Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, deklaroi se projektligji për arsimin e lartë, i cili ka shkaktuar mendime të ndara mes ekspertëve dhe kritika nga opozita, është në fazën përfundimtare dhe pritet që brenda një kohe relativisht të shkurtër të hyjë në procedurë qeveritare, përcjell Nistori.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me komentet për disa nga zgjidhjet e propozuara dhe nëse do të ketë shtesa në tekstin e draftit, ministrja tha se shumë prej tyre, të cilat konsiderohen konstruktive, do të pranohen dhe tashmë janë përfshirë në vetë tekstin.
Janevska vlerëson se disa vërejtje të tjera nuk janë të arsyeshme. Si shembull në këtë drejtim ajo përmendi procesin e llogaridhënies së universiteteve ndaj shtetit, përkatësisht kompetencat e Këshillit Kombëtar.
Megjithatë, siç shtoi ajo, edhe në këtë pjesë janë bërë korrigjime minimale.
“Këtu nuk pajtohemi. Grupi punues do të takohet për herë të fundit dhe do të marrë një vendim përfundimtar. Janë bërë korrigjime të shumta dhe sinqerisht shpresoj që të gjithë të jenë të kënaqur”, tha ajo.
E pyetur për kërkesën për tërheqjen e tekstit të ligjit, ministrja tha se bëhet fjalë për një grup të vogël pedagogësh që, sipas saj, reagojnë nga frika se në të ardhmen nuk do të mund t’i plotësojnë kushtet që kërkon ligji për avancim në pozitat akademike.
Në këtë kontekst, ajo u dërgoi atyre edhe një mesazh, duke thënë se kanë dy mundësi: ose të punojnë më seriozisht, ose të qëndrojnë më gjatë në të njëjtën pozitë akademike.
“Ata kanë dy mundësi. Si shkencëtarë dhe qytetarë akademikë, me një nivel të lartë ndërgjegjësimi dhe përgjegjësi për të krijuar staf profesional, mundësia e parë është të angazhohen seriozisht në punë. Mundësia e dytë është të qëndrojnë në të njëjtën pozitë për një kohë më të gjatë dhe të avancojnë kur të jenë gati për hapin tjetër”, tha Janevska.
Ajo i bëri këto komente pas fjalimit në një aktivitet ku u prezantuan rezultatet e hulumtimit “Analiza e edukimit financiar në arsimin fillor”, të realizuar nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit.
Sipas Janevskës, është bërë një përpjekje e madhe në përgatitjen e ligjit me qëllimin për të përmirësuar cilësinë në arsim. Sipas saj, nëse tani pranohen kërkesat e atij grupi të vogël profesorësh, kjo do të nënkuptonte një hap prapa.
Ndërkohë, nënkryetari i LSDM-së, Aleksandar Trajanovski, i cili është edhe docent në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin “Goce Dellçev” në Shtip, në një intervistë për 360 Gradë, të transmetuar të hënën (9 mars), tha se projektligji për arsimin e lartë duhet t’i nënshtrohet korrigjimeve.
Sipas tij, reagimet në parti janë të shumta dhe ai e akuzoi ministren Vesna Janevska se e sheh situatën “me syze rozë” dhe përpiqet ta balancojë sa më shumë.
Trajanovski ka vërejtje kryesisht për dispozitat që, sipas tij, cenojnë autonominë e universiteteve, si dhe për detyrimin që punimet shkencore të publikohen në revista të indeksuara në “Web of Science”.
Sipas tij, diskriminues është edhe neni i projektligjit që përcakton se cilat janë studimet me interes publik që mund të organizohen vetëm në universitetet publike dhe në ato publike-private. Në këtë kategori përfshihen edhe studimet e mjekësisë.






