SUBVENCIONET BUJQËSORE | Kritere të rrepta dhe kalendar i ri

    Subvencionet bujqësore funksionojnë prej 18 vitesh. Mbi 1.6 miliardë euro janë ndarë nga buxheti i bujqësisë për këto vite. Të dhënat e fundit të Agjencisë për Mbështetje Financiare tregojnë se nga 120 milionë euro mbështetje për pagesat direkte të ndara për programet e mbështetjes financiare, janë paguar afër 104 milion euro. Programi i mbështetjes financiare në bujqësi për vitin 2024 arriti në shtatë miliardë denarë, në vitin 2023 – 6.4 miliardë denarë dhe në vitin 2022 – 3.6 miliardë denarë.

    Të dhënat më tej tregojnë se një pjesë e programeve nuk janë realizuar sipas planit. Kështu në pjesën e zhvillimit rural, në nënprogramin për grante për fermerët e rinj deri në 10,000 euro, blerjen e traktorëve, blerjen e makinerive të bashkangjitura dhe gjëra të tjera, ishin planifikuar 6.05 milionë euro në vitin 2025, por u shpenzuan vetëm rreth 3.20 milionë euro.

    “Fondi i Ndërhyrjes”, i çili zakonisht stimulon prodhimin e të korrave aty ku ka çrregullime të tregut me fonde shtesë për kilogram, pati gjithashtu një rezultate të dobëta. Nga afërsisht 3.9 milionë euro të planifikuara, vetëm rreth 1.46 milionë euro u transferuan në llogari.

    Në të njëjtën kohë, 250,000 euro u ndanë për artikullin për të inkurajuar konsumin e frutave të freskëta, të cilat u shpërndanë falas në shkolla, por nuk u shpenzua asnjë denar. Një vit më parë, për këtë u shpenzuan rreth gjysmë milioni euro.

    Ministria e Bujqësisë njoftoi ndryshime legjislative që do të parashikonin masa të reja nxitëse për normat e interesit dhe grante deri në 100,000 euro për çiftet e reja të martuara nëse kthehen në fshat dhe punojnë në bujqësi, megjithëse në kushte dhe rreziqe të caktuara. Ndryshimet në Ligjin për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural nuk janë votuar përfundimisht dhe nuk janë futur në fuqi.

    Për pagesën e subvencioneve bujqësore lidhur me masat e ndryshme vendos Ministria e Bujqësisë në bashkëpunim me shoqatat bujqësore. Më vonë programet i miraton qeveria për të mundësuar Planet e Agjencisë për të marrë vendime për pagesën që dërgohen në Ministrinë e Financave.

    Nga Agjencia Pagesore thonë se nga viti 2027 pritet të ketë kalendar për pagesën e subvencioneve si një kërkesë e kamotshme fermerëve dhe shoqatave bujqësore me qëllim planifikimin më të mirë të prodhimtarisë bujqësore.

    Kompetentët thonë se pagesat direkte ruajnë nivelet e prodhimit në nënsektorët bujqësorë më konkurrues dhe ndihmojnë në përballimin e konkurrencës nga vendet e tjera që mbështeten gjithashtu në vendet e tyre nga subvencione të konsiderueshme (vera, hortikultura, rritja e frutave, mbarështimi i derrave, mbarështimi i deleve). Në nënsektorët më pak konkurrues, të cilët janë të rëndësishëm për prodhimin e produkteve kryesore ushqimore, subvencionet ngadalësojnë rënien dhe largimin e prodhuesve nga sektori (drithërat, mbarështimi i gjedhit, prodhimi i qumështit). E njëjta gjë vlen edhe për kulturat e eksportit që kërkojnë shumë punë dhe që janë të rëndësishme për mirëmbajtjen e të gjitha rajoneve rurale, siç është duhani.

    Analizat e Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se prodhimi në periudhën nga viti 2013 deri në vitin 2023 karakterizohet nga një rënie e sipërfaqeve me grurë dhe duhan, ndërsa sipërfaqet me elb dhe domate janë në rritje. Nëse në vitin 2013, kishte 80,980 hektarë me grurë, tani ka një rënie të sipërfaqeve në 69.522. Për dhjetë vjet, ka pasur ndryshime edhe në prodhimin e duhanit – nga 19.178 hektarë të mëparshëm, tani është zvogëluar në 14.900 hektarë. Në kundërshtim me këtë trend, prodhimi i elbit është në rritje – nëse në vitin 2013 kishte 41,944 hektarë me këtë kulturë drithërash, në vitin 2023 arriti në 45.580 hektarë.

