Ministria e Shëndetësisë informon se që nga sot, ndryshimet e propozuara në Ligjin për heqjen dhe transplantimin e pjesëve të trupit të njeriut për qëllim trajtimi janë të disponueshme në regjistrin elektronik ENER.
Ndryshimet e propozuara ligjore, ndër të tjera, parashikojnë ndryshimin dhe lehtësimin e procedurave administrative, të cilat do t’i mundësojnë çdo qytetari të vendosë të jetë dhurues potencial i organeve pas vdekjes së tij duke bërë deklaratë te mjeku i tij amë ose përmes një aplikacioni celular. Tërheqja e mundshme e deklaratës së dhënë parashikohet gjithashtu në të njëjtën mënyrë. Në këtë drejtim, ligji specifikon se familja e personit të ndjerë që ka bërë një deklaratë duke rënë dakord të jetë dhurues pas vdekjes së tij nuk mund ta pengojë atë.
“Ky është një hap tjetër në rritjen e ndërgjegjësimit publik për rëndësinë e dhurimit të organeve, si akti më i lartë i filantropisë që shpëton jetë njerëzore. Qëllimi është që vullneti i qytetarit të jetë parësor, që sistemi të jetë më transparent dhe konfidencial, dhe që vendimi personal të kthehet aty ku i takon – te personi”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Ndryshimet ligjore do të mundësojnë krijimin e një liste elektronike kombëtare të donatorëve, si dhe zgjerimin e rrethit të personave që mund të jenë donatorë organesh të gjallë, ndërkohë që parashikojnë edhe futjen e kontrollit nga një Komision Etik që do të verifikojë nëse dhurimi është vullnetar dhe pa presion apo abuzim.
Poashtu Bashkësia Fetare Islame dhe Kisha Ortodokse Maqedonase mbështesin dhurimin e organeve. Ata thonë se dhurimi i organeve për të shpëtuar jetën e dikujt nuk është kundër mësimeve të fesë.
Ndryshe, rreth 200 persona në vend janë në listën e pritjes për transplantim organesh. Numri më i madh është për veshka, tridhjetë për zemrën, njëzet për mëlçinë. Pacientja më e re është një 26-vjeçare që pret të bëjë transplantim të zemrës. Dhjetë pacientë që presin për një transplantim të zemrës janë detyruar të mbajnë mbështetje mekanike të zemrës vite me radhë.






