Lideri i LSDM-së opozitare, Venko Filipçe, deklaroi në konferencën e sotme për shtyp se, pas dy vitesh qeverisjeje, deri në 90 për qind e premtimeve të kryeministrit Hristijan Mickoski kanë mbetur të parealizuara, përcjell Nistori.
Duke prezantuar një analizë të detajuar të programit qeverisës “Platforma #1198”, Filipçe tha se premtimet e dhëna para zgjedhjeve nuk janë përmbushur dhe se qytetarët nuk kanë përfituar jetën më të mirë që u ishte premtuar.
“Pas dy vitesh, qytetarët nuk kanë marrë një standard më të lartë jetese, as cilësi më të mirë të jetës, as kushte më të mira për të jetuar dhe as institucione më funksionale. Ata nuk morën atë që u ishte premtuar nga Mickoski dhe VMRO DPMNE-ja para zgjedhjeve. Thënë thjesht, qytetarët janë mashtruar”, deklaroi Filipçe.
Ai theksoi se analiza e LSDM-së për zbatimin e programit “Platforma #1198” tregon rezultate, sipas tij, dëshpëruese.
“Pas dy vitesh mandat të kësaj qeverie, vetëm rreth 10 për qind e premtimeve janë realizuar. Plot 90 për qind e premtimeve të bëra para dy vitesh nuk janë përmbushur. Praktikisht, nuk është realizuar pothuajse asgjë”, tha Filipçe.
Sipas tij, dështimi më i madh është në ekonomi dhe në standardin e jetesës, fusha që ishin ndër premtimet kryesore të Mickoskit para zgjedhjeve.
“Sot, në vend të një standardi më të lartë jetese, qytetarët jetojnë më keq se dy vjet më parë. Jeta është bërë më e vështirë, ndërsa portofolat dhe frigoriferët e familjeve janë më të zbrazët”, u shpreh ai.
Filipçe shtoi se, në vend të pagave më të larta dhe kushteve më të mira të jetesës, qytetarët po përballen me rritje të varfërisë, çmime të larta dhe rënie të investimeve.
“Në vend të rritjes së standardit të jetesës, punëtorët po përballen me varfëri në rritje. Në vend të shtimit të investimeve të huaja, ato janë ulur me pothuajse dy të tretat”, tha ai.
Në fund, Filipçe vlerësoi se qeveria e Mickoskit nuk ka shënuar rezultate në fushat kyçe dhe se qytetarët po i ndiejnë çdo ditë pasojat e premtimeve të papërmbushura.
“Rezultatet janë një zero e madhe – në reforma, në standardin e jetesës, në paga, në masat për të rinjtë, në mbështetjen për fermerët, mësuesit dhe mjekët, si dhe në rrugën evropiane të vendit”, përfundoi kryetari i LSDM-së.






