“Zebrat” e zbehura në Shkup, pasojë e tenderëve pa standarde

    Fotografia është krijuar me ndihmën e Intelegjencës Artificiale (IA) për të ilustruar artikullin

    Po përpiqeni të kaloni një rrugë në Kisella Vodë të Shkupit, pranë shkollës fillore “Kuzman Josifovski-Pitu”. E dini se aty ka pasur gjithmonë një vendkalim për këmbësorë, por mezi dallohen vijat e bardha që e shënojnë atë, shkruan Prizma, përcjell Nistori.

    Ato janë zbehur aq shumë, sa thuajse nuk duken fare. Edhe kur i vini re, kaloni me frikë, sepse e dini se shoferët i dallojnë edhe më vështirë gjatë lëvizjes.

    Ky është vetëm një shembull i shumë rrugëve ku sinjalizimi horizontal është pothuajse i padukshëm, duke rrezikuar sigurinë e të gjithë përdoruesve të rrugës.

    Qendra për Komunikime Qytetare (QKQ) publikoi sot një analizë të prokurimeve publike për sinjalizimin horizontal në 81 komuna, për periudhën 2023–2025. Të dhënat tregojnë se plot 46 komuna nuk kanë zhvilluar fare tenderë për sinjalizimin horizontal.

    Megjithatë, hulumtimi tregon se kalimet e zbehura për këmbësorë nuk janë vetëm pasojë e mungesës së tenderëve, por edhe e faktit se pushteti lokal shpesh nuk këmbëngul në respektimin e standardeve dhe cilësisë gjatë zbatimit të prokurimeve publike.

    Kjo do të thotë se në shumë raste askush nuk kontrollon nëse përdoret bojë cilësore dhe sa do të zgjasë ajo në asfalt.

    Vetëm shtatë komuna kërkuan standarde

    “Prodhimi i kalimeve për këmbësorë me bojë rrugore” ishte specifikimi i vetëm që Komuna e Gazi Babës përfshiu në dokumentacionin e tenderit për shënimin e sinjalizimit horizontal me bojë të bardhë. Ky shërbim i kushtoi komunës 295 denarë për metër katror.

    Komuna e Gazi Babës është vetëm një nga shumë komuna që nuk kanë vendosur kërkesa shtesë në tenderë për të garantuar cilësinë e punimeve.

    Në fakt, komunat që kanë përcaktuar kritere të qarta mund të numërohen me gishta. Nga gjithsej 18 komuna dhe ndërmarrje publike që zhvilluan tenderë për shënimin e vendkalimeve për këmbësorë dhe sinjalizimit tjetër horizontal, 11 prej tyre (Berovë, Kriva Pallankë, Dellçevë, Gazi Babë, Kisella Vodë, Prilep, Sopishtë, Tetovë, Dibër, Resnjë dhe Gjorçe Petrov) nuk dhanë asnjë përshkrim për cilësinë e bojës që do të përdorej, duke u mjaftuar vetëm me termin e përgjithshëm “bojë rrugore”.

    “Kjo do të thotë se kontraktori mund të përdorë çfarëdo lloji boje dhe, formalisht, ta përmbushë kontratën, pa mbajtur përgjegjësi për qëndrueshmërinë e sinjalizimit”, thuhet në analizën e QKQ-së.

    Procedura në Shkup u anulua

    Ndërmarrjet publike të Shkupit, Velesit, Kavadarit, Manastirit, Radovishit, Shtipit dhe Komunës së Ilindenit, megjithatë, kërkuan përmbushjen e standardeve të caktuara.

    Në rastin e Shkupit, situata me tenderin është më e ndërlikuar. Sipas QKQ-së, ndërmarrja publike “Rrugë dhe Rrugica” zhvilloi vitin e kaluar një tender të ndarë në tri pjesë. Në pjesën e parë u prokuruan bojë rrugore, hollues dhe perla qelqi, në të dytën shirit vetëngjitës, ndërsa në të tretën plastikë e ftohtë.

    Për dy pjesët e para u nënshkruan kontrata, ndërsa procedura për prokurimin e plastikës së ftohtë – materiali më cilësor për shënimin e vendkalimeve për këmbësorë, pasi zgjat më shumë, ka dukshmëri të lartë gjatë natës dhe nuk rrëshqet – u anulua. Ky material zakonisht përdoret në bulevardet kryesore të qytetit.

    Aktualisht është duke u zhvilluar një procedurë e re për këtë prokurim.

    “Kjo tregon se procedurat e përsëritura dhe të pasuksesshme për prokurimin e plastikës së ftohtë ndikojnë drejtpërdrejt në vazhdimësinë e furnizimit me këtë material kyç, duke bërë që sinjalizimi horizontal në Qytetin e Shkupit të mos realizohet as me cilësinë dhe as me ritmin e nevojshëm”, thekson QKQ.

    Edhe komunat e tjera kanë blerë bojë të bardhë dhe perla qelqi, material që rrit dukshmërinë e sinjalizimit gjatë natës. Megjithatë, edhe në këto raste standardet e cilësisë nuk janë kërkuar gjithmonë.

    Petroveci, Kërçova dhe Gostivari kanë dhënë përshkrime më të detajuara teknike.

    “Komuna e Petrovecit, e cila përcaktoi karakteristikat teknike të bojës dhe perlave të qelqit, pagoi më pak se komunat që nuk specifikuan cilësinë e materialeve, si Kisella Voda, Prilepi, Sopishta dhe Tetova”, përfundon QKQ.

    Analiza e çmimeve të prokurimeve publike në të gjitha komunat zbulon dallime deri në katërfish.

    Bojëra është blerë me çmime nga 132 deri në 296 denarë për kilogram, ndërsa shërbimi i shënimit me bojë të bardhë dhe perla qelqi ka kushtuar nga 281 deri në 802 denarë për metër katror.

    Bojën më të lirë e ka blerë një ndërmarrje publike në Shkup, ndërsa më të shtrenjtën një ndërmarrje publike në Shtip. Për perlat e qelqit, çmimin më të ulët e pagoi Komuna e Petrovecit, ndërsa më të lartin Komuna e Gostivarit.

    Sipas QKQ-së, mungesa e standardeve dhe zbatimi i pabarabartë i detyrimeve për sinjalizimin horizontal tregojnë nevojën për kritere më të qarta, praktika të unifikuara dhe monitorim më të rreptë të zbatimit të prokurimeve publike në nivel lokal.

    Lajmi Paraprak

    Rasti që ngre dyshime për sigurinë e provave në gjykatat e Maqedonisë së Veriut

    Lajmi i rradhës

    Qytetarët në RMV kërkojnë masa edhe më të ashpra për trotinetet elektrikë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë