Shikimi i fëmijëve në rrezik, okulistët fajësojnë përdorimin e tepërt të teknologjisë

    Rritja e numrit të fëmijëve me probleme të shikimit po bëhet një nga shqetësimet më të mëdha shëndetësore të viteve të fundit. Mjekët okulistë vazhdimisht apelojnë që prindërit të kryejnë kontrolle të rregullta të syve te fëmijët, sidomos para regjistrimit në shkollë, pasi shumë probleme me shikimin zbulohen pikërisht në moshë të hershme. Diagnostikimi dhe trajtimi në kohë mund të ndikojnë ndjeshëm në zhvillimin normal të shikimit dhe në suksesin e fëmijës në mësime dhe në jetën e përditshme. Sipas specialistëve, përdorimi i tepërt i teknologjisë është ndër faktorët kryesorë që po ndikon në rritjen e dioptrisë tek fëmijët. Telefonat, tabletët, kompjuterët dhe televizorët janë bërë pjesë e pandashme e përditshmërisë së tyre. Qëndrimi i gjatë para ekraneve shkakton lodhje vizuale, tharje të syve dhe vështirësi në fokusim. Përveç kësaj, shumë fëmijë kalojnë pak kohë në ambient të hapur dhe kanë mungesë ekspozimi ndaj dritës natyrale, e cila ndihmon në zhvillimin e shëndetshëm të syrit.

    Një tjetër problem mbetet mosvërejtja në kohë e simptomave të dobësimit të shikimit. Shpesh prindërit nuk e kuptojnë menjëherë që fëmija ka nevojë për syze. Fëmijët mund të ankohen për dhimbje koke, lodhje gjatë leximit, afrim të tepërt pranë televizorit ose vështirësi për të parë tabelën në shkollë. Në disa raste, ata nuk ankohen fare sepse mendojnë se të gjithë shohin njësoj si ata. Për këtë arsye, kontrollet periodike janë shumë të rëndësishme.

    Specialistët këshillojnë që kontrolli i parë i syve të bëhet që në moshë të vogël, ndërsa para fillimit të shkollës çdo fëmijë duhet të kryejë një vizitë okulistike të plotë. Zbulimi i hershëm i problemeve si miopia, hipermetropia apo astigmatizmi ndihmon në trajtimin më efektiv dhe në shmangien e komplikimeve të mëvonshme. Flora Muaremi, oftamologe, tha për gazetën Koha se përdorimi i tepërt i pajisjeve elektronike, qëndrimi i gjatë para ekraneve dhe mungesa e kohës në natyrë po ndikojnë ndjeshëm në përkeqësimin e shikimit tek fëmijët.

    “Shumica e fëmijëve që paraqiten për kontrolle okulistike sot kanë nevojë për syze me dioptri, kryesisht për shkak të rritjes së problemeve me shikimin në moshë të hershme. Përdorimi i tepërt i pajisjeve elektronike, qëndrimi i gjatë para ekraneve dhe mungesa e kohës në natyrë po ndikojnë ndjeshëm në përkeqësimin e shikimit tek fëmijët. Në shumë raste, kur dioptria shfaqet që në fëmijëri, është e nevojshme ndjekja e vazhdueshme dhe përdorimi korrekt i syzave sipas rekomandimit të specialistit”, u shpreh Muaremi.

    Ajo po ashtu shtoi se, syzet nuk e kurojnë përgjithmonë problemin e shikimit, por ndihmojnë në korrigjimin e tij dhe në një pamje më të qartë. Prandaj, kontrollet e rregullta të syve janë thelbësore për zbulimin dhe trajtimin në kohë të çdo ndryshimi në shikim.

    Shpesh ndodh që fëmijët nuk dëshirojnë t’i mbajnë syzat për shkak të sikletit apo paragjykimeve nga bashkëmoshatarët. Megjithatë, mosmbajtja e tyre mund të përkeqësojë problemin. Në shumë raste, diagnoza të caktuara mund të përmirësohen ndjeshëm me përdorimin korrekt të syzave dhe me ushtrime të rekomanduara nga mjeku okulist. Kjo mund të bëjë që në të ardhmen fëmija të mos ketë fare nevojë për syze ose të ketë një dioptri shumë më të vogël. Një nga problemet më të njohura në botë tek foshnjat e lindura para kohe është “Retinopatia e Prematuritetit” (ROP), një sëmundje që prek zhvillimin e retinës tek bebet premature. Kjo gjendje është studiuar gjerësisht në shumë vende të botës, pasi në raste të rënda mund të çojë deri në humbje të shikimit ose verbëri.

    Specialistët kanë vërejtur se foshnjat që qëndrojnë për një kohë të gjatë në inkubator dhe kanë nevojë për oksigjen shtesë janë më të rrezikuara. Falë kontrolleve të hershme dhe trajtimeve moderne me laser apo terapi të tjera, sot shumë raste mund të trajtohen me sukses nëse zbulohen në kohë.

    Lajmi Paraprak

    Ajër vdekjeprurës në Europë, Maqedonia ndër më të ndoturat

    Lajmi i rradhës

    BE-ja po shndërrohet në klub debati

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë