Kryeprokuror i ri me dilema të vjetra

    Parlamenti i Maqedonisë së Veriut ka zgjedhur Nenad Saveskin si Prokuror të ri të Përgjithshëm të Shtetit. Zgjedhja e tij vjen pas një debati të gjerë mbi besueshmërinë e sistemit prokurorial dhe ndikimin politik mbi drejtësinë. “Bëhet fjalë për një person me një biografi serioze, pa njolla në karrierë”, theksoi zv/kryeministri, Aleksandar Nikolloski, duke arsyetuar sot para deputetëve vendimin e Qeverisë për të propozuar Nenad Saveskin si prokuror të ri të Përgjithshëm të Shtetit. Nikolloski, duke shpjeguar se pse Nenad Saveski është propozuar për këtë pozicion, theksoi se sistemi gjyqësor po përballet me mungesë serioze të besimit te qytetarët.

    “Nuk është rastësi që nuk ka diskutime, debate apo kritika serioze për sistemin prokurorial dhe gjyqësor, ashtu si nuk është rastësi që reputacioni i këtyre dy institucioneve është rreth 2 për qind. Kjo do të jetë një detyrë serioze për Prokurorin e ri të Përgjithshëm që propozojmë, magjistrin Nenad Saveski, një njeri që ka qenë gjatë kohë në sistemin prokurorial dhe gjyqësor, me përvojë dhe karrierë serioze, një person që ka qenë prokuror, gjyqtar, dhe tani përsëri do të ketë mundësinë të jetë i pari mes prokurorëve”, theksoi zv/kryeministri, Aleksandar Nikollovski, duke elaboruar propozimin e ri të qeverisë për Prokuror të Përgjithshëm.

    Megjithatë opozita shprehet skeptike nëse prokurori i ri do të veprojë lirshëm dhe do të jetë i barabartë ndaj të gjithëve. Deputetja e LSDM-së, Jovana Trençevska, në seancën plenare vlerësoi se zgjedhja e prokurorit të ri të Përgjithshëm të Shtetit nuk duhet të kufizohet vetëm te personaliteti i kandidatit, por te konteksti dhe sistemi në të cilin ai do të funksionojë. Ajo tha se kandidati Nenad Saveski ka përvojë profesionale që nuk mund të injorohet, por paralajmëroi se ekziston rreziku i ndikimit politik mbi prokurorinë. Sipas saj, propozimi për Ligjin e ri për Prokurorinë Publike përmban dispozita që, sipas vlerësimit të saj, hapin hapësirë për partizim të fshehur të institucionit.

    “Në letër propozohen procedura evropiane dhe reforma, në praktikë instalohen mekanizma për kontroll dhe po sigurohet mbrojtje ligjore për skandalet aktuale të tenderëve. Dhe kjo nuk është reformë, është rrezik për partizim të prokurorisë, rrezik për drejtësi me porosi, rrezik nga shteti ku ligi nuk vlen njëjtë për të gjithë. Prandaj ne sot nuk flasim kundër një njeriut, por flasim kundër sistemit që ndërtohet për tu kontrolluar njerëzit”, theksoi deputetja e LSDM-së, Trençevska.

    Testi i parë për shefin e ri të Prokurorisë Publike, sipas deputetit të Frontit Evropian, Skender Rexhepi, do të jetë rasti i tragjedisë në diskotekën “Pulse” të Koçanit. Rexhepi apeloi që prokurori i ri të ketë vullnet dhe guxim për të dërguar prapa grilave fajtorët e vërtetë të kësaj tragjedie, të cilët sipas Rexhepit, sipas të gjitha gjasave janë funksionarë të qeverisë aktuale.

    “Rasti i fundit në Koçan ku Prokuroria Publike zbaton drejtësi selektive. Prokurori i shtetit që do të vijë ti përcaktojë dhe ti përzgjedh saktësisht fajtorët kryesor, duke mos i kursyer fare ato që ishin në pushtet, sepse fajtorët real, janë fajtorët e kohës reale, fajtorët imagjinar janë fajtorët e para 12-13 viteve”, theksoi deputeti Rexhepi.

