Ndalohet përkohësisht peshkimi në liqenin e Dibrës

    Shoqata e peshkatarëve sportivë “Trofta” në Dibër, e cila është koncesionere e liqenit dhe kujdeset për fondin e peshkut në këto ujëra, ka njoftuar vendosjen e një ndalese të përkohshme të peshkimit në Liqenin e Dibrës, përkatësisht të llojit të peshkut mlysh (klen), nga data 01.05.2026 deri më 31.05.2026, për shkak të periudhës së shumimit të këtij lloji, si dhe për mbrojtjen e fondit peshkor dhe ruajtjen e ekosistemit ujor.

    Sipas kryetarit të Shoqatës së peshkatarëve sportivë “Trofta”, Beli Aliti, kjo masë njëmujore për ndalimin e peshkimit sportiv në ujërat e Liqenit të Dibrës vjen në një periudhë të ndjeshme për shumimin e peshqve.

    “Sipas rregullave për mbrojtjen e peshkut gjatë periudhës së shumimit, për llojin krap, në periudhën njëmujore duke filluar nga data 1 maj deri më 31 maj, do të ketë ndalesë të peshkimit sportiv të këtij lloji, pasi peshkimi në këtë periudhë mund të dëmtojë seriozisht ciklin natyror”, thekson Aliti.

    Ai shton se ndalesa është e domosdoshme për të siguruar rigjenerimin e specieve dhe për të parandaluar shfrytëzimin e tepruar të burimeve ujore. Gjithashtu, një ndalesë për peshkimin e llojit krap në ujërat e Liqenit të Dibrës, sipas Shoqatës “Trofta”, do të vlejë nga data 05.05.2026 deri më 10.06.2026.

    “Qëllimi ynë nuk është ndëshkimi i peshkatarëve, por ndërgjegjësimi dhe ruajtja e pasurisë natyrore për brezat e ardhshëm”, thotë kryetari i shoqatës, Beli Aliti.

    Nga kjo shoqatë u bëhet thirrje të gjithë peshkatarëve sportivë dhe qytetarëve që të respektojnë këtë vendim dhe të kontribuojnë në mbrojtjen e liqenit. Ndërkohë, autoritetet lokale pritet të intensifikojnë kontrollet në terren për të siguruar zbatimin e ndalesës, ndërsa shkelësit mund të përballen me masa ndëshkuese sipas ligjit në fuqi.

    Liqeni artificial i Dibrës, gjatë viteve të kaluara, për shkak të peshkimit ekonomik, ka pësuar dëmtime të mëdha në fondin e peshkut të të gjitha llojeve. Megjithatë, me marrjen e koncesionit nga ana e Shoqatës së peshkatarëve sportivë “Trofta”, është vërejtur një përmirësim i dukshëm i fondit të peshkut, si dhe mbrojtje më e mirë gjatë periudhës së shumimit të tyre.

    Ky liqen ka tërhequr shumë peshkatarë sportivë, si nga vendi, ashtu edhe nga Kosova dhe Shqipëria, duke u bërë një atraksion i rëndësishëm për këtë sport. Pikërisht për këtë arsye, shoqata kujdeset që fondi i peshkut në këtë liqen të pasurohet si përmes shumimit natyror, ashtu edhe përmes shtimit artificial me rasa të llojeve të ndryshme të peshkut.

    Lajmi Paraprak

    Arifi: ASh-ja e vërtetë është në VLEN

    Lajmi i rradhës

    Qershori i reformave po afron!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë