Së shpejti në Dibër do të ndahen 47 banesa sociale. Ndërtesa ndodhet në vendbanimin e ri të qytetit dhe pritet që, sadopak, të ulet numri i familjeve që aktualisht janë pa strehë. Qendra për Punë dhe Politikë Sociale në Dibër informon se Ministria për Transport dhe Lidhje ka shpallur thirrje për shpërndarjen e banesave sociale në Dibër. Nga 27 shkurti ka filluar zyrtarisht procesi i aplikimit për përfitimin e këtyre banesave, i cili do të zgjasë deri më 30 mars të këtij viti.
Nga Ministria bëjnë të ditur se në këtë fazë janë në dispozicion gjithsej 47 banesa, të cilat synojnë të mbështesin familjet në nevojë dhe kategoritë më të rrezikuara sociale. Jozyrtarisht besohet se në Dibër ka mbi 200 familje që përballen me probleme strehimi. Në 20 vitet e fundit, kjo është ndërtesa e dytë me banesa sociale që ndërtohet në Dibër.
Është hera e dytë që Dibra ndan banesa sociale. Interesimi është shumë i madh, pasi numri i familjeve të pastreha dhe atyre me probleme të theksuara sociale në komunë është i lartë. Prandaj, në prag të ndarjes së banesave, mësohet se shumë familje të kësaj kategorie kanë aplikuar për banesë sociale.
Sipas njoftimit, të drejtë aplikimi kanë familjet me të ardhura të ulëta, personat pa strehim, si dhe kategori të tjera që përballen me vështirësi ekonomike dhe sociale. Procesi i aplikimit tashmë ka nisur dhe do të zgjasë deri më 30 mars, periudhë gjatë së cilës qytetarët mund të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm pranë institucioneve përkatëse. Sipas Ministrisë, përzgjedhja e përfituesve do të bëhet në bazë të kritereve të përcaktuara nga programi i strehimit social, duke marrë në konsideratë gjendjen ekonomike, numrin e anëtarëve të familjes dhe kushtet aktuale të jetesës.
Sipas përfaqësuesve të Ministrisë, këto banesa kanë edhe një kategorizim të veçantë për familjet që kanë persona me aftësi të kufizuara, përfshirë ata që përdorin karroca. Është theksuar se kati i parë do t’u dedikohet këtyre familjeve. Kjo ka një rëndësi të madhe, sipas shoqatave të personave me aftësi të kufizuara në Dibër, pasi në ndërtesën e parë sociale ky kriter nuk ishte respektuar në disa raste.
Në lidhje me këtë proces, biseduam me L.B., e cila është e papunë dhe jeton me qira në një banesë njëdhomëshe. “Kam shpresë se këtë herë ndarja do të bëhet në mënyrë të drejtë dhe sipas meritës. Para 20 vitesh, kur u ndanë banesat për kategoritë sociale, pati manipulime dhe banesa përfituan edhe drejtorë e nëpunës, ndërsa vetëm disa familje në nevojë. Kësaj here besoj se do të respektohet e drejta jonë”, thotë ajo.
Të njëjtin mendim ndajnë edhe shoqatat qytetare, të cilat theksojnë se gjatë ndarjes së banesave në ndërtesën sociale para dy dekadave ka pasur keqpërdorime të shumta. Gjatë këtyre ditëve biseduam edhe me disa kryefamiljarë që kanë aplikuar për banesa sociale. N.T. dhe B.R. janë dy prej tyre, të cilët përballen me probleme strehimi. Ata bëjnë të ditur se kanë kompletuar dokumentacionin dhe janë në garë për të përfituar banesë, por shprehin frikën se ndarja mund të mos jetë e drejtë, siç ndodhi para 20 viteve. Të dy theksojnë se jetojnë me qira dhe plotësojnë kushtet e kërkuara nga Ministria.
Pushteti vendor në Dibër ka theksuar se ndërtimi i kësaj ndërtese pritet të zbusë problemin e strehimit për familjet e pastreha. Nga komuna shprehen se janë të mendimit që banesat të ndahen në mënyrë korrekte dhe transparente, ndryshe nga praktikat e së kaluarës.
Autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve që plotësojnë kushtet të aplikojnë brenda afateve të përcaktuara, në mënyrë që të përfitojnë nga kjo mundësi e rëndësishme sociale. /Koha/






