Punëtorët nën temperatura deri në 40°C, sindikata kërkon ndëshkime për punëdhënësit

    Përkundër rekomandimeve për kufizimin e punës në ambiente të hapura gjatë valës së të nxehtit, një numër i madh i punëtorëve të ndërtimit, korrierëve, shoferëve të taksive dhe personave të profesioneve të tjera vazhduan edhe sot të kryenin detyrat e tyre, të ekspozuar ndaj rrezeve të drejtpërdrejta të diellit dhe temperaturave jashtëzakonisht të larta. Kjo situatë ngre pikëpyetje për shkallën në të cilën punëdhënësit po i zbatojnë rekomandimet dhe masat për mbrojtjen e punëtorëve gjatë valëve të të nxehtit.

    Meta ka biseduar me Ivan Peshevskin, kryetar i Sindikatës për Ndërtim, Industri dhe Projektim të Republikës së Maqedonisë (SGIP), i cili u bën apel inspektorëve të dalin në terren dhe të ndëshkojnë punëdhënësit që nuk i respektojnë rekomandimet për mbrojtjen e punëtorëve.

    “Për shkak të temperaturave jashtëzakonisht të larta, që sot pritet të arrijnë deri në 40 gradë Celsius, u bëjmë apel punëdhënësve të marrin masa të menjëhershme për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së punëtorëve. Mos i ekspozoni punëtorët ndaj punës në ambiente të hapura dhe nën rrezet e drejtpërdrejta të diellit në periudhën nga ora 11:00 deri në 17:00. Siguroni ujë të pijshëm dhe lëngje të mjaftueshme, ndërsa personat përgjegjës teknikë duhet të marrin masa mbrojtëse, si sigurimi i hijeve, ajrosja e mjaftueshme dhe, aty ku është e mundur, përdorimi i pajisjeve për klimatizim. Në përputhje me Planin e Veprimit për parandalimin e pasojave të valëve të të nxehtit dhe me masat për sigurinë dhe shëndetin në punë, u rekomandojmë punëdhënësve në të gjithë vendin të respektojnë masat e përgjithshme për mbrojtjen e punëtorëve nga temperaturat e larta, si mbrojtja nga rrezet e drejtpërdrejta të diellit, konsumimi i sasive të mjaftueshme të lëngjeve dhe ndjekja e udhëzimeve të institucioneve kompetente”, tha Peshevski.

    Ai rikujton se siguria dhe shëndeti në punë janë një e drejtë dhe një detyrim shumë i rëndësishëm, që duhet të respektohet dhe të zbatohet nga të gjithë.

    Gjatë fundjavës, 10 persona u rrëzuan për shkak të temperaturave të larta

    Shefja e Shërbimit të Urgjencës Mjekësore, dr. Anita Dimoska, tha për Metën se gjatë fundjavës së kaluar janë regjistruar 10 raste të kolapsit në vende publike.

    “Fatmirësisht, shumica e rasteve ishin të lehta dhe pacientët u trajtuan në vend. Bëhej fjalë kryesisht për persona të moshuar dhe kolapset u shkaktuan nga temperaturat e larta. Këta persona nuk duhet të dalin jashtë në periudhën nga ora 11:00 deri në 17:00. Në shumicën e rasteve, ata përballen me rënie të tensionit të gjakut, ulje të nivelit të sheqerit në gjak ose nuk e marrin rregullisht terapinë për tensionin, gjë që çon në dehidrim. Me djersitjen dhe humbjen e lëngjeve, tensioni bie edhe më shumë. Prandaj, para se të dalin nga shtëpia, këshillohet të matin tensionin e gjakut ose nivelin e sheqerit në gjak, sidomos nëse vuajnë nga diabeti”, tha Dimoska.

    Rekomandohet qëndrimi në ambiente me ajër të kondicionuar

    Në ditët me temperatura të larta, nëse dalja jashtë është e domosdoshme, rekomandohet veshja me rroba të lehta dhe me ngjyra të çelëta, përdorimi i syzeve mbrojtëse dhe kapelës me strehë të gjerë, si dhe pushime të shpeshta në hije.

    Qytetarëve u bëhet apel të qëndrojnë sa më shumë në ambiente të freskëta dhe me ajër të kondicionuar, ndërsa shtëpitë t’i mbajnë të freskëta duke mbyllur dritaret dhe grilat gjatë ditës dhe duke ajrosur ambientet në mbrëmje.

    Instituti i Shëndetit Publik rekomandon konsumimin e rregullt të lëngjeve, kryesisht ujë dhe pije minerale, pa pritur ndjesinë e etjes. Njëkohësisht këshillohet të shmangen alkooli, pijet me kafeinë, pijet shumë të ftohta, si dhe ushqimet me shumë yndyrë, kalori dhe sheqer.

    Personat me sëmundje kronike, veçanërisht ata me sëmundje kardiovaskulare, duhet ta marrin rregullisht terapinë e përshkruar dhe të konsultohen me mjekun për çdo ndryshim të gjendjes shëndetësore.

    Nëse shfaqen simptoma si marramendje, dobësi, dhimbje koke ose ngërçe muskulore, personi duhet të zhvendoset menjëherë në një vend më të freskët, të rehidratohet dhe të pushojë. Nëse simptomat nuk largohen ose përkeqësohen, duhet të kërkohet menjëherë ndihmë mjekësore.

    Në rast se personi ka temperaturë shumë të lartë trupore, lëkurë të nxehtë dhe të thatë, konvulsione ose humb vetëdijen, Instituti i Shëndetit Publik apelon që menjëherë të thirret Shërbimi i Urgjencës Mjekësore në numrat 194 ose 112. Deri në mbërritjen e ekipit mjekësor, personi duhet të zhvendoset në një vend të freskët, të ftohet me kompresa ose ujë dhe, nëse është pa ndjenja, të vendoset në pozicion anësor të sigurisë.

    Mot me diell dhe temperatura deri në 38 gradë

    Sipas parashikimit të fundit të Administratës për Punë Hidrometeorologjike (APHM), deri nesër do të mbajë mot me diell dhe shumë i ngrohtë, me vranësira të pakta lokale.

    “Nën ndikimin e një cikloni, nga pasditja e së martës moti do të bëhet pjesërisht i vranët me reshje të herëpashershme shiu. Lokalisht do të krijohen kushte për mot të paqëndrueshëm me reshje të rrëmbyeshme, bubullima dhe erë të fortë. Në disa zona priten procese më intensive në formën e stuhive me reshje më të dendura, shkarkesa elektrike dhe erë të fortë nga veriu. Nga e enjtja, era veriore do të jetë më e theksuar përgjatë luginës së Vardarit dhe herë pas here do të arrijë shpejtësi mbi 50 kilometra në orë”, thuhet në njoftimin e APHM-së. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Fundi i ‘Alcatrazit me Aligator’ – burgu famëkeq i Floridës

    Lajmi i rradhës

    Lojtarët me më së shumti çmime “Lojtari i Ndeshjes” në fazën e grupeve të Kupës së Botës 2026

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë