Inspektorati konstatoi dëme të shumta, gjobë për investitorin në Qendër të Shkupit

    Shërbimet inspektuese të Komunës së Qendrës, së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme, dolën menjëherë në terren lidhur me incidentin në bulevardin “Teodosij Gologanov”, pranë Kishës Katolike, ku u regjistruan dëme në sipërfaqet publike dhe infrastrukturën në afërsi të një kantieri ndërtimi.

    Komuna e Qendrës njoftoi dje se, pas inspektimit, u konstatuan dëme në rrugë, trotuare, sistemin e kanalizimit dhe ndriçimin publik, ndërsa ndaj investitorit u shqiptuan menjëherë dënimet dhe sanksionet më të rrepta ligjore për mosrespektim të detyrimeve dhe shkaktim të dëmeve në infrastrukturën publike.

    Paralelisht me inspektimin, ekipet e Komunës së Qendrës dolën në terren dhe morën menjëherë masa për sigurimin e zonës.

    “Rripat e sigurimit dhe shiritat paralajmërues u vendosën me qëllim mbrojtjen e qytetarëve dhe garantimin e lëvizjes së sigurt në afërsi të zonës së dëmtuar. Komuna e Qendrës nuk do të tolerojë sjellje të pamatura dhe të papërgjegjshme nga investitorët, veçanërisht kur rrezikohet siguria e qytetarëve dhe dëmtohet hapësira publike. Do të merren masa rigoroze për çdo shkelje, në përputhje me kompetencat ligjore”, deklaroi Komuna.

    Njëkohësisht, investitori u detyrua që urgjentisht ta siguronte hapësirën, të ndërmerrte masa për mbrojtje dhe rehabilitim, si dhe ta kthente infrastrukturën e dëmtuar në gjendjen e saj fillestare.

    “Komuna e Qendrës mbetet në terren dhe do ta monitorojë me vigjilencë rastin derisa të eliminohen plotësisht pasojat dhe të garantohet siguria e qytetarëve”, shtohet në deklaratë.

    Ministria e Punëve të Brendshme më herët informoi se në Komunën e Qendrës ndodhi një rrëshqitje dheu gjatë gërmimit të një grope për ndërtimin e një objekti, me një ekskavator të angazhuar nga kompania investitore. Si pasojë e rrëshqitjes, ekskavatori u mbulua nga dheu, por drejtuesi i tij arriti të dilte me kohë.

    “Sot (25.05.2026), rreth orës 13:30, në SPB Shkup u raportua se në rrugën ‘Hristo Smirnenski’, gjatë gërmimit të një grope për ndërtimin e një objekti me një ekskavator të angazhuar nga kompania investitore, ndodhi një rrëshqitje dheu që e mbuloi ekskavatorin, por personi që e drejtonte arriti të dilte me kohë”, theksoi MPB-ja.

    Rrëshqitja e dheut dëmtoi pjesë të trotuarit dhe rrugës, ndërsa një shtyllë e rrëzuar dëmtoi një automjet “Dacia Sandero”, në pronësi të E.M.

    MPB-ja njoftoi se Qendra për Menaxhim me Kriza, EVN-ja dhe institucionet e tjera kompetente janë informuar për incidentin, ndërsa në vendngjarje janë dërguar efektivë policorë që po ndërmarrin masa për zbardhjen e rastit.

    Rrëshqitja e dheut u raportua më herët në Facebook nga grupi “Në Mbrojtje të Bunjakovecit”.

    “Rrëshqitje dheu në kryqëzimin e rrugës ‘Hristo Smirnenski’ dhe bulevardit ‘Teodosij Gologanov’, ish-‘Ivo Lola Ribar’. Shembje e tokës nën asfalt pranë kantierit të ri të ndërtimit, i cili po funksiononte edhe gjatë një feste zyrtare. Është dëmtuar e gjithë infrastruktura – kabllot elektrike, telekomunikacioni… Nëse edhe rrugët dhe trotuaret në bulevard janë në rrezik, gjykojeni vetë”, thuhet në postim, të shoqëruar edhe me një video nga incidenti.

    Lajmi Paraprak

    BE-ja po shndërrohet në klub debati

    Lajmi i rradhës

    Sulmet ajrore izraelite vrasin shtatë palestinezë në Gazë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë