Pas vendimit të Gjykatës në Tetovë që partia t’i takojë Arben Taravarit, ish-kryetari i ASh-së, Ziadin Sela, për Lajm ka bërë publik emrin e subjektit të ri politik, përcjell Nistori.
Sela deklaroi se struktura e re tashmë është krijuar dhe do të quhet “Lidhja Shqiptare”, duke theksuar se bëhet fjalë për një vazhdimësi të kauzës politike që ai përfaqëson.
“Unë e kam krijuar atë parti të re politike. Është krijuar, bile quhet akoma më mirë – është Lidhja Shqiptare. Ka ngjyra kuq e zi dhe ne këtu nuk dorëzohemi nga kjo punë”, u shpreh Sela.
Ai shtoi se grupacioni që e mbështet përbëhet nga njerëz me bindje dhe ideal, duke refuzuar idenë e tërheqjes nga skena politike.
“Njerëzit që janë pjesë e këtij grupacioni janë të vërtetë, kanë ideal dhe do të vazhdojnë të ndërtojnë një strukturë të fortë politike. Nuk mendojmë që zgjidhja është dorëheqja dhe dorëzimi”, theksoi ai.
I pyetur nëse kjo nënkupton formimin e një partie të re apo riformatim të së vjetrës, Sela u përgjigj se nuk i ka lënë gjërat rastësisë dhe se projekti politik tashmë është konkretizuar.
Në fund, ai nënvizoi se ideja dhe kauzat e Aleancës do të vazhdojnë në formën e re politike, duke sinjalizuar një riorganizim të kampit opozitar shqiptar në vend.
Ziadin Sela: njerëzit të cilët janë pjesë e këti grupacioni, janë të vërtetë, janë njerëz që kanë ideal, dhe do të vazhdojnë të ndërtojnë përsëri një strukturë të fortë politike, sepse nuk mendojmë që zgjidhja është dorëheqja dhe dorëzimi.
Gazetari: i bije kjo që mund të ndodh edhe formimi apo riformimi i një partije të re politike?
Sela: s’ja kam lënë rastësisë, sepse… Unë e kam krijuar atë parti të re politike. Është krijuar bile quhet akoma më mire, është Lidhja Shqiptare. Ka ngjyra kuq e zi dhe ne këtu nuk dorëzohemi nga kjo punë.
Gazetari: aleanca pra bëhet Lidhje…
Sela: ideja e Aleancës dhe kauzave të Aleancës së vërtetë, e ka vazhdimsinë e vetë. Ne nuk ia lëmë rastësisë!






