Pjesa më e madhe e ujit të pijshëm në Tetovë nuk arrin te destinacioni i duhur

    Mbi 35 për qind e ujit për pije nga burimet e Sharrit, nuk arrin në destinacionin e duhur, përkatësisht humbet. Sipas autoriteteve humbjet ndodhin për shkak të  keqpërdorimit të ujit në pjesën e poshtme të qytetit. Situata ka nxitur Ndërmarrjen komunale “Sharri”, që të kërkoj edhe studim fizibiliteti për zgjidhjen e problemit.

    “Një pjesë e madhe e ujit bëhet sidomos në pjesët e lagjeve Drenoc  e Dereboj ku bëhen vaditje të baçeve apo parqeve, që keqpërdorin ujin për këtë arsye. Nga ardhja ime unë kam insistuar madje edhe lavazhet mos e shfrytëzojnë ujin për pije për larje të veturave sepse paraqet keqpërdorim të madh të shfrytëzimit të ujit. Ka edhe shumë kyçje të egra që janë krijuar në lagjet e reja ku më shumë na humbet uji,” deklaroi Valon Zeqiri, Drejtor i NPK “Sharri”.

    Si pasojë e kësaj humbjeje, komuna vendosi që amvisëritë të pajisen me orëmatës inteligjentë të ujit, me qëllim që të ketë kontroll mbi harxhimin dhe pagesën e ujit. Por kjo nismë hasi në reagime të shumta nga këshilltarët e opozitës, të cilët akuzuan për shitje apo privatizimi të ujësjellësit. Megjithatë kreu i komunës së Tetovës këmbëngul se nuk bëhet fjalë për shitje.

    “Nga ekspertë të jashtëm del që mënyra më e mirë e zgjidhjes së këtij problemi është mundësia e partneritetit privat publik, që nuk nënkupton as shitjen e ujit as shitjen e menaxhimit me ujë të pijshëm, por kyçjen e partnerit privat për futjen e teknologjie të re dhe menaxhimin me gjithë sistemin që të marrim njohuri dhe ta zgjidhim këtë problem në mënyrë më të shpejtë dhe më të mirë,” tha Bilall Kasami, Kryetar i komunës së Tetovës

    Kasami thotë se miratimi i partneritetit publik-privat të ujësjellësit do varet nga këshilltarët dhe pëlqimi i tyre. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Siljanovska në Zagreb: rreth 80% e qytetarëve në RMV janë kundër ndryshimit të Kushtetutës

    Lajmi i rradhës

    Çmimet dalin jashtë kontrollit: specat deri në 290 denarë, domatet mbi 250 denarë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë