Gjuha shqipe në institucionet shtetërore, përplasje ndërmjet VLEN-it dhe BDI-së

    “Korridori 8 vazhdon të jetë një prej projekteve strategjike dhe ashtu jemi duke e trajtuar. Punimet janë duke u zhvilluar në mënyrë intensive”, kështu tha në Click Plus Driton Sulejmani nga VLEN duke shtuar në buxhetin e vitit 2026 në NP “Rrugët Shtetërore” janë është vendosur buxhet prej 103 milionë eurove. Tutje ai tha se Korridori 8 do të bëhet realitet dhe se po punohet në eksproprijimin e pronave, përcjell Nistori.

    Por Arta Bilali-Zendeli nga BDI kritikoi buxhetin e ndarë për vitin 2026 për Korridorin 8, që siç tha “lë për të dëshiruar”. Ajo u shpreh skeptike se me buxhetin e ndarë do të arrihet të bëhet ndonjë punë e madhe.

    Kampusin e ri të UNT-së, Driton Sulejmanin nga VLEN e quajti projekt historik, ndër më të mëdhatë të financuar të arsimit shqip duke shtuar se do të jetë kampus model me të gjitha standardet e nevojshme, shkruan TV21. Siç tha Sulejmani, pavarësisht të gjithave gurthemeli është vendosur ndonëse pati shumë skepticizëm në fillim. E sa i përket financimit, ai tha se do të jetë në etapa, varësisht nga zhvillimi i punëve duke bërë të ditur që projekti duhet të përfundojë brenda 5 viteve.

    Por, Arta Bilali nga BDI tha se ligji për kampusin e UNT-së ka kaluar në kohën kur BDI ishte në Qeveri e ndërkohë sfidoi Sulejmanin nga VLEN duke thënë se “sillni një ligj për një shkollë të mesme i cili do të ketë jetëgjatësi siç ka Universiteti “Nëna Terezë”. Bilali-Zendeli tha se edhe objekti aktual me investim mbi 1 milion euro dhe vendimi për ndërtim është bërë në kohë e BDI-së, duke kritikuar ndarjen e buxhetit prej 900 mijë euro që sipas saj, me ketë tempo ndërtimi do të përfundojë në vitin 2060.

    Për ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, Arta Bilali-Zendeli nga BDI pati kritika të vazhdueshme, ndërkohë që pyeti se sa herë përmendet kuota etnike dhe sa sanksione përmban ai ligj që siç tha, pas kësaj do të jetë rehat ajo dhe qytetarët. Tutje, Bilali- Zendeli tha se tha se është e turpshme se si VLEN ka përpiluar një ligj të tillë pa kuota etinike, duke shtuar se balancuesi është zëvendësuar me zero.

    Driton Sulejmani nga VLEN tha se ligji për përfaqësim të drejtë ende nuk është miratuar, por si premtim parazgjedhor i koalicionit është në proces të realizimit duke njoftuar se ka kaluar një draft-version në Qeveri. Sulejmani tha se është një ligj shumë i rëndësishëm dhe për këtë do të ketë edhe debat publik. Sulejmani tha s e me këtë ligj do të garantohet përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, që siç tha, për dallim nga balancuesi, do të jetë i patjetërsueshëm të zbatohet.

    “Në aspekt të përdorimit të gjuhës shqipe, kemi ende shumë punë për të bërë”, kështu tha në Click Plus Driton Sulejmani nga VLEN duke shtuar se, në seancën e Gjykatës Kushtetuese nuk ishte temë trajtimi gjuha shqipe, por kushtetutshmëria e sistemit Safe City. Siç tha Sulejmani, ky sistem është në të mirën e qytetarëve dhe nuk ka argumente se duhet të shfuqizohet, duke theksuar, se ka pasur rezultat të mirë dhe ulje të aksidenteve edhe të atyre me fatalitet.

    “Është çështje procedure. Edhe vet sistemi i Safe City nuk është i kompletuar në tërësi. Vërehet edhe probleme që dalin gjatë zbatimit të tij, mirëpo si proces e si ndryshim në sitem është mirëpritur dhe po i jep efektet e tij. me kalimin e kohës gjithçka do të shkojë ashtu siç duhet”, tha Sulejmani.

    Në anën tjetër, Arta Bilali-Zendeli nga BDI pati kritika për kryetarin e Gjykatës Kushtetuese duke e cilësuar paraqitjen e ti si të pahijshme, që siç tha, nuk i ngjanë një shteti multietnik e që ka një Marrëveshje paqësore të Ohrit. Tutje, Bilali-Zendeli tha se ligji për gjuhët duhet të zbatohet pasi siç theksoi, ligji obligon të gjitha institucionet që t’u mundësojë qytetarëve qasjen në gjuhën shqipe.

    Lajmi Paraprak

    Investitorët e huaj kritikojnë institucionet në RMV, ankohen për ndihmën shtetërore

    Lajmi i rradhës

    NË SOFJE ME TREN NË 2030-ën | Korridori 8 dhe hekurudha me Bullgarinë  

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë