Korridori 8 është kthyer në një tjetër arenë të fortë përplasjesh politike mes Bashkimit Demokratik për Integrim dhe koalicionit VLEN, me të dyja palët që kërkojnë ta paraqesin veten si garantuesin kryesor të realizimit të këtij projekti strategjik me rëndësi rajonale dhe evropiane. Debati u riaktualizua pas zhvillimeve të fundit rreth trasesë së projektit dhe shtyrjes së vizitës së delegacionit të UNESCO-s, çështje që rikthyen diskutimet për mënyrën e ndërtimit të korridorit dhe ndikimin që ai mund të ketë në zonat e mbrojtura, veçanërisht në rajonin e Ohrit.
Nga BDI thonë se zhvillimet e fundit dëshmojnë qartë se projekti i tyre për Korridorin 8 po konfirmohet dhe se ai nuk mund të ndalet, pavarësisht përpjekjeve politike për ta ndryshuar drejtimin e tij.
“Bashkimi Demokratik për Integrim mirëpret zhvillimet e fundit lidhur me projektin strategjik të Korridorit 8, të cilat dëshmojnë qartë se ky projekt madhor vazhdon edhe përkundër përpjekjeve të Qeverisë për ta shkëputur lidhjen e tij me Republikën e Shqipërisë”, thuhet në reagimin e BDI-së. Integristët vlerësojnë se shtyrja e vizitës së delegacionit të UNESCO-s nuk e vë në pikëpyetje realizimin e projektit, por përkundrazi konfirmon seriozitetin e procesit dhe domosdoshmërinë që ai të zbatohet sipas projektimit fillestar. “Shtyrja e vizitës së delegacionit të UNESCO-s nuk e vë në pikëpyetje realizimin e projektit, por konfirmon seriozitetin dhe domosdoshmërinë e realizimit të tij sipas projektimit të realizuar në kohën kur BDI ishte pjesë e Qeverisë”, theksojnë nga kjo parti.
Sipas tyre, edhe vetë Ministri i Transportit ka nisur të tërhiqet nga deklaratat e mëhershme, duke pranuar se dilema nuk është nëse korridori do të ndërtohet, por vetëm përzgjedhja e trasesë më të përshtatshme. “Siç e pamë dje, vet Ministri i Transportit ka filluar të reterojë nga qëndrimet e shprehura publikisht më herët dhe tani pohon se dilema nuk është nëse Korridori 8 do të ndërtohet, por vetëm përzgjedhja e trasesë më të përshtatshme”, deklaron BDI.
Në anën tjetër, nga VLEN reaguan me tone ironike, duke e cilësuar qëndrimin e BDI-së si një “zbulim të vonuar” dhe duke insistuar se Korridori 8 nuk është pronë politike e askujt. “VLEN e mirëpret ‘zbulimin’ e fundit të Bashkimit Demokratik për Integrim lidhur me Korridorin 8, i cili, edhe pse me vonesë, konfirmon atë që ne e kemi thënë dhe dëshmuar vazhdimisht: ky projekt nuk ndalet dhe nuk është pronë e askujt”, thuhet në reagimin e koalicionit. Sipas VLEN-it, përkushtimi i tyre për realizimin e këtij projekti ka qenë i qartë që nga dita e parë dhe ai duhet të ndërtohet mbi baza profesionale dhe transparente, larg kalkulimeve partiake.
“Një projekt strategjik që lidh vendin me rajonin dhe me Bashkimin Evropian, dhe që duhet të ndërtohet mbi baza profesionale, transparente dhe të qëndrueshme”, theksojnë nga VLEN. Koalicioni vlerëson se retorika destruktive dhe përpjekjet për politizimin e projektit kanë prodhuar vetëm konfuzion, ndërsa shton se çdo kthim drejt një komunikimi më racional është i mirëpritur. “Është e qartë se retorika destruktive dhe përpjekjet për ta politizuar këtë projekt nuk kanë prodhuar asgjë, përveç konfuzionit”, thuhet më tej në reagim.
Përplasja mes dy blloqeve politike dëshmon se Korridori 8 po shndërrohet jo vetëm në një projekt infrastrukturor, por edhe në një simbol të betejës për kredite politike, në një periudhë kur vendi po hyn gradualisht në kalkulimet për zgjedhjet e ardhshme. /Koha/






