Me vendosjen e instalacionit simbolik “63 karrige të bardha – 63 jetë”, sot në Parkun e Revolucionit në Koçan filloi përkujtimi i përvjetorit të zjarrit tragjik në kabarenë e ashtuquajtur “Pulse”, në të cilin më 16 mars të vitit të kaluar humbën jetën 63 persona dhe u plagosën më shumë se 200 të tjerë, përcjell Nistori.
Gjashtëdhjetë e tre karrige të bardha u vendosën në hapësirë të hapur dhe mbi secilën prej tyre është vendosur nga një trëndafil i bardhë në shenjë përkujtimi.
“63 karrige të bardha, 63 emra, 63 jetë që mungojnë – secila karrige mbart heshtjen e një pranie të munguar, një trëndafil të bardhë për kujtim, një dritë për kujtesë dhe një vend që nuk do të mbushet kurrë.” Ky ishte mesazhi me të cilin familjarët e viktimave i pritën të pranishmit para Shtëpisë së Kulturës në Koçan.
Në orën 02:32 të mëngjesit, me qirinj në duar dhe me një minutë heshtje, prindërit dhe qytetarët e mbledhur bënë homazhe për ata që humbën jetën në zjarrin e tmerrshëm.
Ngjarja, e organizuar nga Komuna e Koçanit dhe prindërit e viktimave, filloi në orën 08:45 të mëngjesit dhe është pjesë e programit qendror për shënimin e përvjetorit të tragjedisë.
Një distinktiv me një zemër të thyer, ku shkruhej “Koçani” dhe data 16.03.2025 – një nga ditët më të errëta dhe më të dhimbshme në historinë e re të Maqedonisë – u mbajt nga përfaqësuesit e shtetit që morën pjesë në përkujtimin e sotëm të tragjedisë, e cila mori 63 jetë dhe la më shumë se 200 të plagosur.
Edhe presidentja e vendit, Gordana Siljanovska-Davkova, mbante një të tillë.
Ajo dhe kryeministri Hristijan Mickoski ishin në rreshtin e parë në Parkun e Revolucionit në Koçan, ku këtë mëngjes u mbajt një shërbesë lutjeje për viktimat e ngjarjes tragjike.
Ceremonia fetare u drejtua nga Mitropoliti i Dioqezës së Bregalnicës, z. Hilarion, në bashkëkremtim me priftërinjtë e kishës së qytetit kushtuar “Shën Dëshmorit të Madh Gjergj”.
Pas lutjes, Mickoski dhe Siljanovska-Davkova pritën në radhë për të nënshkruar Librin e Zisë, i cili ishte hapur në Parkun e Revolucionit.
Koçani sot është një qytet që, duke kujtuar ngjarjen e saktësisht 365 ditëve më parë, jehon me dhimbje të pashuar, ndërsa heshtja duket se gëlltit edhe zhurmën e hapave të qytetarëve të pranishëm në aktivitetet përkujtimore.






