Pse kruarja te ekzema nuk ndalet lehtë?!

    Një rrugë nervore e panjohur deri më tani mund të shpjegojë pse disa pacientë nuk gjejnë lehtësim me trajtimet e zakonshme

    Studiuesit e Universitetit të Miçiganit kanë identifikuar një rrugë të re shqisore që shpjegon se si prekja e qimeve shumë të imëta në lëkurë mund të shkaktojë kruarje. Ky zbulim mund të hapë rrugë për terapi më efikase te pacientët me sëmundje kronike të lëkurës, si ekzema, ku trajtimet ekzistuese shpesh nuk japin rezultate të mjaftueshme.

    Studimi, i publikuar në revistën shkencore Neuron, ka zbuluar një grup të specializuar qelizash nervore të lidhura me qime të holla e të shkurtra, të ngjashme me qimet velus te njeriu, të njohura si “peach fuzz”. Sipas shkencëtarëve, këto neurone luajnë rol kyç në të ashtuquajturën kruarje mekanike.

    Ekipi i udhëhequr nga profesori Bo Duan zbuloi se te minjtë me inflamacion kronik të lëkurës, të ngjashëm me ekzemën te njerëzit, aktivizimi i këtyre neuroneve shkaktonte kruarje. Kur këto qeliza nervore u hoqën ose u çaktivizuan, nevoja për t’u kruar u ul ndjeshëm.

    Kjo është e rëndësishme sepse kruarja mekanike dallon nga ajo kimike, e cila shfaqet pas pickimit të mushkonjës ose kontaktit me substanca irrituese. Te ekzema dhe sëmundjet e tjera inflamatore të lëkurës, kruarja shpesh nuk i përgjigjet mirë terapive standarde, prandaj nevojiten objektiva të rinj trajtimi.

    Studiuesit përdorën stimulim të butë të qimeve të imëta dhe më pas modifikuan neuronet që të reagonin ndaj dritës blu. Kur lëkura u ndriçua me dritë blu, minjtë shfaqën të njëjtën sjellje kruarjeje, duke konfirmuar rolin e këtyre qelizave nervore.

    Edhe pse eksperimente të tilla nuk mund të kryhen drejtpërdrejt te njerëzit, shkencëtarët besojnë se një mekanizëm i ngjashëm ekziston edhe te njeriu. Njerëzit kanë gjenet e nevojshme për zhvillimin e këtyre neuroneve, ndërsa neuronet njerëzore të rritura në laborator reaguan ndaj të njëjtave proteina si ato te minjtë.

    Sipas studiuesve, qimet e imëta mund të jenë zhvilluar gjatë evolucionit si një sistem paralajmërues për insekte, parazitë ose kërcënime të tjera. Megjithatë, sinjalet e kruarjes zakonisht filtrohen nga qarqe të veçanta nervore në palcën kurrizore, ndaj nuk ndiejmë kruarje vazhdimisht.

    Kruarja kronike mund të dëmtojë rëndë cilësinë e jetës, të prishë gjumin dhe të përkeqësojë gjendjen e lëkurës përmes kruarjes së vazhdueshme. Nëse këto gjetje konfirmohen edhe te njerëzit, ato mund të hapin një drejtim të ri në trajtimin e ekzemës dhe sëmundjeve të tjera kronike të lëkurës.

    Lajmi Paraprak

    Në 20 vitet e fundit në RMV thuajse të gjitha përbërjet qeveritare janë formatuar

    Lajmi i rradhës

    Kostoja e jetesës mbetet një sfidë serioze për një numër të madh familjesh në RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë