Shkupi me dy zëra për europën – konflikt brenda, premtime jashtë

    Çështja e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut vazhdon të mbetet “mollë sherri” në përplasjet politike mes pushtetit dhe opozitës. Gjatë ditëve të fundit, të dyja partitë kryesore VMRO-DPMNE në pushtet dhe LSDM në opozitë kanë shkëmbyer akuza të ashpra përmes komunikatave zyrtare dhe konferencave për shtyp, duke i hedhur fajin njëra-tjetrës për ngecjen e procesit evropian.

    LSDM: 20 DITË DERI TE DËSHTIMI I AGJENDËS REFORMUESE

    LSDM-ja ka paralajmëruar se po afrohet një afat kritik për qeverinë e kryeministrit Hristijan Mickoski. Sipas socialdemokratëve, mbeten edhe vetëm 20 ditë deri në momentin kur do të konfirmohet zyrtarisht mospërmbushja e agjendës reformuese nga ana e ekzekutivit aktual.

    Partia opozitare akuzon Mickoskin se po përdor dy strategji paralele për të mbuluar mungesën e rezultateve. E para, sipas LSDM-së, është përkeqësimi i qëllimshëm i marrëdhënieve me Bullgarinë dhe krijimi i tensioneve me fqinjin lindor. E dyta, sulmi sistematik ndaj opozitës dhe akuza se LSDM-ja po bllokon procesin reformues. “Mickoski pretendonte se opozita po e pengonte agjendën reformuese, për ta pranuar më pas vetë se për reformat nuk i nevojitet opozita”, thuhet në komunikatën e partisë.

    LSDM-ja kujton se kryeministri zotëron shumicë absolute në Kuvend dhe se, ashtu siç e shfuqizoi pa konsensus qeverinë teknike, mund t’i miratojë vetë edhe ligjet dhe reformat e nevojshme.

    Gjithashtu LSDM sot, përmes një konference për shtyp të zëdhënëses dhe anëtares së Kryesisë Ekzekutive, Bogdanka Kuzeska, përcolli mesazhin se përfshirja e pakicave në Kushtetutë nuk e rrezikon identitetin maqedonas, por e forcon atë dhe ia hap rrugën shtetit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kuzeska akuzoi se VMRO-DPMNE dhe kryeministri Hristijan Mickoski “vazhdojnë të gënjejnë” se ndryshimet kushtetuese përbëjnë kërcënim për identitetin maqedonas. “E vërteta është e kundërta. Përfshirja e pakicave në Kushtetutë e forcon identitetin kombëtar maqedonas, nuk e dobëson atë”, theksoi Kuzeska.

    Ajo theksoi se kur të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike, janë të përcaktuar dhe të mbrojtur me aktin më të lartë juridik, kjo kontribuon për kohezion më të madh dhe shtetësi më të fortë.


    VMRO-DPMNE: LSDM PO PUNON PËR SHTETE TË HUAJA

    Përgjigjja nga VMRO-DPMNE ka ardhur e ashpër. Partia në pushtet ka akuzuar LSDM-në dhe kryetarin e saj Venko Filipçe se po bëjnë “raportime” në Bullgari në vend që të punojnë për Maqedoninë.

    Komunikata e VMRO-DPMNE-së i referohet një rejtingu prej vetëm 4 për qind që ia atribuon LSDM-së, duke pretenduar se opozita është kthyer drejt “shteteve të huaja dhe partive të huaja” pasi ka humbur mbështetjen brenda vendit. Pika kryesore e argumentit të partisë në pushtet lidhet me ndryshimet kushtetuese. Sipas VMRO-DPMNE-së, LSDM-ja vazhdon të pretendojë se këto ndryshime janë “hapi i fundit drejt BE-së”, ndërkohë që presidenti i ri bullgar Rumen Radev “kategorikisht në çdo paraqitje të tijën thotë se pas ndryshimeve kushtetuese, Bullgaria do të ketë edhe kërkesa të tjera”.

    Partia në pushtet i bën thirrje LSDM-së që “më në fund të vijë në vete” dhe të mbrojë “identitetin, integritetin dhe dinjitetin maqedonas”, duke akuzuar Filipçen se po vazhdon politikën e ish-kryeministrit Zoran Zaev.

    SFONDI: THIRRJET PËR BASHKIM DHE REFUZIMI I TYRE

    Përplasja e komunikatave vjen pas dy thirrjeve për “bashkim kombëtar” që kryeministri Mickoski bëri gjatë javës së kaluar. Thirrjen e parë ai e bëri gjatë shënimit të Ditës së Fitores ndaj fashizmit, duke folur për nevojën e bashkimit “jo në frikë, por në shpresë” dhe “jo në ndarje, por në luftën e përbashkët” për një ekonomi më të fortë.

    Një ditë më vonë, në fshatin Tumincë në Shqipëri ku zbuloi një përmendore për heronjtë maqedonas të asaj treve kryeministri e përsëriti mesazhin. “Të bashkohemi rreth interesave kombëtare. Rreth së ardhmes së fëmijëve tanë. Rreth respektit ndaj historisë sonë dhe dinjitetit të popullit. Paraardhësit tanë nuk ndaheshin kur mbronin lirinë”, deklaroi Mickoski.

    Filipçe i refuzoi këto thirrje si manovër politike, duke pretenduar se kryeministri nuk sqaron se për çfarë konkrete duhet të bashkohet vendi. “Kryeministri ngre çështjen se është i nevojshëm bashkimi. A thotë ai për çfarë të bashkohemi? Për çdo mesazh që ne përcjellim se është e nevojshme Evropa, ata lëshojnë botët dhe lajmet e tyre të rreme dhe na sulmojnë se jemi tradhtarë”, tha kryetari i LSDM-së.

    MUCUNSKI ME POROSI TË VJETRA

    Ndërkohë, ministri i punëve të jashtme, Timço Mucunski, në një deklaratë të dhënë para fillimit të Këshillit të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian, theksoi se zgjerimi është imperativ si për Bashkimin Evropian ashtu edhe për vendet kandidate, duke nënvizuar se bëhet fjalë që Ballkani Perëndimor të pushojë së qeni “zonë gri” e Evropës dhe të krijohet një grup shtetesh me rrugë të qartë dhe të besueshme drejt anëtarësimit. Ai vuri në dukje se vendi ka arritur rezultate konkrete në zbatimin e Agjendës Reformuese, veçanërisht në muajt e fundit, duke theksuar se Maqedonia e Veriut është 100 për qind e harmonizuar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, gjë që, siç theksoi, e konfirmon jo vetëm përkushtimin ndaj reformave, por edhe orientimin e qartë strategjik drejt anëtarësimit në Bashkim. “Mesazhi ynë për vendet anëtare është shumështresor. Është e nevojshme të shkëputemi nga bilateralizimi i kritereve të anëtarësimit, por edhe të forcohet angazhimi për çështje që shkojnë edhe më gjerë se vetë procesi i zgjerimit, veçanërisht në fushat e sigurisë dhe mbrojtjes, ekonomisë dhe tregtisë, sigurisë energjetike, sigurisë ushqimore dhe digjitalizimit”, theksoi ministri Mucunski.

    Në kuadër të agjendës së Këshillit u diskutua për marrëdhëniet e Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor, ku bisedimet ishin të fokusuara në çështjet aktuale të politikës së jashtme dhe sigurisë me interes të përbashkët, me theks të veçantë në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e politikës së jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes, agresionin rus ndaj Ukrainës, si dhe pasojat më të gjera rajonale të zhvillimeve aktuale globale. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Vendim i vjetër, krizë e re në Agjencinë për Gjuhët!

    Lajmi i rradhës

    Matura mes kujtimeve dhe luksit!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë