Gostivari është një ndër komunat me më pak parregullsi në sferën e urbanizmit. Kështu thotë kryetari i Komunës së Gostivarit Valbon Limani, i cili është pyetur lidhur me raportimet nga polica për ndërtime pa leje në territorin e Komunës së Gostivarit. Aktivitetin e policisë kryetari Limani e ka cilësuar si një fenomen që ndodh vetëm në territorin e Komunës që drejton ai, duke nënvizuar se e tërë kjo zhurmë është një tentativë për të krijuar tema me pompozitet por pa pasur aspak bazë ligjore.
“Prej gjithë asaj që e kam si informatë nga ana e Sektorit të Urbanizmit, por mbi të gjitha edhe nga ana e inspektoratit, me plot bindje e them se Gostivari është një ndër komunat ku ka më pak parregullsi për sa i përket çështjes së urbanizmit. Gjithashtu duhet të potencoj se policia e cila del dhe bën inspektime dhe me të gjitha informatat që i marr në nivel të shtetit, ndoshta komuna e Gostivarit është e vetme ku policia e bën këtë punë. Nga ana tjetër ka shumë objekte të cilët janë në proces të marrjes së lejes së ndërtimit dhe ato ditë derisa merret leja, inspektorët dalin dhe bëjnë punën e tyre që u takon”, ka deklaruar kryetari Valbon Limani.
Ndryshe, në raportin e sektorit të urbanizmit për vitin e kaluar qëndron se transparenca dhe respektimi I ligjit mbetet një nga prioritetet më të larta. Sipas raportit komuna e Gostivarit është ndër komunat e para në vend që ka dhënë leje për ndërtim gjatë vitit 2025.Nga sektori i urbanizmit në këtë Komunë bëjnë të ditur se brenda vitit 2025 janë dhënë 258 leje ndërtimi. Nga ky sektor kanë thënë se kjo është arritur falë korrektësisë dhe shërbimit në nivel që jep ky sektor në drejtim të qytetarëve të cilët kërkojnë leje për ndërtim.
“118 leje janë dhënë për ndërtim të shtëpive individuale, 24 leje për ndërtim të objekteve kolektive, nëntë për objekte industriale, 70 leje janë dhënë për projekte infrastrukturore, 37 leje janë dhënë për ndërhyrje të ndryshme duke përfshirë adaptime, rindërtime, mbindërtime si dhe vendosje të panele fotovoltaike. Gjatë vitit 2025 janë miratuar edhe plane detale urbanistike për blloqet urbane 27, 24 dhe 25, ndërsa janë përfunduar edhe 50 procedura për plane detale urbanistike. Aktualisht janë në zhvillim edhe 10 për ndryshim të planeve urbanistike me qëllim të përshtatjes së këtyre planeve me nevojat urbane të qytetarëve”, njoftuan kohë më parë nga sektori I urbanizmit në komunën e Gostivarit.
Nga Komuna e Gostivarit presin që edhe gjatë këtij viti të ketë më shumë interesim për ndërtime ndërsa premtojnë se procedurat do të kryhen në kohë dhe pa zhagitje, ndërsa apelojnë që palët që kërkojnë leje ndërtimi duhet që kur të parashtrojnë kërkesa për leje ndërtimi të dorëzojnë dokumentacionin e kompletuar që më shpejt të jepet leja e ndërtimit. /Koha/