    Grupi parlamentar i Frontit Evropian, siç sqaroi shefja e grupit parlamentar, Rina Ajdari, votoi i përmbajtur, për faktin se thanë që do të përcjellin me vëmendje punën e prokurorit të ri.

    “Disa njerëz po vuajnë burgun përjetshëm, ndërsa thuhet se ekzistojnë prova që ata nuk janë fajtorë. Si mundet kjo? Nuk kam vërejtje për biografinë, por ne flasim për një fenomen të përgjithshëm, ky fenomen është nëpër të gjitha instancat. Dëshiroj të besoj se z. Savevski nuk do të bie pre e ndikimeve politike, por edhe në këtë mandat kemi përvojë të keqe në instancat e drejtësisë. Ne për një kohë nuk kishim Avokat të Popullit, deri sa u gjet një Avokat i Popullit që është partiak”, theksoi deputeti i ASH-së, Halil Snopçe.

    Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE vlerëson se drejtësinë në këtë nivel e ka sjellë qeveria e kaluar LSDM-BDI, ndërsa dëshmi për këtë është edhe Prokuroria Speciale Publike, e cila sipas VMRO-së veproi nën diktat të pushtetit të kaluar.

    “Prokurori shtetëror dhe kolegët e tij do të duhet të mësojnë se sit ë punohet, ndërsa PSP është shembull për atë se si nuk duhet të punohet. Bëhet fjalë për projekt të dështuar, i cili duhej të sillte drejtësi, ndërsa la pasoja të thella të turpit dhe keqpërdorimit të detyrave. Prandaj, z. Savevski nëse e fitoni mbështetjen do ta fitoni me pritshmëri të qarta, e jo me mbështetje blanko. Do të pritet që të hyni edhe në raste që janë të ndjeshme dhe të pakëndshme nëse provat çojnë në atë drejtim”, theksoi Jovan Jaulevski.

    Kryetarja e PLD-së, Monika Zajkova theksoi se edhe pse formalitetet procedurale janë respektuar, përshtypja thelbësore është se Qeveria ka rol kyç në zgjedhjen e prokurorit të ri. Ajo përmendi edhe rastin e prokurores Lençe Ristoska, për të cilën vlerësoi se u largua pavarësisht kredibilitetit të saj. “Kur largohen profesionistë, ndërsa promovohen zgjidhje të përshtatshme, besimi i qytetarëve do të vazhdojë të bjerë”, shtoi ajo.

    Zajkova theksoi se problemi nuk qëndron te emra individualë, por te sistemi i zgjedhjes, i cili sipas saj, gjithmonë lë hapësirë për dyshime për ndikim politik.

    Ndërkohë, prokurori i ri i përgjithshëm i shtetit, Nenad Saveski, deklaroi se prioriteti i tij do të jenë rritja e llogaridhënies, transparencës dhe digjitalizimi i punës në Prokurorinë Publike. Në një deklaratë për MIA-n, Saveski theksoi se është e domosdoshme të përmirësohen kushtet e punës për prokurorët, duke nënvizuar se ato paraqesin problem më të madh sesa pagat. “Nuk mundesh me një institucion të varfër të luftosh kundër kriminelëve të pasur”, theksoi Saveski.

    Ai paralajmëroi vendosjen e një sistemi digjital për ndjekjen e lëndëve, i cili, siç tha, do të parandalojë të ashtuquajturin “sistemi i sirtarit” dhe do të sigurojë kontroll më të mirë të punës së prokurorëve. Saveski theksoi se nuk do të veçojë raste të caktuara si prioritet, pasi sipas tij, çdo rast është po aq i rëndësishëm. “Nuk dua të lë përshtypjen se do të udhëheq drejtësi selektive. Çdo lëndë do të trajtohet në përputhje me ligjin dhe afatet e përcaktuara”, deklaroi Saveski.

    Nenad Savevski u zgjodh me 66 vota për, dy kundër dhe tetë të përmbajtur. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Shkupi i “ngopur” me bankomate, fshatrat në mungesë

    Lajmi i rradhës

    Politizimi i çështjes së migrantëve nxit frikë dhe ksenofobi në RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë