Në Dibër rritet interesi për shtetësinë shqiptare

     Muajve të fundit një numër i madh i dibranëve kanë aplikuar për të marrë shtetësinë shqiptare. Pjesa më e madhe e tyre aplikojnë në bazë të origjinës familjare. Procedurat, sipas Zyrës “Dialb Servis” që funksionon në Dibër, zhvillohen shumë shpejt dhe deri tani dhjetëra dibranë kanë marrë shtetësinë e Republikës së Shqipërisë.

    Këto ditë aplikimet për marrjen e shtetësisë shqiptare janë në qendër të vëmendjes në Dibër dhe rajon. Në kontaktet që kishte gazeta Koha me shumë dibranë, vlerësohet se pjesa dërrmuese e tyre dëshirojnë shtetësinë shqiptare. Edhe në zyrën “Dialb Servis”, e cila ofron asistencë për marrjen e shtetësisë, thonë se dibranët duan të kenë shtetësinë e shtetit shqiptar.

    Pronari i zyrës, Xhemail Çupi, për gazetën Koha thotë se nga dita në ditë rritet numri i dibranëve që bëjnë aplikime.

    “Për të marrë shtetësinë shqiptare në bazë të origjinës nevojiten disa dokumente, me të cilat faktikisht dëshmohet se keni origjinë shqiptare. Nëse prindi apo gjyshi ose gjyshja është shtetas shqiptar, keni të drejtë të aplikoni dhe brenda 6 javëve apo 6 muajve mund të merrni përgjigje pozitive”, thotë Çupi.

    Ai potencon se servisi në fjalë realizon të gjitha procedurat që nevojiten dhe i dërgon në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Shkup. Ai sqaron se për këtë proces nevojiten: nxjerrja e certifikatës së lindjes dhe certifikatës së martesës në Maqedoninë e Veriut (me autorizim), korrigjimi i të dhënave të personit në rast të mospërputhjes së informatave, vendosja e apostilit dhe përkthimi në gjuhën shqipe, përpilimi i deklaratës familjare dhe noterizimi, orientim dhe konsulencë për certifikatën e lindjes dhe trungun familjar në Republikën e Shqipërisë, si dhe orientim dhe konsulencë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Shkup.

    Ai sqaron gjithashtu se nëse aplikohet drejtpërdrejt në Shqipëri, dokumentet nga Maqedonia e Veriut duhet të përkthehen nga një përkthyes i licencuar në Shqipëri. Vetë pronari i zyrës, duke qenë se ka origjinë shqiptare nga gjyshja, e ka përfunduar këtë procedurë me sukses në kohë rekord.

    Këto ditë shtetësinë shqiptare e mori edhe dibrani R. F., i cili tha se nuk ka pritur shumë gjatë për ta marrë atë. “Jam shqiptar dhe gjithmonë kam dashur të kem shtetësinë që më takon sipas origjinës. Gjyshi im ka lindur në Shkodër dhe procedura u krye shumë shpejt. Por, siç them unë, shteti shqiptar duhet t’u mundësojë të gjithë shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë ta marrin shtetësinë shqiptare. Ata kanë të drejtë të kenë shtetësinë që u takon”, tha ai.

    Në zyrën në fjalë takuam edhe I. K. nga Dibra. Ai kishte ardhur për të aplikuar për shtetësi shqiptare. “Dua pasaportën shqiptare. Në kohën kur shumë dibranë kanë edhe shtetësi amerikane apo shtetësi të shteteve evropiane, përse të mos kenë edhe shtetësinë natyrore shqiptare”, tha ai.

    Lajmi Paraprak

    Kurthi i rrugës në Bllacë! Mungesa e sinjalizimit çon veturat drejt aksidentit

    Lajmi i rradhës

    Dhuna psikologjike dhe diskriminimi financiar pengojnë gratë në sport

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë