Gjermania dhe aleatët kërkojnë rihapjen e Ngushticës së Hormuzit

    Gjermania dhe mbi 20 vende aleate kërkojnë siguri dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit. Ndërkohë Irani ka dhënë shenja kompromisi kundrejt disa vendeve.

    Gjermania dhe më shumë se 20 aleatë të saj kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët për t’u angazhuar në “përpjekje të përshtatshme” për të ndihmuar për sigurimin e transportit detar përmes Ngushticës së Hormuzit.

    Vende si Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini, Britania e Madhe,Franca, Japonia, Koreja e Jugut dhe Australia i dënuan gjithashtu sulmet e Iranit ndaj anijeve tregtare, si dhe ndaj impianteve të naftës dhe gazit në rajon.

    “Pasojat e veprimeve të Iranit do të ndihen nga njerëzit në të gjitha pjesët e botës, veçanërisht nga më të dobtit,” thuhet në deklaratën e përbashkët të këtyre vendeve.

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u bëri thirrje vendeve partnere që të ndihmojnë për rihapjen e kësaj rruge detare dhe i ka kritikuar vendet që nuk kanë vepruar në mënyrë të mjaftueshme.

    Irani jep sinjale fleksibiliteti

    Ministri i Jashtëm i Iranit, Abas Araqshi, i tha agjencisë japoneze të lajmeve “Kyodo News” se Irani është i gatshëm t’i lejojë anijet që kanë të bëjnë me Japoninë që të kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit, një rrugë nga e cila transportohet rreth 90% e importeve japoneze të naftës.

    Irani gjithashtu ka lejuar edhe anijet që kanë si destinacion apo u përkasin vendeve të tilla si Kina, India dhe Pakistani që të kalojnë në mënyrë të sigurt përmes këtij korridori strategjik detar. REL

    Lajmi Paraprak

    “Arsimi dhe shëndetësia serbe duhet të zgjidhen përmes dialogut”

    Lajmi i rradhës

    Kur duhet vaksina kundër tetanusit?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë