanë përligjur pushtimet që fqinjët tanë i realizuan nga mosorganizimi dhe pafuqia jonë për t’u mbrojtur. Në rastet tjera, rezistenca dhe kërcënimi me luftë ka bërë që edhe Fuqitë e Mëdha janë tërhequr nga imponimi i tyre, si më 1903 reformat e Myrstegut që përpos Maqedonisë, deshën t’i zbatojnë edhe në Kosovë, por që rezistenca e shqiptarëve ua prishi planet edhe shteteve më të fuqishme të kohës. Ndonjëherë, në fakt, kemi pasur fat që fuqitë e huaja ua kanë mohuar fitoret e plota fqinjëve tanë, siç është vet krijimi i Shqipërisë së pavarur më 1913 kur Fuqitë e Mëdha i caktuan kufij shumë më të gjerë se ato ku kishte kontroll qeveria e Ismail bej Vlorës, duke ua mohuar disa fitore Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë kundrejt Perandorisë Osmane si zotëruese zyrtare e atyre territoreve shqiptare, e për të cilat shqiptarët nuk kishin armatim, vullnet dhe organizim për t’i mbrojtur vetë.

    Prandaj, duke pasur përvojë me aleatë që na japin mbështetje, por ndonjëherë na e vendosin në pikëpyetje sigurinë e asaj mbështetje, shqiptarët duhet bërë çmos që t’i forcojnë marrëdhëniet me aleatët dhe ato mes vete, dhe të jenë të gatshëm të heqin dorë nga disa lukse të jetës ashtu që ato para të shkojnë në përgatitje për mbrojtje të vetë jetës. Siç thotë edhe një fjalë e urtë e aleatëve tanë evropianë: nëse nuk e ushqen ushtrinë tënde, do ta ushqesh ushtrinë e huaj.

    *Rilind Dauti është kolumnist i rregullt i Nistorit. Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Waitz: pa ndryshime kushtetuese nuk ka përparim drejt BE-së

    Lajmi i rradhës

    70% e qytetarëve në RMV nuk flenë pa telefon

    Lajme tjera

    Shteti ka rënë

    LEONARD DEMI MOSQEVERISJA Mosqeverisja sulmon kapacitetin dhe legjitimitetin e qeverisë, e zëvendëson atë me vullnetin vetiak të një…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë