Matura sot për shumë të rinj është kthyer jo vetëm në një festë, por edhe në një garë luksi dhe shpenzimesh të mëdha. Ka maturantë që zgjedhin të shpenzojnë më pak dhe ta kalojnë natën thjeshtë. Tek vajzat, shpenzimet fillojnë nga fustani apo kompleti elegant, këpucët, çanta dhe aksesorët. Pastaj vazhdojnë me grim profesional, frizurë, manikyr, pediker, kozmetikë. Vetëm këto përgatitje shpesh arrijnë shuma shumë të larta.
Edhe djemtë nuk mbeten pas. Kostumet elegante, këpucët, parfumet dhe aksesorët kanë çmime të larta, ndërsa shumë prej tyre marrin vetura me qira apo organizojnë hyrje luksoze për mbrëmjen e maturës. Në fund, edhe tek djemtë shpenzimet mund të kalojnë lehtë mbi 500 euro.
Përveç përgatitjeve personale, maturantët paguajnë edhe për vetë organizimin e mbrëmjes së maturës, ku përfshihen restoranti, darka dhe muzika. Nxënësit e shkollës “Zef Lush Marku” paguajnë 1700 denarë për pjesëmarrje në mbrëmjen e maturës, ndërsa ata të “Cvetan Dimov” paguajnë 1800 denarë, pra 100 denarë më shumë.
Kjo do të thotë se për vetëm një natë prej rreth 6 orësh, shumë familje harxhojnë minimumi 200 deri në 300 euro, ku disa edhe shumë më tepër, ku çmimi mundet të arrij deri në 800-1000 euro. Për disa, kjo është një kujtim i rëndësishëm që ndodh vetëm një herë në jetë, por për të tjerë paraqet një barrë financiare dhe presion të madh. Megjithatë, matura duhet të mbetet një kujtim i bukur i përfundimit të shkollës së mesme dhe jo një garë për luks apo shpenzime të tepërta.
Habibe Qerimi, nxënëse e SHMQSH “Cvetan Dimov” tha për gazetën KOHA se çdo nxënës i jep rëndësi të veçantë kësaj nate. “Mbrëmja e maturës është një nga momentet më të rëndësishme për çdo nxënës dhe të gjithë i japim rëndësi të veçantë kësaj nate. Mirëpo, shpesh nuk mendojmë sa të mëdha mund të jenë shpenzimet që lidhen me organizimin e saj”, u shpreh ajo.
Përveç veshjeve personale, shpenzimet përfshijnë edhe darkën, muzikën, restorantin, dhe fotografitë qe bëhen në mbrëmje në restorant, ku për disa nxënës shuma totale mund të arrijë deri në 800-1000 euro. Për këtë arsye, duhet të kemi parasysh mundësitë financiare të secilit dhe të shmangim shpenzimet e tepërta, shtoi maturantja.
ANA TJETËR E MATURËS
Pas përfundimit të mbrëmjes së maturës, për shumë maturantë festa vazhdon edhe me “afterparty”, që organizohet në lokale nate, vila private apo apartamente me qira. Edhe këto organizime sjellin shpenzime shtesë, pasi përfshijnë rezervimin e hapësirës, pijet, muzikën dhe vendin. Në disa raste, vetëm “afterparty”-i mund të kushtojë nga 20 deri në 100 euro për person, varësisht nga vendi dhe organizimi.
Përveç festës me shokët, shumë familje organizojnë edhe pritje apo darka në shtëpi për të festuar maturën me të afërmit. Edhe këtu shpenzimet nuk janë të vogla, pasi përfshijnë ushqimin, pijet, ëmbëlsirat, dekorimet dhe në disa raste edhe muzikë apo fotograf. Familjet shpesh shpenzojnë qindra euro shtesë vetëm për të shënuar këtë moment të rëndësishëm me familjarët dhe miqtë.
SHPENZIMET E MATURËS NË EVROPË
Presioni social rreth maturës është bërë i tepruar, sidomos kur familjet hyjnë në shpenzime që mezi i përballojnë vetëm për një natë. Në të njëjtën kohë, të tjerë e shohin si një moment simbolik që ndodh vetëm një herë në jetë. Në disa vende evropiane po rritet ideja e: marrjes së fustanit me qira, shkëmbimit të fustaneve, përdorimit të veshjeve të thjeshta, ose organizimit të maturës pa luks të tepërt. Në Gjermani matura (“Abiball”) zakonisht organizohet në sallë hoteli ose restorant. Shumë vajza marrin fustan me qira ose blejnë modele më të thjeshta. Shpenzimet mesatare mund të jenë rreth 300–1000 € për gjithë paraqitjen dhe festën.
Në Itali matura nuk ka gjithmonë traditë të madhe “prom-i” si në Ballkan apo SHBA; shpesh fokusi është te darka dhe festa me shokët, jo aq te luksi.
Në Francë gjithashtu nuk është aq e ekzagjeruar në shumicën e shkollave. Disa bëjnë “bal de promo”, por jo domosdoshmërisht me shpenzime shumë të mëdha. Në Mbretërinë e Bashkuar “prom”-i është bërë më popullor vitet e fundit dhe disa familje shpenzojnë shumë: fustan, flokë, grim, limo, fotografi. Mund të shkojë 500-2000 £. Në Serbi, Kroaci, në Maqedoni dhe rajon, shpesh ka presion social për t’u dukur “perfekt”, ndaj shpenzimet mund të bëhen shumë të larta krahasuar me të ardhurat mesatare. Në disa vende evropiane po rritet ideja e: marrjes së fustanit me qira, shkëmbimit të fustaneve, përdorimit të veshjeve të thjeshta, ose organizimit të maturës pa luks të tepërt. /Koha/






