Numri i punonjësve që raportojnë se kanë një eprore grua në vendet e rajonit është i ulët. Përfaqësimi i grave në pozicione drejtuese, sipas të dhënave nga Eurofound (Fondacioni Evropian për Përmirësimin e Kushteve të Jetesës dhe të Punës) për një pjesë të mirë të vendeve tregon bëhet sipas një modeli konservator, një treg që dominohet nga burrat. Përqindja i afrohet mesatares së vendeve të Bashkimit Evropian, rreth 36 për qind gra eprore, por është shumë larg standardeve të vendeve si Suedia apo Finlanda me 48 për qind eprore gra që përfaqësojnë barazinë më të madhe gjinore në Europë.
Në rajon, Serbia me 35 për qind shefe gra dhe Shqipëria me rreth 33 për qind përfaqësojnë shifra i përafrohen mesatares së vendeve të BE -së dhe tejkalojnë ndjeshëm fqinjët e tjerë ballkanikë. Sidomos Greqinë, një vend i BE-së ku eprorët burra zënë rreth 72 për qind të pozicioneve drejtuese. Maqedonia vjen e treta, me 32 për qind gra në vendimmarrje, që nënkupton se pavarësisht përpjekjeve për integrimin e grave dominimi i burrave mbetet i lartë, me rreth 65-70% të pozicioneve menaxheriale të zëna prej tyre.

Mali i Zi vetëm 28 për qind, ndërsa Kosova së bashku me Bosnje dhe Hercegovinën mbeten në fund të renditjes kontinentale me nivelet më të ulta të grave që drejtojnë bizneset. Në Bosnjë, shifra e eprorëve burra i kalon 75 për qind, ndërsa në Kosovë ky dominim arrin kulmin me mbi 80 për qind, duke e lënë përfaqësimin e grave në nivele minimale, rreth 15-18 për qind. Këto të dhëna që sipas raportit konfirmojnë një hendek të thellë gjinor në këto dy tregje pune, ku figura e “shefit” mbetet pothuajse ekskluzivisht mashkullore.
Mesatarja e Bashkimit Evropian për sa i përket eprorëve burra luhatet rreth 64 për qind, çka do të thotë se rreth një e treta e punonjësve në BE kanë një grua si shefe. Sipas një raporti të Eurostat mesatarisht mbi 35 për qind e pozicioneve menaxheriale brenda BE mbaheshin nga gratë, nga 31, 8 për qind dhjetë vjet më parë. Në veçanti, përqindja e grave në pozicione të larta ishte më e lartë në grupmoshën më të re (nga 15 deri në 39 vjeç), ku ato përbënin 39 për qind. Shifrat ishin dukshëm më të ulëta në mesin e atyre të moshës midis 40 dhe 64 vjeç (34.4 për qind) dhe edhe më të ulëta për mbi 65 vjeç (26.5 për qind). Këto shifra tregojnë se rritja e numrit të grave në role menaxheriale është një fenomen relativisht i kohëve të fundit. Dallime të mëtejshme dalin në pah kur krahasohen të dhënat nga shtete të ndryshme anëtare. Në vitin 2024, vendet më të avancuara ishin Suedia, me 44.4 për qind të grave në pozicione të larta, Letonia (43.4 për qind) dhe Polonia (41.8 për qind). Në fund të renditjes, me 27.9 për qind, ishte Italia, e cila u tejkalua vetëm nga Kroacia (27.6 pë rqind) dhe Qiproja (25.3 për qind).