    Sipas të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikës, në vitin 2022 janë regjistruar 514.436 hektarë tokë të punueshme, që është një rënie prej 0.4% krahasuar me vitin 2021. Sa i përket tokës së punueshme në vitin 2022, ka pasur një rënie në të gjitha kategoritë.

    Numri i fermerëve të regjistruar në vend është rreth 65.000, nga 90.000 që ishte një dekadë më parë.

    Në të ardhmen do të rriten kriteret për marrjen e subvencioneve dhe kontrollet e përforcuara në terren të përfituesve të mbështetjes financiare.

    Nga Ministria e Bujqësisë, shpjegojnë se kontrollet nuk do të jenë të njëanshme në asnjë mënyrë dhe do të kryhen sepse janë identifikuar përfituesit e subvencioneve që nuk e kanë kultivuar fare tokën.

    “Rritja e prodhimit të ushqimit dhe që subvencionet të kenë efekt është qëllimi i reformave bujqësore që filluan vitin e kaluar. Është e palogjikshme të kesh miliona euro mbështetje dhe të shohësh një rënie të prodhimit. Kriteret minimale për përdorimin e subvencioneve po rriten sepse duam të stimulojmë fermerët e vërtetë dhe aktivë. Mbështetja duhet t’u vijë atyre”, nënvizoi kohë më parë ministri Cvetan Tripunovski.

    Duke iu referuar ndryshimeve të planifikuara, ministri theksoi njërën prej tyre – se programi i ri i mbështetjes nuk do të subvencionojë grurin nëse nuk përdoret material farë i certifikuar. Ai beson se me metodën e re të subvencionimit, e cila përmban kritere më të rrepta për marrjen e ndihmës vendase, do të dalin në dritë të gjithë ata që janë, siç thotë ai, fermerë të rremë dhe po abuzojnë me buxhetin e shtetit.

    Rregullat e reja përcaktojnë se nëse një fermer ka më pak se shtatë dekarë tokë apo 0.7 hektarë , ai nuk është i kualifikuar për subvencione, ndërsa vreshtaria kërkon të paktën 0.5 hektarë. Sa i përket blegtorisë, subvencionet do të merren vetëm nëse fermerët kanë të paktën tre krerë bagëti apo tre lopë ose 30 krerë bagëti të vogla. Nëse ke një lopë në shtëpi, prodhon për nevojat e tua, nuk merr pjesë në treg dhe nuk krijon vlerë të shtuar, nuk do të ketë subvencione.

    Kjo për shkak se statistikisht, ka një rritje të numrit të krerëve dhe një rënie të prodhimit të qumështit .

    Tani nëse keni dy hektarë vreshta dhe ju përdorni rrushin për të bërë verën dhe rakinë tuaj – që tani e tutje nuk do të merrni subvencione konform programit të subvencioneve për vitin 2026. Kushtet për subvencion po shtrëngohen dhe qëllimi është të ndihmohen fermerët e vërtetë që kanë prodhim komercial, thonë nga Ministria e Bujqësisë. Në të kaluarën janë shënuar abuzime të shumta, veçanërisht në blegtori.

    Një prag më i lartë dhe më i ulët, si kusht për subvencionimin e blegtorisë, bujqësisë, hortikulturës, vreshtarisë dhe bletarisë, është parashikuar nga Programi për Mbështetje Financiare të Bujqësisë për vitin 2026 në shumën prej 6.061.345.000 denarë, ose 98.5 milionë euro. Kushtet e shtrënguara kanë për qëllim të sigurojnë që paratë të shkojnë te fermerët e vërtetë që kanë prodhim komercial dhe krijojnë vlerë të shtuar. Në atë drejtim, është edhe kushti i ri, të paktën 30 për qind e prodhimit të dorëzohet në një qendër blerëse ose te përpunuesit. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Qershori i reformave po afron!

    Lajmi i rradhës

    Prodhuesit me çmime të larta, ndërsa kërkesa në treg vazhdon të mbetet poashtu e lartë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë