Blegtorët dibranë, si edhe ata të rajonit, këto ditë ballafaqohen me probleme dhe halle të mëdha për shkak të çmimeve të ulëta që u ofrohen për shitjen e qengjave, si dhe për shkak të fshirjes nga listat e subvencioneve. Në Shoqatën e blegtorëve “Dashi” thonë se kjo situatë ndikon shumë negativisht në zhvillimin e blegtorisë në komunat Dibër dhe Qendër Zhupë. Sipas tyre, pikërisht për këto shkaqe, të cilat përsëriten nga viti në vit, por edhe për shkak të problemeve të tjera, ka një ulje të vazhdueshme të kopeve të dhenve.
Kryetari i Shoqatës së blegtorëve dibranë “Dashi”, Murat Daci, thotë se problemi me shitjen e qengjave përsëritet pothuajse çdo vit. Kompanitë që grumbullojnë qengjat për shitje ofrojnë çmime shumë të ulëta, të cilat nuk korrespondojnë me çmimet reale të tregut.
“Këto ditë një kilogram peshë e gjallë e qengjit blihet nga kompanitë për 260 deri në 270 denarë. Janë tre kompani nga vendi që tradicionalisht bëjnë blerjen e qengjave nga Dibra dhe Zhupa, por gjithmonë ofrojnë çmime shumë të ulëta. Qengjat, pas blerjes nga terrenet tona, ata i shesin në pjesën më të madhe në Itali dhe kanë përfitime të mëdha. Flas në emër të shoqatës dhe të anëtarëve të saj, të cilët me të drejtë reagojnë ndaj çmimeve të ulëta. Por normalisht, kur nuk ke rrugëdalje tjetër, ata i shesin për çmimet që i përmenda”, thotë kryetari i shoqatës, Murat Daci.
Sipas tij, nga viti në vit, për shkak të çmimeve të ulëta, ulet edhe numri i qengjave që shiten gjatë muajve mars dhe prill. “Këtë sezon presim të shiten rreth 3 mijë qengja, edhe pse vite më parë shisnim edhe deri në 10 mijë. Kemi reaguar për çmimet e ulëta, por kompanitë nuk lëshojnë pe”, thonë anëtarët e shoqatës.
Sipas shoqatës, kohëve të fundit një problem i madh është edhe vonesa e subvencioneve, si dhe fshirja nga listat e subvencioneve e disa blegtorëve nga Dibra. Në Shoqatën “Dashi” ka shumë ankesa lidhur me heqjen e disa blegtorëve nga listat e përfituesve të subvencioneve. Ky është një shqetësim shumë i madh, pasi tani një pjesë e blegtorëve nuk marrin subvencione.
Këto probleme ndikojnë drejtpërdrejt në uljen e interesimit të blegtorëve për të rritur numrin e bagëtisë së imët. Pikërisht kjo situatë ka ndikuar në uljen e numrit të blegtorëve dhe, normalisht, edhe në uljen e numrit të bagëtisë së imët.
Një numër blegtorësh nga Dibra dhe Zhupa tashmë kanë shitur kopetë e dhenve, edhe pse për dekada me radhë kanë qenë blegtorë shembullorë. Përveç çmimeve të ulëta të qengjave dhe mosdhënies apo vonesës së subvencioneve, në këtë situatë kanë ndikuar edhe mungesa e krahut të punës dhe infrastruktura e dobët rrugore deri në bjeshkët verore, gjë që ka sjellë një ulje të shpejtë të numrit të bagëtisë.
Edhe pse rajoni i Dibrës ka kushte shumë të mira për zhvillimin e blegtorisë, çdo vit numri i dhenve është më i vogël. Para më shumë se pesë dekadash në këtë rajon kishte mbi 80 mijë dhen, ndërsa tani numri është afër 30 mijë, me tendencë të mëtejshme uljeje. /Koha/






